TURIN, ITALY - DECEMBER 23: Massimiliano Allegri of Juventus gestures during the serie A match between Juventus and AS Roma on December 23, 2017 in Turin, Italy. (Photo by Gabriele Maltinti/Getty Images)
Sigal

Gjithçka gati në shtëpinë e Juventusit për debutimin në kampionat ndaj Chievos. Trajneri Massimiliano Allegri është shfaqur shumë optimistë për sezonin e ri, por kërkon që futbollistët e tij të kthehen me këmbë në tokë.

“Largimi i Marchisios? Unë personalisht duhet ta falënderoj Claudion, sepse në katër vite me mua, ka treguar se është një futbollist i madh, një njeri dhe një profesionist i jashtëzakonshëm, një shembull për të gjithë lojtarët që i janë bashkuar Juventusit. AI ka qenë për 25 vite te Juventusi dhe kemi vendosur që të ndahemi këtu, ndërsa shoqëria vendosi t’i zgjidhë kontratën, për t’i dhënë mundësinë e një tjetër eksperience.

Ronaldo? Asnjë këshillë për CR7. Do të jetë diçka e re për të dhe do t’i duhet të njohë kampionatin italian, pasi nesër starton një sezon i ri dhe një sfidë e re. Do të jetë gjithmonë e më e vështirë, sepse pavarësisht se jemi përforcuar ndjeshëm, edhe kundërshtarët tanë nuk kanë qëndruar në vendnumëro. Duhet të lëmë mënjanë periudhën e ekzaltimit për marrjen e Ronaldos dhe të kthehemi me këmbë në tokë, për të luajtur ndaj një skuadre si Chievo, që ka dëshirë për të bërë mirë ndaj kampionit në fuqi. Ndeshja e parë është gjithmonë një e panjohur e madhe. Jam kurioz të shoh edhe unë se si do të paraqitet skuadra, për të bërë më pas ndërhyrjet e nevojshme dhe për të gjetur ekuilibrat e duhur.

Objektivi Champions? Që kur kam ardhur te Juvja, ka qenë gjithmonë viti i Championsit, kampionatit dhe Kupës së Italisë. Juve është një skuadër që çdo vit niset për të fituar gjithçka. Dy herë i kemi shkuar shumë pranë triumfit në çdo kompeticion, ndërsa këtë sezon, objektivi i parë është që të kalojmë grupet. Të gjithë janë të ekzaltuar për mbërritjen e Ronaldos, por realiteti është ai që do të shfaqet në fushën e lojës. Mund të kesh lojtarët më të mirë në botë, por nëse nuk impenjohesh maksimalisht dhe me këmbë në tokë, atëherë nuk shkon gjëkundi. Unë dëshiroj që të mbërrijmë në mars, duke qenë në garë për të tre trofetë, pasi atëherë do të kemi gjetur edhe ekuilibrat e duhur për të synuar më pas hapin e madh.

Formacioni? Nesër do të luajnë me siguri Ronaldo, Chiellini, Pjanic, Cancelo dhe Alex Sandro. Për pjesën tjetër të formacionit, do të më duhet të bëj akoma llogaritë, mbi të gjitha në mesin e fushës. Shumë do të varet edhe nga mënyra se si do të shkojë ndeshja, por prirem t’u besoj atyre që kanë qenë në SHBA, pasi kanë më shumë minuta në këmbë.

Merkato? Besoj se është mbyllur tashmë për ne. Në dalje ishte Marchisio dhe askush tjetër. Nuk di se çfarë do të ndodhë me skuadrën B. I vetmi diskutim është për Kean, që ose do qëndrojë, ose do të luajë jashtë shtetit. Unë kam punuar në sintoni me drejtuesit dhe mendoj se organika është përforcuar ndjeshëm, ndaj kam bindjen, që nëse sillemi në mënyrën e duhur, mund të synojmë diçka të madhe”.