Rikthehet rivaliteti në Superiore, çdo gjë gati për “duelet” e vitit  

466
Sigal

Nesër rikthehet përsëri Superliga, e këtë javë ndeshjet janë më të forta se asnjëherë, pasi do të luajnë skuadra që rivalizojnë drejtpërdrejtë për titull dhe që kanë treguar potencial të vazhdueshëm në lojën e tyre. Kupa e Shqipërisë që ishte në mesjavë, tregoi edhe një herë se skuadrat e mëdha ruhen në këto ndeshje, e kjo u vërtetua në fakt edhe nga skuadrat e Skënderbeut e të Partizanit, që do të ndeshen këtë të shtunë në Korçë. Si korçarët ashtu edhe tiranasit zgjodhën që të luanin më një formacion të dytë, edhe për të lënë pushim futbollistët kryesor por edhe për të mos rrezikuar ndonjë dëmtim të mundshëm gjatë ndeshjeve. Ky takim, mes këtyre dy skuadrave pritet nga të gjithë si pika kyçe e kampionatit, ku në rast fitoreje të secilës, renditja do të pësonte shumë ndryshime. Skënderbeu, si skuadër pritëse do të ketë përballë ekipin me mbrojtjen më të mirë në kampionat, ku në 11 ndeshje ka pësuar vetëm dy gola, por gjithashtu është një skuadër që ka një pabarazi mes mbrojtjes dhe sulmit, pasi ka arritur të shënojë vetëm 10 gola, e nga të gjitha skuadrat që ndodhen në fillim të renditjes, është ekipi që ka shënuar më pak. Ndërkohë, Skënderbeu ka arritur një nivel shumë të mirë loje, pasi në fillim të sezonin nuk ishin një skuadër bindëse për fitimin e titullit. Forma që kanë arritur tani, i bën përsëri një skuadër pretendente për të ruajtur “kurorën” e më të mirit në fundin e sezonit, ashtu siç kanë bërë katër vitet e shkuara. Diferenca me vetëm 3 pikë në mes këtyre dy skuadrave e rrit akoma edhe më shumë pritshmërinë për këtë ndeshje, ku në qoftë se fitojnë “të kuqtë”, e vendosin edhe më bindshëm veten në statusin e triumfuesit në fund të sezonit, ndërsa në rast fitoreje të “ujqërve të dëborës” arritja e po të njëjtit synim do të ishte shumë më afër se ç’ ishte në fillim të sezonit. Nga ana tjetër, po në këtë ditë dhe në po të njëjtin orar kemi edhe një përballje tjetër mjaft interesante, siç është ajo mes Tirana – Vllaznia, një ndeshje që luhet në kampe të ndryshme nga të dyja skuadrat, Tirana luan për kreun dhe Vllaznia luan për mbijetesë. Situatat që ndodhen në këtë ndeshje gjatë fazës së parë, ku u shfaq në mënyrë të shëmtuar dhuna në mes tifozëve, duket se është lënë pas, të paktën nga futbollistët që ashtu si gjithmonë këtë ndeshje e shikojnë vetëm në kontekstin sportiv dhe rivalizues duke shmangur çdo gjë tjetër jashtë këtij sporti. Në këtë takim, përqendrimi do të jetë maksimal i të dyja skuadrave, ku sidomos Tirana do të kërkojë fitoren në mënyrë që të mos humbasë gjurmët e Partizanit, dhe të