Resmi  Idershaji, Statura e një qendërmbrojtësi unik 

541
Sigal

“5 Shtatori” aty ku “prodhoheshin”futbollistë. Trampolina e futbollistëve për ekipet elitare

“Asnjë rast nuk mund të gjesh që ndonjë futbollist jabanxhi që të ketë luajtur me “5 Shtatorin” dhe mos të ketë pasur karrierë lideri më pas, cilido që të ishte niveli i ekipit pasardhës dhe kjo falë një trajneri sikur M Baze”.-  R Idërshaji

Nëse do të kërkonim diçka specifike për një ekip që ka një kontribut modest në historinë e futbollit shqiptar, padyshim ajo që bën me shumë histori, është ajo se “5 Shtatori” ka qenë një inkubator ku prodhoheshin futbollistë të cilët mbasi mbaronin ushtrinë apo internimin ishin të aftë për t’u aktivizuar me çfarëdo lloj ekipi cilësor. Ky nuk është një konstatim emotiv, por i vërtetuar me fakte të shumta dhe të pakundërshtueshme, po ajo që e specifikon historinë e këtij ekipi është ajo, se ai  ka pasur një  repart  mbrojtjeje historikisht nga më kualitativët i cili është dirigjuar për më shumë se 12 vjet nga një qendërmbrojtës potent sikur Resmi Idërshaj. Debutimi i bukuroshit kaçurrels do të kishte një fat sikur ishte ai i shënimit të golit të parë që në aktivizimin e parë  të tij. Në fillimin e kampionatit të viteve 1971- ’72, në  atë takim  “5 Shtatori”-“Minatori” i Memaliajt 5:1, një nga 5 golat  do të kishte disa “shije”, atë të barazimit, të kthimit të rezultatit të ndeshjes dhe akoma më i rëndësishëm ai shënimit nga një debutues minoren më pak se 17 vjeç sikur R Idërshaji. Fati ndihmon më të zotin, thotë një fjalë e urtë, ndoshta postulati  mitik gjeti rastin më të artë për të “bindur” skeptikët në “arrogancën” postulative. Sepse “braziliani ezmer” do të shkëlqente jo vetëm në këtë “fillim fati”, por në gjithë karrierën e tij. Kujtojmë se nisja e karrierës futbollistike ka koinçiduar me atë  kampionat si dhe me atë të viteve 1981- ’82 ku “5 Shtatori” ka qenë më afër se asnjëherë tjetër pranë Kategorisë së I-ë. Mbasi do mbaronin punë me Minatorin, vetëm një javë më pas miqtë nga Skrapari do shpartallonin vendasit e Gramozit me rezultatin 1:3 dhe kështu do nisnin rrugën së bashku , “5 Shtatori” dhe djaloshi  qendërmbrojtës. Për trajnerin e shquar Muharrem Baze një futbollist si Resmiu do të ishte një “bingo”, një dhuratë e rënë nga qielli, i cilit edhe ai më shumë se kurrë kishte nevojë për t’u bërë i bindshëm në këtë “aventurë” të porsa nisur si trajner . Kështu binomit do ti shtohej në këtë rrugëtim edhe trajneri  dhe miku i pandashëm i Resmiut, M Baze. Në fakt, në atë kohë Resmiu do të ishte një  anonim  në ambientet e futbollit skraparas, dhe këtë anonimitet ja jepte ajo që ai ishte larguar nga qyteti fare i vogël vetëm kur ishte 14 vjeç dhe e luajtura me moshatarët nuk kishte lënë ndonjë gjurmë për t’u kujtuar, por sapo do të niste shkollën mjekësore në Vlorë do të pikasej dhe do të provonte për ta fituar provën duke u aktivizuar më ekipin e të rinjve të Flamurtarit, aventurë që do të ndërpritej pa filluar për arsye të disiplinës së panegociueshme që kishte shkolla mjekësore e cila nuk mund të lejonte nxënës, aq më tepër të vitit të parë, që të devijonin nga orari i studimit. Gjithsesi vetëm dy vite më vonë Resmiu do nxirrte nga mënga një nga pasionet, që jo pak e ka dashuruar dhe lëvruar, atë të të luajturit volejboll duke u aktivizuar me ekipin e të rinjve të Flamurtarit. Tashmë ajo që e bënte të lejueshme ishte se kishte fituar staturvn e një “senatori” në shkollë dhe stërvitjen e kryente atëherë kur kishte mbaruar orari i studimit, por edhe njëfarë tolerimi ishte prezent kur kaloje në këto vite. Do të luante volejboll  deri në përfundim të shkollës mjekësore duke qenë një nga pasuesit më të dalluar të vlonjatëve, për t’u shkëputur disa vite, por për ta rikthyer sërishmi këtë eksperiencë, atëherë kur do kishte “nevojë atdheu”. Ishte koha kur do  shfrytëzonte hapësirën për tu aktivizuar në një kampionat kombëtar me ekipin e volejbollit të “5 Shtatorit”. Në rastin më të parë do ti rikthehej futbollit teksa në moshën 17 vjeçare do të kishte rastin  që të rrëmbente formacionin me ekipin e shpresave të 21 vjeçarëve të Besëlidhjes, dhe këtë mundësi ja dha ajo që ai do bënte për 6 muaj praktikën mjekësore në Lezhë. Këtu do të shënonte edhe nisjen e karrierës zyrtare, atëherë kur kalendari shënonte muajin shkurt të vitit 1971. Ka qenë një eksperiencë që e vuri për të  mbrojtur ngjyrat e këtij qyteti ku skraparlliu spikati si një mesfushor fantazist më një hapësirë  interesante të të kontrolluarit të  hapësirës së fushës së  sportit. Mbarimi i praktikës do ta kthente  në “bazë” aty ku opinioni sportiv kishte filluar të fliste për një “djalë tonin” që luante me Besëlidhjen. Do të luante  dy vite sepse  do të shkëputej nga “familja” pesështatorase atëherë kur përpara do ti jepnin për të zgjedhur tre qytete për të bërë shërbimin ushtarak dhe mes tyre infermieri do të përzgjidhte Librazhdin aty ku do të kapërcente fazën e “rulit” për t’u graduar direkt “daut” i këtij ekipi. Paraqitja dhe profesionalizmi i tij  ruajnë respektin më të madh për këtë futbollist që nuk pati rast për të bërë emrin që i takonte, por profesionalizmi i tij e tejkalonte çdo lloj titulli apo medalje të munguar. Natyrshëm në historinë e futbollit ka shumë futbollistë që nuk janë gjendur në kohën dhe vendin e duhur për të shpalosur vlerat reale dhe një nga këta është edhe qendërmbrojtësi unik Resmi Idërshaji. Karriera e qendërmbrojtësit do të ndërpritej në atë takim të fundit të kampionatit 1982, atëherë kur kapiteni Resmi Idërshaji do t’i jepte lamtumirën futbollit të luajtur në atë takim të fundit “5 Shtatori” – “31 korriku” 3:1. Më tej  ai do të shërbente edhe si mjek i ekipit gjë që do ta mbante të lidhur me dashurinë e tij , futbollin.

