Roma futet fuqishëm në garë për Hysajn, trajneri i ri është i “fiksuar” pas tij

580
Sigal

Elseid Hysaj është një hap larg shitjes. Mbrojtësi i kombëtares ka përfunduar në merkato, teksa gjatë sezonit të fundit u duk qartë që marrëdhëniet mes tij dhe klubit të Napolit ishin drejt mbylljes.

Mes pretendentëve për të siguruar shërbimet e tij është edhe Roma. Sipas asaj që shkruan “Corriere dello Sport”, trajneri i ri, Fonseca, mund të luajë një rol të rëndësishëm. Strategu portugez i pëlqen shumë mbrojtësi i kombëtares sonë, pasi e ka ndjekur nga pranë në sfidën Napoli-Shakhtar, në Champions League.

Verdhekuqtë do të nisin negociatat me agjentin e lojtarit, Mario Giuffredi, për të folur edhe për Veretout. Roma kërkon që të blejë të dy futbollistët, duke parë që së fundmi ka arritur një marrëveshje për shitjen e Manolas te Napoli. Për Hysajn ka shfaqur interes të fortë edhe Atletico Madrid, por mungon ende një përgjigje zyrtare nga klubi i Napolit.