rrijë gjithmonë në të njëjtin nivel për titull. Nga kampi tjetër, Vllaznia kërkon një pikë kthese në kampionat ku e sheh veten me 5 humbje rresht dhe në një situatë shumë të rëndë ku në qoftë se nuk fillojnë të grumbullojnë pikë, rrezikojnë seriozisht të bien nga kategoria. Kjo ndeshje, sigurisht që përcillet gjithmonë me emocion pasi jo më kot cilësohet edhe “derbi” i Shqipërisë pasi janë ndarë shumë tituj në mes këtyre dy skuadrave, ndërkohë që luhej edhe futboll i bukur. Ndeshja tjetër e ditës së shtunë është në mes Teutës dhe Elbasanit, takim ky që duket i vendosur dhe i duket fundi para se të fillojë, pasi është vetë forma e dobët e Elbasanit që ta imponon këtë, ku në 11 ndeshje ka arritur vetëm një fitore ndaj Apolonisë, ndërsa Teuta po bën çdo ditë e më mirë, duke u shfaqur bindshëm si një skuadër që është e saktë në ekzekutimin e skemave, dhe shfaq pas çdo ndeshjeje një lojë edhe më të bukur. Në fakt këto dy skuadra vijnë pas dy humbjesh në Kupë, ku durrsakët humben ndaj Apolonisë 2-1, ndërsa elbasanasit humben në shtëpi ndaj Laçit, 2-3, rezultate këto që duke nxitëse vetëm për Teutën pasi Elbasani duket të jetë ambientuar me shijen që të lë humbja pas çdo ndeshjeje. Ndeshjet e ditës së diel fillojnë me takimin e orës 13:00 mes Kukësit dhe Laçit ku kuksianët e kanë për detyrë të fitojnë këtë ndeshje ndaj skuadrës së ish-trajnerit të tyre Cungu pasi vetëm kështu mund t’ia dalin që të qëndrojnë në të njëjtin ritëm me skuadrat e tjera rivale. Kjo ndeshje nuk do të jetë shumë e lehtë për kuksianët pasi përballë do të kenë Laçin që është shfaqur si një skuadër shumë e fortë këtë kampionat, edhe pse në dy takimet e fundit, ndaj Partizanit dhe Skënderbeut, nuk ia doli të merrte pikë duke humbur kështu avantazhin që kishte krijuar më parë. Gjithsesi kjo ndeshje paraqet vështirësi për të dyja skuadrat, por vendasit duke më të avantazhuar që të marrin një fitore, për të mbetur përsëri në “ëndrrën” kryesim. Ndeshja e fundit e ditës është në mes Apolonisë dhe Flamurtarit në Fier, në ora 16:00, ndeshje që nuk ka asnjë favorit, me Apoloninë që e shfaqi edhe një herë veten si skuadër fushe, në ndeshjen e Kupës ku mundi Teutën dhe me Flamurtarin që ndodhet në një gjendje ndryshimi rrënjësor, që nga trajneri e deri tek stafi teknik. Apolonia në fakt ka treguar se di të jetë një skuadër që sjell probleme për kundërshtarët, sidomos në shtëpi, ndërsa Flamurtari po kalon një periudhë “mpirjeje” duke mos arritur të shkojë drejtë rezultateve pozitive. Në rast të një fitoreje, Flamurtari do të shkonte në 17 pikë, por përsëri jo aq afër sa të ndiqte nga afër skuadrat që qëndrojnë më lart në renditje.