INTERVISTA                                                                                                        

Cili është ndryshimi i futbollit tuaj me këtë të sotmin ?

Resmi Idërshaji: Po ka këndvështrime të ndryshme për të përcaktuar ndryshimet. Nga ana e luftës sportive besoj se ne kemi luajtur futboll  të pastër dhe të ndershëm. Nëse ai lloj futbolli do të kishte përkujdesjen e duhur infrastrukturore edhe  rezultatet do të ishin më të dukshme, por askush nga ata që i ka përjetuar të dy epokat nuk mund të thotë se ky futboll i mbushur me  “1,x,2”  është më i bukur se ai joni. Ne kemi kënaqur si veten edhe publikun, ndërsa ky i sotmi nuk e di kë kënaq…. Ndryshimet demokratike e kanë shpërndarë  jetën duke e hequr vëmendjen nga futbolli. Edhe pse tani  interesi e  bën futbollin më të lidhur, sërishmi motivimit i mungon ai tharmi që nuk blihet dhe  vlerësohet me lekë. Atëherë jeta vërtetë ishte e varfër dhe pa variacione por kishte një rregullsi dhe pritshmëri të sigurt nuk kishte kaq pasiguri pune. Ishte kjo arsyeja që  jetohej me futboll gjithë javën dhe gjithë kohën. Mund të jem kontravers, por i qëndroj me fanatizëm edhe profesionalizmit, nuk është më i lartë ky i tanishmi dhe për këtë krahasoni ose më gjeni sot një të përafërt me P Pano, G Kasmi, P Musta etj. Mendoj se problem i futbollit tonë në përgjithësi ka qenë në ngushtësinë konceptuese, organizim  dhe ka ndikuar edhe  mbyllja e sistemit.

