Rrahmani protagonist te Verona: Mbrojtës modern dhe i shpejtë, funksionon si mrekulli me Kumbullën

389
Sigal

Amir Rrahmani u transferua këtë sezon te skuadra e Veronës nga kroatët e Dinamo Zagreb. Mbrojtësi ishte shumë pranë kalimit në Belgjikë fillimisht, teksa kishte rënë dakord për një kontratë katërvjeçare me Standart Liezh. Megjithatë, ndërhyrja në momentet e fundit e drejtorit sportiv të veronezve bëri që ish-futbollisti i Partizanit të transferohej për diçka më pak se dy milionë euro në Serinë A. Rrahmani ka përmbushur të gjitha pritshmëritë, teksa së bashku me Kumbullën kanë formuar një nga dyshet më të forta në mbrojtje.

Madje Verona është mbrojtja e dytë më e mirë në Itali me 11 gola të pësuar, më mirë ka bërë vetëm Juventusi me nëntë gola të pësuar. Në portalin e gazetarit ” Gianlucadimarzio.com” është pasqyruar se si fillimisht Rrahmani nuk njihej dhe njerëzit nuk dinin as të lexonin emrin e tij, ndërsa tashmë të gjithë e dinë sa i fortë është. Gjithashtu e vlerësojnë edhe për partneritetin me Kumbullën dhe këshillat e Rrahmanit për djaloshin e ri. ” Rrahmani kush? Mbrojtës qendre nga Kosova, i transferuar nga Dinamo Zagreb? Po si lexohet emri i tij? Tani Rrahmani formon një dyshe të bukur me Kumbullën. Të dy së bashku, funksionojnë si një mrekulli, fizikisht dhe taktikisht.

Kur Kumbulla ka ndonjë pasiguri, aty është Rrahmani për t’i dhënë këshillën e duhur. Kjo edhe sepse Rrahmani ka një eksperiencë të mirë ndërkombëtare me Kosovën, dhe për pak mund të kualifikohej në Europian. Është një mbrojtës modern që nuk di vetëm të mbrojë, është i rëndë por edhe i shpejtë në rikuperim. Aq sa në sfidën me Sampdorian arriti në shpejtësinë 34.73 km në orë, duke rezultuar lojtari më i shpejtë i asaj jave. Tashmë nuk pyetet kush është Rrahmani, por thuhet po, ai është me të vërtetë i fortë”, shkruhej në përshkrimin për Rrahmanin.