Rindizen motorët e Superligës

449
Sigal

Kategoria Superiore rikthehet sot me tri ndeshjet e javës së 17-të. Spikat Partizani-Kukësi

Me tri ndeshjet e javës së 17-të: Besa-Laçi (14:00), Kastrioti-Tirana (14:00) dhe Partizani-Kukësi (17:00), do të nisë sot pjesa e dytë e Kategorisë Superiore, e ndalur qysh nga 22 dhjetori i vitit të kaluar (java e 16-të). Skuadrat vijnë në këto ballafaqime pasi kanë kryer fazat përgatitore intensive, kryesisht në Turqi (Partizani, Kukësi, Flamurtari, Teuta), apo në Portugali (Skënderbeu) dhe Spanjë (Laçi, Skënderbeu). Kështu, Partizani dhe Kukësi, dy skuadrat pretendente për të rivalizuar Skënderbeun që e mbylli vitin në vendin e parë, do të ndeshen të Shtunën në orën 17:00 në “Qemal Stafa”. Dy skuadrat që kanë zhvilluar një merkato agresive këtë dimër, do të kërkojnë fitoren. Miqtë që vijnë me petkun e nënkampionëve kanë eksperiencën e duhur për të sfiduar të kuqtë që deri në këto momente po zhvillojnë një sezon mbresëlënës por me vetëm 1 pikë diferencë në klasifikim ndaj skuadrës veriore. Një ndeshje e gjitha për t’u shijuar sepse Partizani dhe Kukësi janë dy skuadrat e vetme që kanë munduar të hedhin kandidaturën për të thyer hegjemoninë disavjeçare të korçarëve në kampionat. Po të Shtunën, Tirana ka një test delikat me Kastriotin në Krujë. Skuadra e Gugash Maganit kërkon ta nisë këtë vit me këmbën e mbarë pasi një fitore jo vetëm që do të rikthente shpresën për mbijetesë, por do të shtonte shumë edhe moralin në kampin bardheblu që është forcuar me disa elementë cilësorë gjatë merkatos. Tirana, 8 ndeshje pa fituar, e fundit me Bylis, 1-0, më 20 tetor 2013. Gjithsesi, në fazën e parë ishte Tirana e drejtuar asokohe nga Nevil Dede, ajo që doli fituese. Nga ana tjetër qëndron Kastrioti që këtë sezon po kalon momente të vështira pasi ndodhet në vendin e parafundit me vetëm 4 pikë më shumë se bardheblutë. Po të shtunën do të luhet edhe ndeshja Besa-Laçi ku kavajasit kanë mundësinë të sigurojnë pikë të rëndësishme për të qëndruar sa më larg zonës së ftohtë. Skuadra kavajase e mbylli pjesën e parë të sezonit me disa rezultate pozitive duke fituar terren në klasifikim dhe tani e shikon veten në vendin e 9-të me 21 pikë po aq sa Vllaznia, prandaj sfida kundër Laçit, për trajnerin Artan Mërgjyshi është jetike. Tekniku kryeqytetas shton se grupi është i plotë dhe pikëpyetja e vetme mbetet sulmuesi kryesor Fatjon Sefa, i cili vuan nga një problem fizik. Besa ka riparuar disa boshllëqe dhe trajneri shprehet i kënaqur nga lëvizjet e shoqërisë në këtë dritare merkatoje.

Sfidat e së dielës

 Të dielën është radha e kampionëve të Shqipërisë që presin në stadiumin “Skënderbeu”, Vllazninë. Dukshëm të favorizuar në këtë përballje, djemtë e Mirel Josës. Skënderbeu kryeson kampionatin me shtatë pikë më shumë se ndjekësi i tij më i afërt, Partizani. Vllaznia, e cila e mbylli vitin 2013 me disa rezultate negative, nuk arrin të gjejë formulën fituese edhe pse shkodranët janë në gjendje të dhurojnë përherë surpriza në fusha të vështira. Në fazën e parë, Skënderbeu fitoi 3-1 në “Loro Boriçi”. Kalendari i javës së 17-të plotësohet edhe me dy sfida të tjera pasi Bylis pret Flamurtarin në Ballsh (në fazën e parë ndeshja u mbyll në barazim 2-2), ndërsa Teuta e Sorrentinos sfidon Lushnjën në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ndërkohë që takimi në “Roza Haxhiu” përfundoi në barazim 1-1.

