Sigal

Antuan Grizman vazhdon të jetë në shënjestër të skuadrave të mëdha të Europës. Disa ditë më parë flitej për një interesim nga francezët e PSG-së (ofertë 150 milionë euro), ndërkohë së fundmi janë shtuar zërat për një kalim të mundshëm të tij në Itali në radhët e Juventusit.

Është pikërisht Kristiano Ronaldo ai që e dëshiron në skuadër sulmuesin e Atletikos. Grizman shikohet nga drejtuesit bardhezi si njeriu i duhur për të marrë vendin e Dibalës, nëse ky i fundit largohet vitin e ardhshëm, edhe pse ata e dinë shumë mirë që për ta realizuar këtë gjë duhet të derdhin në arkat e Atletikos shifrën e 150 milionë eurove, pasi klubi i Simeones nuk pranon asnjë negociatë tjetër për sulmuesin. Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që “Zonja e Vjetër” e kërkon sulmuesin francez, ku në prill të këtij viti tentoi seriozisht për të nënshkruar me të, por pa mundur t’ia dalë me sukses.

Megjithatë, kjo tratativë nuk është aspak e lehtë, pasi për Grizman vazhdon të jetë e interesuar edhe PSG-ja, që e shikon si një zëvendësues të mundshëm të brazilianit Nejmar.