Ronaldo shet mend me një foto, Lineker i tregon vendin: Nuk është dita e duhur!

460
Sigal

Cristiano Ronaldo këtë të martë ishte në Madrid, për të mbyllur gjyqin për evazion fiskal, gjë që e ka arritur duke paguar thuajse 19 milionë euro, sepse është… Ronaldo, mund të bëjë ç’të dojë me aq para sa ka.

Para dhe pas daljes para gjykatësit, Ronaldo u shfaq për dore me të dashurën Georgina, duke buzëqeshur i lumtur, i vetëdijshëm se bota i kishte sytë tek ai dhe parada e modës duhej shfrytëzuar në maksimum.

Në fakt, bota e sportit nuk e kishte fort mendjen te shëtitjet e Ronaldos, pasi pikërisht në orët kur portugezi kërkonte të jepte idenë se është një botë perfekte, një tjetër futboll, më pak fatlum, Emiliano Sala, ishte zhdukur në bordin e një avioni që duhej ta çonte nga Franca në Angli, sepse të shtunën kishte firmosur për Cardiff City-n.

Të gjithë pezull, në pritje të lajmeve, por jo Ronaldo, i cili nuk pati as inteligjencën që ta kuptonte se në një ditë të tillë, postimi i një fotoje nga avioni i tij personal, duke shitur mend për luksin dhe lumturinë e tij, nuk ishte fort e përshtatshme.

Shumë tifozë e vunë re këtë gjë dhe në internet kanë vërshuar kritikat ndaj Ronaldos, por mesazhin më të qartë ia ka dhënë, po në Twitter, legjendari anglez Gary Lineker: “Nuk është dita e duhur për këtë postim. Vërtet nuk është”.