Ndeshjet e ditës së shtunë

Teuta 14:00 Elbasani

Tirana 17:00 Vllaznia

Skënderbeu 17:00 Partizani

Ndeshjet e ditës së diele

Kukësi 13:00 Laçi

Apolonia 16:00 Flamurtari

  Skuadra Nd F B H GSH GP P
1 Partizani 11 7 3 1 10 2 24
2 Tirana 11 6 4 1 14 5 22
3 Kukësi 11 7 1 3 14 8 22
4 Skënderbeu 11 6 3 2 12 4 21
5 Laçi 11 4 4 3 12 9 16
6 Flamurtari 11 3 5 3 9 7 14
7 Teuta 11 4 1 6 11 10 13
8 Vllaznia 11 3 2 6 8 14 8
9 Apolonia 11 2 1 8 3 18 7
10 Elbasani 11 1 0 10 4 20 3

Risi në futbollin shqiptar, Partizani me mbrojtjen më të mirë në Europë

Sipas statistikave të grumbulluara në të gjitha kampionatet e Europës, kryesuesja e Kampionatit tonë, Partizani rezulton si skuadra me mbrojtjen më të mirë në Europë, me 2 gola të shënuar në 11 ndeshje të luajtura. Pavarësisht se niveli i futbollit tonë nuk është i njëjtë me nivelin e kampionateve të tjera, përsëri ky është një tregues i qartë që edhe pse jo në nivele jashtëzakonisht të larta, futbolli ynë po funksionon si duhet. Në renditjen e bërë, Partizani ka lënë pas skuadra europiane si APOEL, Bajern i Mynihut, Porto etj por gjithashtu ka lënë pas në renditje edhe kundërshtaren e kësaj jave në kampionat, Skënderbeun, që ndodhet në vendin e 6-ë me 4 gola të pësuar në 11 ndeshje. Mbetet për tu parë tani nëse Partizani do ia dali të jetë kryesuese edhe në kampionat edhe në këtë renditja pas ndeshjes së nesërme ndaj Skënderbeut.

Kategoria e Parë/ Luftë në distancë nga kryesueset, Lushnja gati për “sulm”

