Roshi cilësohet si më i miri i vitit tek Terek Grozny

461
Sigal

Goli i realizuar nga Odise Roshi në takimin ndaj Rubinit është cilësuar si goli më i bukur i pjesës së parë të sezonit tek skuadra e Terekut në Rusi. Një vlerësim i rëndësishëm për lojtarin e kombëtares shqiptare që deri më tani ka zhviluar një edicion pozitiv.

Odise Roshi braktisi kampionatin kroat të futbollit për t’iu bashkuar Bekim Balajt në Çeçeni me skuadrën që është pjesë e ligës ruse, Terek Grozny.

Paraqitjet e mesfushorit kuqezi kanë qënë deri më tani pozitive dhe këtë e vërteton edhe fakti se goli spektakolar i realizuar ndaj Rubin Kazanit është vlerësuar si goli më i bukur i pjesës së parë të edicionit për ekipin e Terekut.

Goditja fluturimthi e fierakut u përplas në traversë dhe përfundoi më pas në rrjetë duke mos i dhuruar thuajse asnjë mundësi reagimi portierit Sergei Ryzhikov.

Një vlerësim i rëndësishëm për lojtarin kuqezi i cili për hir të së vërtetës nuk është se ka ndonjë marrëdhënie të ngushtë me golin. Ai që realisht është më i lidhur me elementin më të vlerësuar në futboll, pra golin është Bekim Balaj.

Shkodrani ka zhvilluar një pjesë të parë të edicionit në nivele të larta duke realizuar 8 herë dhe duke qënë pranë majës së golashënuesve në kampionatin rus.

Ndërkaq falë edhe paraqitjeve të Roshit e Balajt, Tereku ndodhet i pozicionuar në vendin e 4-ët në renditje, pozicion që nëse arrin ta mbrojë deri në fund i garanton kualifikimin në paraeliminatoret e Ligës së Europës.