Roland Avrami: “Shqipëria është rritur jo vetëm në centimetra”

212

Trajneri i Kombëtares së Basketbollit flet para ndeshjeve eliminatore “Eurobasket 2013”: “Nuk kemi më frikë nga rivalët”

Roland Avrami, një kampion i shumëfishtë si trajner me Tiranën, është caktuar sërish në detyrën e trajnerit të Kombëtares së basketbollit për meshkuj. Për të kjo do të jetë hera e tretë në këtë detyrë, pasi më parë e ka drejtuar përfaqësuesen në periudhën 2003-2004 dhe 2006-2009. Është “Mjeshtri i Sportit”, Avrami, ai që ka arritur dhe dy fitoret e fundit në ndeshjet zyrtare, pikërisht në kualifikueset e Eurobasket 2010, kur Shqipëria fitoi me Qipron dhe Zvicrën, një tjetër fitore e bujshme e tij është dhe ajo ndaj Serbisë, në Lojërat Mesdhetare “Pescara 2009”. Në muajin gusht nisin eliminatoret e Eurobasket 2013, ku Shqipëria ndodhet në grupin E, së bashku edhe me Belgjikën, Poloninë, Finlandën dhe Zvicrën. Gazeta “Telegraf” bisedoi me trajnerin e njohur, në lidhje me objektivat e Kombëtares, problematikën e basketbollit shqiptar, por dhe për yjet e sotme të skuadrës.

 Zoti Avrami, riktheheni për herë të tretë në drejtimin e ekipit Kombëtar të basketbollit, pas dy eksperiencave të para, 2002-2004 dhe 2006-2009. Sa i motivuar jeni në këtë rifillim?

Shumë. Mendoj se, ishte e nevojshme, pasi në programin tim për ekipin Kombëtar, janë përfshirë disa lojtarë, të cilët i kam rritur si basketbollistë. Kanë qenë dhe janë pjesë e përfaqësueses, dhe menaxhimi i tyre, besoj se do të jetë shumë më i mirë nga ana ime, se nga ndonjë tjetër. Dua të sqaroj se, kur paraardhësi im, Fatmir Cuka, mori skuadrën unë isha drejtori teknik. Ndërtuam një strategji të re dhe synuam ndërtimi e një skuadre kompetitive. Trajnerët e rinj që vijnë kanë më shumë pretendime se sa punë. Ndryshimi im nga paraardhësit, ka të bëjë jo vetëm me përkushtimin, por dhe me faktin se unë kam pak më të dhimbshme realitetin e basketbollit shqiptar. Jetoj me të çdo ditë. E shoh me të mirat dhe të këqijat që ka. Në këto kushte, unë mendoj se jam trajneri i duhur.

Dy trajnerët e fundit të Kombëtares së basketbollit, në periudhën 2009-2012, ishin Mark Dikel ishte nga Zelanda e Re, ndërkohë që Fatmir Cuka jeton prej shumë vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sa ka ndikuar për mirë, apo për keq në ekipin përfaqësuese?

Këtë nuk mund ta them. Unë vetë kam qenë partizani i ardhjes së tyre, gjithmonë me bindjen se do të sillnin një përvojë dhe mentalitet të ri. Kam qenë pjesë e kësaj strategjie, kam ndjekur ndeshjet e tyre dhe në përgjithësi kam mbetur i kënaqur. Gjithsesi, sporti matet me rezultate. Nuk patëm rezultatet e duhura. Federata Shqiptare e Basketbollit mendoi se, trajnerët që punojnë në vend kanë më shumë dhimbje për basketbollin, bëjnë më shumë sakrifica dhe i njohin më në thellësi problemet e atij sporti. Duke qenë pjesë e basketbollit shqiptar, apo Federatës, pasi unë kam qenë drejtor teknik, në kohën e Darekut dhe Cukës, mendoj se është koha për një rifillim të ri.

Dy fitoret e fundit në ndeshjet zyrtare të ekipit Kombëtar të basketbollit, janë arritur në vitin 2009, ato me Qipron (69-63) në Tiranë (13 shtator 2008) dhe me Zvicrën (76-73), në Korçë (15 gusht 2009), pikërisht kur ishit ju në bankinë. Sa ju frymëzojnë ato?