 Rikthehet futbolli edhe në Kategorinë e Parë, me të gjitha ndeshjet që do të zhvillohen ditën e nesërme në ora 14:00. Në fakt edhe këtu shumë pak kohë kanë pasur skuadrat e të dyja grupeve për tu rikuperuar fizikisht pas ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë, ku kujtojmë që kanë qenë vetëm 6 skuadra që janë kualifikuar në fazën e dytë, por asnjëra nuk ja ka dalë të fitojë ndaj skuadrave të Superligës, me vetëm Tërbunin që “krenoi” Kategorinë e Parë me atë barazim që mori ndaj Skënderbeut. Këtë javë në fakt priten përsëri përballje të forta, me Besa – Besëlidhja që ndeshen së bashku në Kavajë. Pavarësisht se deri më tani, Besa nuk ka treguar aspak rrezikshmëri si skuadër, duke marrë vetëm katër barazime dhe një humbje javën që shkoi, nuk përjashtohet mundësia që ndaj lezhjanëve të arrijnë fitoren e parë këtë sezon. Kryesuesit e kampionatit, Besëlidhja, duken shumë të fortë deri më tani, pasi nuk kanë hedhur asnjë hap fals, me 4 fitore dhe një barazim, çka i bën të jenë në një nivel shumë të lartë dhe ritëm shumë të mirë loje, me rivalin e vetëm që mban emrin e Mamurrasit. Kjo e fundit, si skuadër vazhdon të ketë të njëjtin ritëm si lezhjanët ku kanë fituar 4 dhe kanë barazuar vetëm një ndeshje në të 5 takimet e luajtura dhe prova e radhës është ndaj Veleçikut të Koplikut që ndodhet në vendin e katërt në renditje dhe vjen direkt pas ndeshjes të së mërkurës ndaj Flamurtarit në Kupë. Deri më tani Mamurrasi ka arritur të ruajë njëtrajtshmërinë në lojë dhe në rezultate, duke mos lëshuar pe ndaj bashkë kryesuesit tjetër. Po në grupin A, ka një ndeshje tjetër interesante, por që kësaj radhe nuk luhet për vendin e parë por për vendet e fundit me Kastrioti – Burreli që i ndan vetëm një pikë në mes. Kujtojmë këtu që edhe Kastrioti luajti në mesjavë në Kupë, ku priti Vllazninë dhe u mund 4-0, rezultat ky që nuk është shumë i dhimbshëm për krutanët që vëmendjen e kishin vetëm në ndeshjen e kampionatit. Kamza – Iliria është takimi tjetër i vlefshëm për grupin A, ku do të luhet për 3 pikët që i japin edhe më shumë siguri Kamzës, që shkon në 7 pikë, ashtu edhe Ilirisë, që në rast fitoreje shkon në 10 pikë duke kaluar kështu në një zonë të sigurt në renditje. Ndeshja e fundit e këtij grupi është mes Tërbunit dhe Adës, dy skuadra që kanë aspirata të ndryshme këtë sezon, me pukianët që gjenden në formë shumë të mirë, duke u renditur në vendin e tretë të kampionatit dhe me velipojakët që kanë grumbulluar vetëm tre pikë deri më tani në fitoren ndaj Veleçikut. Grupi A, në fakt është shumë i ekuilibruar përsa i përket kreut të renditjes, pasi që në fillim dy skuadrat kanë vazhduar me të njëjtin ritëm duke mos lëshuar terren ndaj njëra-tjetrës. Në grupin B, situata është më ndryshe, pasi është vetëm një skuadër në vend të parë, me dy të tjera që e ndjekin me diferencë prej vetëm një pike. Në këtë grup prin Butrinti me 10 pikë, që ndeshjen e kësaj jave e luan ndaj Lushnjës, një ekip mjaft i vështirë për tu mundur dhe që ka treguar me të vërtetë se mund ti bëjë ballë të gjitha skuadrave në këtë grup. Fitorja për sarandiotët është e detyrueshme pasi qoftë barazimi e për më tepër humbja, i heqin nga dora kreun e kampionatit, pasi gjithmonë pas ka Dinamon që nesër ka një ndeshje të thjeshtë  ndaj Shkumbinit dhe fitorja nuk duket aq e vështirë, për më tepër që luajnë edhe në fushën e tyre. Deri më tani, dinamovitët kanë treguar se janë në gjendje të fitojnë këtë kampionat, duke e bërë edhe një herë realitet rikthimin në Superiore. Skuadra tjetër që ndan vendin e dytë me Dinamon është Sopoti, që nesër ka një përballje shumë të vështirë në shtëpi me Pogradecin. Deri më tani, Sopoti është cilësuar si skuadra e surprizave, pasi, përtej çdo parashikimi, ka arritur të mbajë një nivel të lartë loje në kampionatin ku militon, diçka që e tregojnë edhe rezultatet ku ka fituar 2 ndeshje dhe ka barazuar 3 të tilla. Po në këtë grup, një ndeshje interesante është edhe ajo mes Tomorit dhe Bylisit, dy skuadra që i ndan vetëm një pikë, ku beratasit ndodhen me 8 pikë, ndërsa ballshiotët kanë 7 pikë. Në fakt, Bylis tregoi një lojë shumë të mirë edhe ndaj Tiranës në Kupë, duke mos pësuar vetëm një gol e duke u mbrojtur shumë mirë ndaj bardhebluve, rezultat ky që arrin të ushtrojë presion ndaj beratasve që edhe pse ndodhen përpara në renditje, përsëri në ndeshje direkte zerohen avantazhet që të jep tabela e renditjes. Takimi i fundit edhe për grupin B është në mes Luftëtarit dhe Naftëtarit, që ndajnë afërsisht të njëjtin vend në renditje, me Naftëtarin që është në vendin e fundit me tre pikë, ndërkohë që kundërshtari i kësaj jave është në vendin e 8-ë me katër pikë. Ky grup është shumë më i luftuar dhe më i ekuilibruar sesa grupi A, pasi janë shumë më shumë skuadrat që rivalizojnë për vendin e parë dhe gjithashtu renditja mund të ndryshojë nga ndeshja në ndeshja, duke qenë se edhe skuadrat duket të jenë të të njëjtit nivel.

 Grupi A

Besa – Besëlidhja

Mamurrasi – Veleçiku

Kastrioti – Burreli

Kamza – Iliria

Tërbuni – Ada

Grupi B

Dinamo – Shkumbini

Butrinti – Lushnja

Luftëtari – Naftëtari

Tomori – Bylis

Sopoti – Pogradeci