-Kalojmë tek “5 Shtatori”. Cili është kampionati më mbresëlënës për ty dhe për “5 Shtatorin” dhe a i ke bërë ndonjëherë pyetje vetes – Çfarë i ka munguar “5 Shtatorit” për të qenë njëherë pjesë e Kategorisë së Parë ?

-Ajo që dua të theksoj është se edhe pse ne na ka munguar zyrtarisht kategoria e parë, ne kemi qenë prezent me performancën, profesionalizmin dhe seriozitetin tonë. Në çdo fillim kampionati kishte një listë planifikuese jo zyrtare nga lart, për ekipet që do ngjiteshin, dhe ne nuk mund të ishim llogaritur në këtë listë, për shumë arsye që nuk është nevoja ti rreshtoj, por e sigurt është që këto skuadra,  së paku në Skrapar, asnjëherë  nuk i  llogarisnin  pikët e kësaj ndeshje. Kjo ishte forca jonë që së bashku me tifozerinë bëhej e pakapërcyeshme. Tifozeria jonë ka qenë ndër më uniket .Në Çorovodë tifozeria kishte dirigjentë profesionistë, që drejtonin “partiturën” që do luhej nga tifozët, ashtu sikur akoma kjo formë nuk njihet sot . Pastaj ne në ndonjë rast të rrallë kemi qenë poshtë vendit të 4-t. Pse nuk kemi dale? – Edhe mua kjo pyetje më ka shqetësuar, por mendoj se përpos planifikimit nga lart, ambicia e cunguar, por pse jo edhe të gatshëm  psikologjikisht nuk kemi qenë se e dinim që nuk na linte kush, por  nga ana profesionale gjithmonë kemi qenë më shumë se të tjerët, nuk na ka munguar kualiteti i grupit. Pa u thelluar fare. Është fakt i pakundërshtueshëm. Pa përjashtim të gjithë futbollistët jabanxhinj që kanë luajtur në Skrapar si ata që kanë qenë në stol rezerva, por  akoma më shumë ata të formacionit sapo janë larguar kanë qenë lidera tek ekipet e kategorisë së parë ku kanë shkuar dhe kjo është  një e vërtetë  e padiskutuar, rrallë mund të ketë ndodhur që ai futbollist jabanxhi që ka luajtur në Skrapar mos të ketë qenë në formacionin stabël të  ekipit  ku ka shkuar , gjithmonë në kategorinë e parë, nuk bëhet fjalë për ata nga Tepelena, Memaliaj,  Fieri, Peqini etj që nuk diskutohej fare. Nuk besoj që ndonjë ekip të kishte kualitete si  G Kasmi, Brahja, F Mersini, V Gjergo  që luajtën tek 17 Nëntori, M  Xhafa, K Marko, A Musai tek Dinamo, Guri tek Luftëtari, Lito tek Lokomotiva, Bakalli tek Tomorri, H Ceco tek Labinoti, Xh Gega tek Beslidhja, A Mullaliu tek Besa, M Pelinxhi tek Partizani etj etj, të mos përbënin vlerë të kategorisë së I-ë, madje edhe dekani i mjekësisë sportive Profit Cami ishte produkt i ekipit tone. Me këtë dua të tregoj se kualiteteve tona t’u shtoje edhe këto dhe nuk besoj se kishte ekip më të fortë, por politikat ishin të tilla që…na kanë penguar. Kategorisë së parë i jemi afruar disa here, por në  kampionatin e ‘71-‘72 na kanë ndëshkuar gjyqtarët ndërsa ‘80-‘81 nuk na ka lejuar partia. Ishte koha kur  H. Çeço doli  golashënuesi më i mirë me 31 gola.