Po, është e vërtetë. Ende më japin kënaqësi ato dy ndeshje, me të vërtetë të bukura. Dua të kujtoj edhe një fakt, që ka të bëjë me Lojërat e 16-ta Mesdhetare të Peskarës, të zhvilluar në Itali, por në vitin 2009. Vërtet humbëm më Italinë, Turqinë, Kroacinë, apo Malin e Zi, por fituam me Serbinë 83-69 (1 korrik 2009, në Teramo), dhe zumë për herë të parë vendin e gjashtë. Dhe e dini, trajneri dhe stafi serb u shkarkuan. Ndërsa në Beograd u mblodh parlamenti për ta trajtuar atë si problem, më vjen keq ta them, por tek ne u shkrua shumë pak për atë fitore. Ne mundëm Zvicrën, por që kishte në gjirin e saj, një basketbollist profesionist i një niveli shumë të lartë, Tabo Stefaloshën, që luan në NBA-në amerikane, me Oklahoma City Thunder, dhe që këtë vit doli në finale, ku humbi me Miami Heat. Vetëm vlera e tij si lojtar ishte shumë herë më e madhe se i gjithë ekipi ynë. Më shumë shkruhet për rezultatet negative, dhe u bëhet shumë pak jehonë atyre pozitive.

Shqipëria do të marrë pjesë në eliminatoret e Eurobasket 2013. Cila është gjendja e basketbollit tonë?

Basketbolli unë po kalon një moment problematik, objektiv apo subjektiv, kjo varet këndvështrimi i secilit, por besoj se, me caktimin tim si trajner është bërë zgjedhja e duhur. E pranova detyrën për një arsye të thjeshtë. Në këtë moment skuadrat tona kundërshtare janë më të mira dhe kanë një nivel më të lartë se vitin e kaluar. Dua ta theksoj se, për herë të parë eliminatoret e Eurobasketit nuk do të jenë të ndara në dy divizione, A dhe B, por do të jenë në një nivel. Ne ndodhemi në grupin E, dhe kemi kundërshtarë, skuadra të nivelit të lartë, si Polonia, Belgjika, Finlanda apo Zvicra. Personalisht, mendoj se, nuk duhet të trembemi e t’i marrim me frikë. Niveli i basketbollit tonë është rritur dhe e kemi vërtetuar se, kundër skuadrave të mëdha kemi bërë ndeshje të mira. Ne do të mbledhim lojtarët më të mirë që kemi në qarkullim, si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Grumbullimi do të fillojë ditën e hënë, ndërkohë që Ermal Kuqo, për shkak të disa problemeve shëndetësore na ka premtuar se do të vijë, më 1 gusht.

Çdo periudhë ka nxjerrë yjet e dikurshëm të basketbollit. Cilët janë të sotmit?

Po ka djem të talentuar. Një i tillë është Ermal Kuqo, një nga basketbollistët më të mirë të gjitha kohërave. Të luash në Euroligë është një arritje e madhe. Një tjetër lojtar që po bën emër është Klaudio Ndoja, i cili po bën emër në Itali. Është kapiten i skuadrës së tij, Brindizit, që luan në Legadue. Të tjerë janë Daliu, Karaj, Hysenagolli, Shima, Aliaj, Bushati. Janë një bazë e mirë për rezultatet pozitive. Kemi një mesatare shtatlartësie që është e niveleve europiane, mbi 1.97 m, kemi një përqindje realizimi të mirë.  Duhet të krijojmë besim dhe mentalitet. Në vështrimin tim, është më mirë që luajmë kundër skuadrave të forta, pasi fitojmë më shumë eksperiencë.

 Cili është?

 Roland Avrami, 63 vjeç, ka luajtur si sportist me Tiranën, për një periudhë 14-vjeçare (1967-1980), ka fituar kampionatin në sezonin 1970-1971, si dhe tri herë Kupën e Republikës (1971, 1973 dhe 1977). Si trajner i Tiranës (femra) ka dalë dy herë kampion (1997-1988 dhe 1988-1999). Me meshkujt ka dalë gjashtë herë kampion: 1998-1999, 2007–2008, 2008-2009, 2009- 2010, 2010-2011 dhe 2011-2012, pra pesë herë rresht në vitet e fundit. Avrami ka fituar gjashtë herë Kupën e Shqipërisë: 2002, 2007, 2008, 2009, 2010 dhe 2012. Është fitues i Superkupës për meshkuj, po gjashtë herë: 2003, 2008, 2009, 2010, 2011,  2012. Në vitet 2011 dhe 2012 ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm. Në periudhën 2003-2004, 2006-2009 dhe tani nga korriku i vitit 2012 e në vazhdim është trajneri i ekipit Kombëtar i basketbollit për meshkuj. Mban titullin “Mjeshtër Sporti” (1977), “Nderi i Sportit Shqiptar” (1999) dhe është nderuar me “Medaljen e Artë, për merita të shquara në sport” (1999). Aktualisht është trajner i ekipit të Tiranës, në basketboll për meshkuj.

