Sigal

Juventusi “bën ligjin” në kampionatin italian, teksa viktima e radhës është Milani që u dorëzua dhe humbi me rezultatin 0-2, ndërsa Cristiano Ronaldo theu tabunë “San Siro”, duke shënuar për herë të parë në mitikun e Milanos, që bëhet njëkohësisht stadiumi i 86, ku portugezi ka shënuar gol.

Sfida nisi mjaft mirë për Juventusin, që gjeti golin e avantazhit që në minutën e 8’, me anë të Mario Mandzukic, i cili përfitoi nga një vendosje e gabuar e Rodriguez dhe dërgoi topin në rrjetë, pas një gjuajtjeje me kokë.

Gjithsesi bardhezinjtë nuk i kishin bërë llogaritë mirë me grintën e Higuain, që si një ish, kërkonte t’u tregonte juventinëve se gabuan që e larguan gjatë merkatos së kësaj vere.

Ishte pikërisht argjentinasi që fitoi një 11-metërsh në minutën e 40’ të takimit, pasi Benatia ndali topin me dorë, gjatë një aksioni në zonë. Mazzoleni la aksionin të vijojë fillimisht, por pasi rishikoi aksionin me VAR, vuri re hapjen e krahut nga ana e Benatiasë.

Penallti për Milanin, por arbitri tregohet zemërgjerë me mbrojtësin maroken të Juventusit, të cilit nuk i jep kartonin e dytë të verdhë (ishte ndëshkuar më herët për një faull). 11-metërshin e ekzekuton Higuain, por topi i argjentinasit pritet nga Szczesny, pak edhe me ndihmën e shtyllës.

Milani qëndron në lojë dhe tenton të gjejë barazimin deri në minutën e 81-të, kur Cristiano Ronaldo gjendet në vendin e duhur, në zonën e rreptësisë së kuqezinjve dhe arrin të dërgojë topin në rrjetën e Donnarummës për herë të dytë.

Vetëm dy minuta më vonë arbitri akordon një faull në favor të Juventusit, duke ndëshkuar me karton të verdhë sulmuesin e Milanit, Higuain. Kaq mjaftoi që ky i fundit të humbë toruan, t’i hakërrehet arbitrit dhe të marrë menjëherë edhe kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën me 10 futbollistë.

Tensioni në fushë është i madh, me të gjithë futbollistët që tentojnë të qetësojnë sulmuesin argjentinas, i cili nuk i kursen një të shtyrë as Cristiano Ronaldos, ndërsa në fund lë fushën e lojës mes lotësh, që nuk arriti t’u japë përgjigjen që kishte planifikuar, ish shokëve të tij të skuadrës.

Minutat e mbetura nuk patën më histori, me Juventusin që mori fitoren e 11 në 12 ndeshje të kampionatit dhe vijon të kryesojë renditjen bindshëm, me 6 pikë më tepër se Napoli që e ndjek.