Rikthehet Superliga me kryendeshjen, Flamurtari – Partizani

497
Sigal

Kampionati shqiptar do të rikthehet në fushat e blerta këtë fundjavë pas pauzës së kombëtareve. Java e 14 e superligës nis sot me përballjen mes Flamurtarit dhe Partizanit në orën 18:00. Sfida e kësaj jave e gjen Partizanin në krye të superiores me 31 pikë të grumbulluara në 13 javët e para. Sezoni aktual po rezulton tepër pozitiv për “demat e kuq” dhe një fitore në ndeshjen e sotme përballë një kundërshtari të fortë si Flamurtari, do t’i jepte një shtysë të madhe synimit të Partizanit për fitimin e titullit kampion. Pushimi dy javor i ka shërbyer për mirë trajnerit Gega, jo vetëm për të rikuperuar ata lojtarë që kishin shfaqur shqetësime, por edhe në aspektin fizik, duke qenë se vetë trajneri e ka pranuar më herët, se disa lojtarë kanë shfaqur shenja lodhjeje. Nga ana tjetër skuadra vlonjate, edhe pse kanë kaluar më shumë se çereku i ndeshjeve të këtij sezoni, ende nuk ka arritur të gjejë një identitet të sajin këtë vit. Skuadra e Ilir Dajës ka pasur luhatje të shumta gjatë këtyre 13 javëve të para, duke mos arritur të mbajë hapin e kryesuesve dhe momentalisht renditet e 6-ta me 19 pikë, 12 më pak se rivalët e sotshëm. Ilir Daja vjen në këtë takim me shpresën se ndalesa e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares, i ka bërë mirë lojtarëve të tij dhe një fitore në përballjen e sotme mund të shërbejë si një pikë kthese për sezonin e vlonjatëve.

Mungesa të rëndësishme tek të dyja skuadrat

Partizani u ka dhënë fund përgatitjeve në prag të sfidës kundër Flamurtarit në Vlorë. Në stërvitjen që i parapriu përballjes me kuqezinjtë, trajneri Skënder Gega u përqendrua kryesisht tek loja nga krahët, me ushtrime që favorizojnë krosimet dhe pasimet drejt zonës. Mungesa kryesore e demave do të jetë ajo e Alban Hoxhës, pasi kapiteni nuk ishte i pranishëm në seancën stërvitore dhe po vijon terapinë nën kujdesin e mjekëve. Ky është i vetmi problem për trajnerin Gega, teksa pjesa tjetër e skuadrës është e plotë. Ndërsa në kampin e Flamurtarit, problemi më i madh për Dajën është braziliani Danilo Alvesh. Sulmuesi po vuan nga një dëmtim në fijet muskulore dhe gjasat janë që 27-vjeçari të mungojë në sfidën e sotme. Një goditje aspak për t’u nënvlerësuar duke qenë se Alvesh konsiderohet si një prej lojtarëve me më shumë peshë në repartin sulmues. Siljanovski është i pezulluar, dhe në vend të tij mund të aktivizohet njëri mes Deliaj ose Beqaj. Lajmi i mirë për trajnerin Daja rikthimi i Kale, të cilin e ka cilësuar si një blerje të re dhe mjaft të rëndësishme në këtë periudhë.

Statistikat favorizojnë Partizanin

Përballja e së premtes do të jetë e 140-ta në histori mes dy klubeve. Shifrat, jo vetëm të këtij sezoni, por edhe të së shkuarës janë në favor të Partizanit. Të kuqtë janë superiorë ndaj vlonjatëve në 139 ndeshjet e luajtura deri tani, pasi kanë fituar 75 ndeshje, humbur 24 dhe 40 të tjera janë mbyllur në barazim. Golavarazhi është 226-109 për kryeqytetasit.