Romantizmi i një Maratone Noti në Sarandë, veprimtari me atmosferë jo vetëm sportive

675
Sigal

Nga Agron MEMA

ATMOSFERË/ Maratona e Notit ka përfunduar, por ende në qytet nuk është larguar imazhi i saj, për garën, takimet dhe bisedat. Me to do të “flasin” këtu, deri në maratonën e vitit të ardhshëm

Dje, në gazetën “Telegraf”, përcollëm kronikën me emocionet e zhvillimit të Maratonës së Notit “Saranda 2018”, e zhvilluar në qytetin e Sarandës gjatë fundjavës që kaloi. Ndërsa sot, po ju sjellim romantizmin dhe ndjesitë e kësaj Maratone, e cila flladin e saj e përhapi në mbrëmjen e së shtunës, 8 shtator 2018. Ishte një mbrëmje, ku vjeshta në Sarandë ka vetëm statusin kalendarik, në një lokal buzëdetit, ku buzëmbrëmjet me boshtin e zjarrtë perëndimor të diellit dhe njerëzve që mbledhin plaçkat për tu larguar nga plazhi, janë mbledhur ata që bënë historinë e lavdishme të notit shqiptar në vite. Sepse këtë dëshirë e pasion ata duan ta lënë të trashëguar tek brezat pasardhës, ndonëse me nota pesimizmi, por entuziazmi nuk mungon. Një natë e bukur ku notarët notojnë në zadrën e kujtimeve të hershme rinore, mes duartrokitjeve të thyerjeve të rekordeve, të titujve të nderit, rezultateve të larta, atmosferës elektrizuese që pushtonte ambientet sportive të kohës së tyre. Por, edhe pikëllim për mungesa se dikush nuk ndodhet në atdhe, dikush nuk mundet fizikisht, e dikush i larguar nga jeta. Dhe këtë pikëllim e mbulon tisi i kujtimeve të rekordeve të tyre. Kështu, ata si papritmas ringjallen, rikthehen aty në tryezën e gëzuar të kolegëve të tyre. Të gjitha këto përmblidhen në atë që perimetri i saj ka emrin “Nostalgji”, e cila mbetet ashtu e gjallë vit pas viti. Dhe gjithçka e thënë në këtë përshkrim, nis dhe mbyllet me fjalën “Noti shqiptar”.