Ronaldo: Më tregoni dot një lojtar në moshën time, që luan si unë dhe aktivizohet në këtë nivel?

401
Sigal

Papritur Kristiano Ronaldo duket se është transformuar në pretendentin numër një për të fituar Topin e Artë. Favoriti i shumëpërfolur ishte mbrojtësi Van Dajk, i cili triumfoi edhe në Ligën e Kampionëve, ndërsa më pak i kotuari është Mesi. Por, ajo që ngriti dyshimet se do të jetë Ronaldo fituesi i këtij çmimi prestigjioz në muajin dhjetor, ishte udhëtimi në Torino i përfaqësuesve të ‘France Football’, të cilët drekuan me Ronaldon dhe drejtorin sportiv të Juventus, Fabio Paratiçi.

Ndër të tjera, revista franceze ka bërë edhe një intervistë të gjatë me yllin portugez, ndërsa ka zbuluar disa pjesë të shkurtra nga fjalët e Ronaldos. Goli numër 700? “ 700 gola është një shifër impresionuese, për të cilën jam edhe më shumë krenar duke parë emrat e pakët që e kanë arritur. Goli i preferuar? Nëse më duhet të zgjedh, atëherë ai kundër Juventusit me roveshatë. Ishte një gol që kërkoja ta shënoja prej vitesh. Fiksimi për futbollin? Në moshën 19-20 vjeçare kuptova që futbolli ishte numra, tituj, rekorde dhe objektiva.

Rivaliteti me Mesin? Duke qenë përballë njëri-tjetrit në Spanjë na ka lejuar të përmirësohemi. Te Reali e ndjeja atë presion, por ishte një rivalitet i shëndetshëm. Çfarë duhet për të shënuar kaq shumë gola? Fillimisht talenti. Pa atë nuk bën shumë. Por edhe talenti pa punë është e kotë. Asgjë nuk bie nga qielli. Nuk do të kisha arritur asnjëherë këtu ku jam sot pa kulturën time të punës. Objektiva të ardhshëm? Objektivi im është të qëndroj i ri derisa plakem, gjithnjë kompetitiv. A mund të më thoni një tjetër lojtar në moshën time, që luan si unë dhe aktivizohet në një skuadër si Juventusi”, u shpreh Ronaldo.