 + + +

 Më të dobëtit në rajon

 Shqipëria ndodhet në një rajon me një basketboll shumë të zhvilluar të fqinjëve, si Greqia apo Serbia, kampione të Europës, por dhe vende të tjera, si Mali i Zi dhe Maqedonia, të cilat së fundi kanë njohur një zhvillim të shpejtë pozitiv. Përse vendi ynë ka një basketboll kaq të vonuar? Avrami shpjegon arsyet: “Të jemi të sinqertë, vendet fqinje janë në elitën e basketbollit shqiptar. Mali i Zi, një shtet me vetëm 600 mijë banorë ka një basketboll shumë cilësor për t’u lavdëruar, po ashtu Maqedonia. Ndërkohë që Greqia, Italia, Serbia, Kroacia apo Turqia, janë superfuqi në basketbollin europian dhe botëror. Kanë bërë investime të mëdha, që për ne janë të paimagjinueshme. Buxheti i basketbollit tonë është shumë i vogël në krahasim me miliona euro që shpenzojnë ata. Duhet një mbështetje e madhe nga shteti. Ai nuk duhet të qëndrojë larg basketbollit. Duhet të tregojnë më shumë dashuri për këtë lojë dhe të investojë. Për momentin ka filluar të gjallërohet basketbolli i shkollave, por i gjithë komuniteti të investojë për masivizimin e tij”.

 + + +

 EUROBASKET 2013

 ELIMINATORET, GRUPI E

 Ekipet: Belgjika, Polonia, Finlanda, Shqipëria dhe Zvicra

Ndeshjet e Shqipërisë

 15.08.2012 Shqipëri-Zvicër      (20:30)

17.08.2012 Finlandë-Shqipëri    (19:00)

24.08.2012 Shqipëri-Poloni      (20:30)

27.08.2012 Belgjikë-Shqipëri    (20:30)

30.08.2012 Zvicër-Shqipëri      (20:00)

02.09.2012 Shqipëri-Finlandë    (20:30)

08.09.2012 Poloni-Shqipëri      (20:15)

11.09.2012 Shqipëri-Belgjikë    (20:30)

Vlonjatët dhe durrsakët eliminohen nga Liga e Europës pa treguar asnjë vlerë futbollistike