KATEGORIA SUPERIORE

Java XVII

1 shkurt 2014

Besa-Laçi                   14:00

Kastrioti-Tirana         14:00

Partizani-Kukësi        17:00

2 shkurt 2014

Bylis-Flamurtari        13:00

Skënderbeu-Vllaznia 13:00

Teuta-Lushnja           17:00

RENDITJA

1     Skënderbeu         16   +12 33

2     Partizani             16   +3   26

3     Laçi                     16   +3   25

4     Kukësi         16   +1   25

5     Flamurtari           16   +4   24

6     Teuta                  16   +0   24

7     Besa                    16   -3    21

8     Vllaznia       16   +1   21

9     Bylis                   16   +2   21

10   Lushnja        16   -6    18

11   Kastrioti             16   -6    16

12   Tirana          16   -11  12

– Flamurtarit i janë zbritur tri pikë nga Komisioni i Disiplinës

Teuta, me tre sulmues ndaj Lushnjës

Teuta thuajse e rindërtoi skuadrën nga e para, teksa presidenca blu shpenzoi jo pak për të sjellë 11 lojtarë të rinj. “Djemtë e Detit” dëshirojnë ta nisin sa më mirë pjesën e mbetur të sezonit, me objektivin për të marrë pjesë në Ligën e Europës, dhe  pritshmëritë e trajnerit Roberto Sorrentiono janë të mëdha pasi ekipi është stërvitur intensivisht edhe në Antalia. Teuta do të ketë Rizvanin në portë. Mbrojtja mbetet e palëvizshme, Jakupi dhe Osmani në qendër, në të majtë Da Silva dhe në të majtë Idrizaj. Ndërsa mesfusha përbëhej nga Batha, Dosti dhe Shala, të cilët do të jenë dhe furnizuesit e treshes së sulmit Xhafaj, Joel e Samb.

“Ne jemi stërvitur seriozisht edhe në Antalia sepse siç e kam thënë disa ditë më parë për ne nuk ishin pushime por fazë përgatitore me dy seanca stërvitore në ditë por edhe me një test stërvitor përpara ndeshjeve. Merkatoja tani u mbyll dhe jemi të bindur se kemi bërë blerjet e duhura. Faza e dytë është shumë e rëndësishme për ne dhe shpresoj të rikuperojmë disa pozicione. Shpresoj që dëshirën që kanë treguar djemtë në Turqi, ta përcjellin edhe këtu në Shqipëri”, – tha tekniku Sorrentino, italiani i katërt që drejton një klub në Shqipëri. Të dielën, Teuta do të luajë me Lushnjë në “Niko Dovana” dhe të gjithë presin fitoren. “Roberto Sorrentiono: Për ne janë të gjitha ndeshjet të vështira sepse kundërshtarët impenjohen shumë kur luajnë me Teutën. Ne i respektojmë të gjithë por nuk kemi frikë askënd. Erdhi momenti të luajmë çdo ndeshje dhe në fund të kampionatit do të shohim nëse kemi qenë të zotët dhe me pak fat për të zënë një vend komod në renditje që do të na lejojë të marrim pjesë në evenimente të rëndësishme”, – tha italiani 59-vjeçari, i cili pasoi në bankinë Gugash Maganin.

 Lika: “Synojmë titullin”

 Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, ka tashmë një grup të kompletuar me lojtarë, madje nga dy për çdo pozicion loje. Para ndeshjes me Kukësin, njëshi i bankinës së kuqe u shpreh për mediat: “Minifaza përgatitore na ka shërbyer mjaftueshëm për të përmirësuar gjendjen fizike të skuadrës . Njëkohësisht edhe lojtarët e afruar së fundmi kanë rritur së tepërmi konkurrencën e grupit dhe në pjesën e mbetur të kampionatit besojmë se do të shfaqemi më kompetitiv. Të shtunën përballë kemi Kukësin një kundërshtar që meriton vlerësimin maksimal. Nuk mund të pajtohemi me asnjë rezultat tjetër veçse fitores pasi luajmë në “Qemal Stafa” dhe do të shfrytëzojmë faktorin fushë . Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë që do të hasim në gjysmën e dytë të kampionatit, por besojmë së do të arrijmë të realizojmë objektivat e fillim sezonit dhe njëkohësisht pse jo të synojmë edhe titullin pavarësisht diferencës prej 7 pikësh nga kryesuesit e Skënderbeut”, – tha Lika.