Romela shuan ëndrrat e Shqipërisë për medalje

651
Sigal

Peshëngritësja  Romela Begaj (58 kg), vendi i gjashtë në “Pekin 2008”, shpresa e fundit e vendit tonë për të hyrë në zonën e medaljeve, dështoi në “Londër 2012”, duke zënë vendin e 11-të nga 19 sportiste, pavarësisht se, si në Kinë, ashtu dhe në Angli, ajo ngriti në total të njëjtën peshë, 216 kg. Një paraqitje larg forme të nënkampiones së Europës, ku e gjithë vëmendja e delegacionit olimpik shqiptar, por edhe Shqipërisë, Kosovës, dhe kudo që ka shqiptarë ishte përqendruar te Romela, pas zhgënjimit një dite më parë të xhudistes kosovare, Majlinda Kelmendi, që u eliminua në fazën e 1/16-ve, me një fitore dhe një humbje.

 SHKËPUTJE

25-vjeçarja Romela Begaj, e cila u përgatit për një kohë të gjatë në Greqi, nën drejtimin e trajnerit-bashkëshort, Gazmend Hakcani, u shfaq e sigurt në provën e parë, kur në shtangë ishin vendosur 101 kg, 3 më shumë sesa ajo kishte ngritur katër vjet më parë në “Pekin 2008”, 98 kg. Me provën e parë të ngritur me sukses, Begaj prodhoi entuziazëm në radhët e delegacionit shqiptar. Por, Romela nuk ia doli të ngrejë 103 kg në provën e dytë, ndërkohë që dështoi dhe në të tretën, duke mos pasur një përqendrim të mirë të trupit, e duke e mbyllur garën me 101 kg, duke e dalë në vendin e 7-të. Kur ajo u shpall fituese e medaljes së artë në Kampionatin Europian të Antalias, Romela ngriti 102 kg. Rezultatin më të mirë në shkëputje e arriti kinezja Li Xueying, që vendosi edhe një rekord të ri olimpik me 108 kg.

SHTYTJE

I njëjti skenar u përsërit edhe në stilin e shtytjes. E mbështetur nga i gjithë stafi, dhe me një rikthim të mirë të gjendjes psikologjike, Romela ngriti 115 kg në provën e parë, kur në tre muaj më parë në Europianin e Antalias kishte ngritur 116 kg. Me provën e parë të kaluar, shtanga u rrit 6 kg më shumë, pra 121 kg – kujtojmë se në “Pekin 2008” ishte ndalur në 118 kg – por prova nuk rezultoi e suksesshme. Edhe tentativa e tretë ishte një dështim, duke e mbyllur garën në 115 kg dhe vendin e 12-të, ndërsa në dygarësh në 216 kg dhe përfundimisht në vendin e 11-të, teksa vendi i tretë, pra medalja e bronzit u fitua nga ukrainasja Julia Kalina, me 235 në dygarësh. Medaljen e artë në peshën 58 kg e zuri kinezja Li Xueying, që në dygarësh ngriti në total 246 kg, pra 30 kg më shumë se Romela. Kinezja zuri vendin e parë në të dy stilet: shkëputje 108 kg dhe shtytje 138 kg. Medaljen e argjendtë e fitoi tajlandezja Pimsiri Sirikaev me 235 kg në total (100+135kg).

Garat dhe rezultatet e olimpistëve shqiptarë

KANË GARUAR

 

28 korrik    ora 10:30       

NOEL BORSHI

(Not, 100 metra delfin)

Vendi i 40-te nga 42 sportistë

28 korrik    ora 12:00       

ARBEN KUÇANA

(Qitje me pistoletë, 10 m ajër)

Vendi i 20-të nga 44 sportistë

29 korrik    ora 09:30       

MAJLINDA KELMENDI

(Xhudo, pesha 52 kg)

Eliminoi në 1/32 Sundeberg

U eliminua në 1/16 nga Lezhentil

30 korrik    ora 12:30       

ROMELA BEGAJ        

(Peshëngritje, pesha 58 kg)

Rezultati: 216 kg në dygarësh

Vendi i 11-të nga 19 sporistë

DO TË GAROJNË

31 korrik    ora 10:00       

BRIKEN CALJA          

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

31 korrik    ora 10:00       

DANIEL GODELLI     

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

31 korrik    ora 10:00       

SIDNI HOXHA              

(Not, 100 metra stil i lirë)

3 gusht       ora 10:00       

ADRIATIK HOXHA    

(Hedhje gjyle)

4 gusht       ora 15:30       

ENDRI KARINA          

(Peshëngritje, pesha 94 kg)

5 gusht       ora 09:00       

ARBEN KUÇANA        

(Qitje, 50 metra pistoletë)

6 gusht       ora 19:20       

KLODIANA SHALA    

(Atletikë, 200 metra)