Një jetë qendërmbrojtës. Cili ka qenë sulmuesi më problematik që  të ka hapur punë?                                                                           

 Shiko, karriera ime është aq e gjatë sa më ka vënë përballë sulmues të tipave dhe karaktereve nga të ndryshme. E vërteta është se ne kemi pasur një repart mbrojtës nga më të mirët. Kështu portierët M. Bregu, V. Bega ishin të kalibrit më të mirë se mesatarët e Kategorisë së I-ë. Mbrojtësit kanë qenë nga më të dalluarit, kush nuk do t’i dëshironte vëllezërit  A. Guri dhe F. Guri, A Musai R. Hajdini, L. Bakalli, T. Hasanago, M. Pelinxhi etj etj, por nëse do të veçoja nga sulmuesit ka qenë Rama i Besëlidhjes, Xhambazi i Skënderbeut Shtini i Besës kanë qenë disa, por këta kishin teknikë të lartë.

Me kë skuadër keni qenë miq dhe “armiq” dhe pse ?

-Në përgjithësi kemi qenë ekip i rregullt e i respektuar, asnjëherë nuk kemi vepruar në dëm të interesit të ekipit. Kemi shkuar me këto ekipe, sikur Sopoti ku unë kisha bërë ushtrinë, në përgjithësi me ato ekipe kur ndonjë nga futbollistët kishte luajtur me ne në ushtri. Kjo mos shkuarja nuk ka lidhje me armiqësi, por me rivalitet, por dihen rastet e “derbeve”, edhe ne me Poliçanin, me Naftëtarin, me 24 Majin se na rrëmbeu me padrejtësi më 1981 Kategorinë e Parë .

Futbolli tani në Skrapar?

-Nuk më vjen aspak mirë që ndodhet në këtë gjendje. Ne kemi prodhuar gjithmonë talente, mendoj se duhet të ketë më shumë impenjim nga organet përgjegjëse, por edhe një mobilizim i personaliteteve të futbollit që në Çorovodë nuk mungojnë. Një trajner si Muharrem Baze është vlerë, pse duhet të rrijë në hije?

   Ilir J Hoxha

                                                                       

 

Sot “derbi” kryeqytetas, luhet akti i dytë i Partizani-Tirana

Superliga këtë javëtë 15-ë u shfaq në formën më të bukur të saj, me shumë gola dhe mbi të gjitha me rezultate surprizë, ku nuk mungon barazimi i Kukësit në fushën e tij dhe barazimi mes Flamurtarit dhe Laçit, në një ndeshje që “paqja” mbizotëroi që nga fillimi e deri në fund.

Takimet e ditës së shtunë- Kukësi-Apolonia (0-0)dhe Skënderbeu-Teuta (3-2). Në takimin e luajtur në Kukës, mbi të gjitha mbizotëroi loja e mërzitshme, ku Kukësi nuk qe në gjendje që të përcaktonte ritmin dhe nivelin e ndeshjes, duke u paraqitur përsëri janë skuadër që më së shumti tregon luhatjet në lojë sesa lojën e bukur. Këtë e shfrytëzoi Apolonia, që për hir të së vërtetës më shumë barazimi i erdhi si dhuratë nga kundërshtari sesa nga zotësia. Aktualisht Kukësi humbet përsëri terren me barazimin ndaj fierakëve, barazim që tingëllon si humbje edhe për faktin se përballë ishte një skuadër jo e vështirë në letër, por edhe sepse në këtë mënyrë e humbasin mundësinë për të qenë faktor më i fortë në renditje, duke qenë se u parakaluan nga Skënderbeu që deri në mbarim të ndeshjes mes Partizanit dhe Tiranës do të mbajë vendin e parë me 30 pikë, një më shumë se Kukësi dhe Tirana. Korçarët zhvilluan një ndeshje shumë të fortë me Teutën, që përsëri u shfaqen rrezikshëm, duke shënuar edhe dy gola, por pa mundur që të merrnin me vete edhe një pikë. Deri më tani ky kampionat ka treguar se të gjitha skuadrat e kanë mundësinë që ti marrin pikë njëra-tjetrës, e në këtë rast bëhet fjalë për skuadrat që janë më poshtë në renditje, si Apolonia apo Teuta që rrezikojnë çdo kundërshtare të tyre në disa ndeshje. Fitorja e arritur nga korçarët i rikthen edhe një herë bindshëm në pretendimet për titull duke arritur kështu që të rikthehen edhe një herë në pozitat e para, pas asaj humbjes me Kukësin.