 Honvedi “shtyp” Flamurtarin,Metalurgi “përdhunon” Teutën

 Flamurtari nuk arriti të bëjë përmbysjen e madhe, duke humbur 2-0 me Honvedin në Budapest dhe eliminuar nga Liga e Europës, me rezultatin e përgjithshëm 3-0, duke pasur një largim dhe jo aq të dhimbshëm sa Teuta, që u turpërua në Gjerogji. Vlonjatët luajtën me tre sulmues të pastër, të mbështetur nga një mesfushë e fuqishme, por nuk mundën të shënonin simbolik. Flamurtari nuk do ta harrojë kurrë emrin e Riçard Vernesit, pasi ishte sulmuesi hungarez i Honvedit të Budapestit, ai që i eliminoi nga edicioni 2012-2013 i Ligës së Europës. Vernes shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 të Honvedit, në ndeshjen e parë të zhvilluar në Vlorë, pikërisht sa filloi pjesa e dytë, ndërkohë që në takimin e Budapestit, ishte po Vernesi që realizoi, por kësaj radhe në minutën e dytë shtesë të pjesë së parë. Mesfushori kamerunas, Tchami-Ngangoue, me golin e tij të minutës së 57-të u dha fund shpresave për përmbysje të vlonjatëve. Pas humbjes 3-0 në “Niko Dovana” një javë më parë, Teuta pësoi një tjetër akoma më të thellë 6-1 në “Mikheil Meskhi” të  Tbilisit, përballë gjeorgjianëve të Metalurgi Rustavit, duke pësuar nëntë gola në 180 minuta, dhe u eliminuar me turp nga Liga e Europës. Në fakt, “turp”, mund ta quajnë vetëm mediat, pasi të tjera llogari vlejnë sot në botën e futbollit komercial. Për herë të fundit, Teuta kishte humbur me gjashtë gola të pësuar në transfertë, në sezonin 2007-2008 të Kupës UEFA, kur humbi 6-2 me kroatët e Slaven Belupos. Teuta mbërriti në Gjeorgji me deficitin e tre golave të pësuar në shtëpi dhe thuajse pa asnjë shpresë për të kaluar në turin e dytë, ndërkohë që shkatërrimi i durrsakëve nisi në minutën e 14-të, kur mesfushori 21-vjeçar Giorgi Tekturmanidze shënoi në portën e Rizvanit. Po ky lojtar dyfishoi shifrat në minutën e 19-të, për t’ia lënë radhën sulmuesit 28-vjeçar Dimitri Tatanashvili të realizojë golin e tretën në të 37’ dhe mbyllur dhe pjesën e parë. Me rezultatin e përgjithshëm 6-0, Metalurgi kreu dy zëvendësime më fillimn e pjesës së dytë, duke hedhur në fushë dy lojtarë të rin, 22-vjeçarin Gavashelishvili dhe 23-vjeçarin Giorgi Katvaradze, për t’u dhënë dhe atyre mundësi të shënojnë në portën durrsake. Edhe trajneri Hasan Lika ndërhyri në formacion, duke larguar Veliaj, Nikën dhe Dostin, për Altin Hoxhën, kosovarin Pajaziti dhe veteranin Devollit. Gjithsesi, situata nuk ndryshoi. Metalurgi realizoi golin e katërt në minutën e 59-të, me anë të Revaz Getsadzes, përpara se 19-vjeçari Alfred Deliallisi të shënontë golin e nderit për Teutën në të 65’, pas një shërbimi të Bledar Mancakut. Pas katër minutash, 69’, Tanashvali e çoi në 5-1 rezultatin, dhe pas katërt të tjerash, Giorgi Mikaberidze fiksoi shifrat përfundimtare 6-1. Me rezultatin e përgjithshëm negativ 1-9, Teuta i dha fund me turp paraqitjes së saj pas pesë vitesh mungesë në Europë, por humbja katastrofike në Tbilisi, pa dyshim i ka bërë disa të lumtur. Tashmë, i vetmi ekip shqiptar që merr pjesë në Ligën e Europës është Tirana, që nga ana e saj do të ndeshet në turin e dytë eliminator me norvegjezët e Alesundit. Në kompeticionet europiane merr pjesë dhe Skënderbeu, që do të përballet me hungarezët e Debrecenit, në turin e dytë të Ligës së Kampioneve (takimi i parë, më 17 korrik në Korçë).

“Londër 2012”, olimpistët shqiptarë marrin flamurin

 Dje, në orën 20:30 në Hotel “Rogner” u zhvillua ceremonia “Gala” e dorëzimit të flamurit kombëtar, delegacionit olimpik shqiptar, që do të marrë pjesë në Lojërat e 30-ta Olimpike “Londër 2012”. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, ia dorëzoi flamurin peshëngritëses Romela Begaj. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe ministri i Sportivet të Kosovës, Memli Krasniqi. Vendi ynë do të përfaqësohet me 11 sportistë, që përfaqësojnë pesë lloje të ndryshme sporti. Kështu, nga peshëngritja do të marrin pjesë pesë sportistë, katër meshkuj dhe një femër, pra do të jenë Daniel Godelli, Hysen Pulaku, Briken Calja, Endri Karina si dhe Romela Begaj. Noti shqiptar do të përfaqësohet me Sidni Hoxhën dhe Noel Borshin. Kosovarja Majlinda Kelmendi do të garojnë në disiplinën e xhudos. Qitja përfaqësohet me Arben Kuçanën; ndërsa atletika me hedhësin e gjyles, Adriatik Hoxha dhe Klodiana Shalën, kjo e fundit do ta ketë për herë të katërt pjesëmarrjen e saj,