Takimet e ditës së djeshme: Elbasani-Vllaznia (1-4) dhe Laçi-Flamurtari (1-1). Dy takimet përmbyllëse të ditës së diel dhanë një tjetër emocion, ku u vu re loja shumë e bukur në të dy takimet, e sidomos në Elbasan ku shkodranët arritën që të shënonin plot katër herë, në një ndeshje që e rikthen Vllazninë në fitoren e tretë rresht por gjithashtu i jep mundësinë që ti largohet sa më shumë rënditjes nga fundi, diçka që disa ndeshje më përpara po bëhej situatë shumë e prekshme. Në ndeshjen ndaj Elbasanit, Vllaznia shfaqi ndoshta më të mirin takim në gjithë këtë fazë të dytë, ku u vunë re më së shumti sulmet e shpejta dhe shumë efikase, diçka që u vu re edhe tek numri i golave të shënuar. Nga ana tjetër, Flamurtari ndalet përsëri, këtë herë në Laç, me një barazim 1-1, por me një lojë shumë të bukur nga të dyja skuadrat, në një barazi të plotë në rezultate, por me vlonjatët që në pjesën e parë ishin më ngulmues për të gjetur golin dhe për të marrë një rezultat pozitiv. Në fakt me këtë barazim, Laçi përsëri qëndron në renditje përpara Flamurtarit, duke e “blinduar” në një farë mënyrë vendin e pestë. Flamurtari nga ana tjetër e humbet kështu rastin për tu ngjitur në renditje, e me këtë barazim duket se shpresa e vetme për në kompeticionet europiane do të kalojë nga Kupa e Shqipërisë dhe jo nga kampionati, pasi ndodhen në vendin e 6-ë me 19 pikë, por me Vllazninë që është në vendin e 7-ë me 17 pikë, e duke parë formën shumë të mirë të shkodranëve, janë një rrezik serioz për Flamurtarin që të lihen pas në renditje edhe nga shkodranët.

Partizani-Tirana, takimi për titull dhe krenari: Pavarësisht se kampionati më elitar i Shqipërisë në futboll ka 10 skuadra, në javën e 15-ë janë zbehur disi 8-ë të tjerat, sepse dashje pa dashje vëmendja i kushtohet vetëm kryendeshjes së javës, takimit mes dy të parave në renditje dhe dy të parave në Shqipëri, Partizanit të Duros dhe Tiranës së Maganit. Ky takim luhet sonte, në një stadium që sipas të gjitha gjasave do të jetë i mbushur plot, e këtë herë me tifozerinë e të dyja skuadrave, si bardheblu ashtu edhe të kuq. Vendimi që mori FSHF për lejimin e tifozëve të Tiranës që të jenë të pranishëm në këtë ndeshje, pavarësisht vendimit të Komisionit, bëri që shitja e biletave të arrinte kulmin, si për tifozët e Partizanit ashtu edhe për tifozët e Tiranës. Sot thuhet fjala e dytë mes këtyre dy skuadrave në këtë sezon, ku kujtojmë që në ndeshjen e parë në mes tyre, çdo gjë u nda në barazim të thjeshtë 0-0, por atëherë futbollistët, të gjithë njëzëri fajin e barazimit e hodhën tek mungesa e tifozëve në stadium, e sonte ku tifozët do të jenë të pranishëm rezultati pritet të jetë i ndryshëm nga i pari. Janë vetëm një pikë larg njëra-tjetrës, me “demat” që kanë një më shumë, e Tirana që ndjek nga pas, e sido që të jetë rezultati mes këtyre dy skuadrave, përsëri është vendosur që edhe për një javë renditja dhe vendi i parë do të qëndrojnë vetëm në Tiranë, duke e shtyrë edhe për një javë tjetër rokadën e pozicioneve. Sot do të vendoset edhe për një herë tjetër, se cila nga të dyja në fund të takimit do ta “mbretërojë” edhe për një javë Superligën.

  Skuadra ND F B H P
1 Skënderbeu 15 9 3 3 30
2 Partizani Tirana 14 9 3 2 30
3 Tirana 14 8 5 1 29
4 Kukësi 15 9 2 4 29
5 Laçi 15 5 6 4 21
6 Flamurtari 15 4 7 4 19
7 Vllaznia 15 6 2 7 17
8 Teuta 15 4 1 10 13
9 Apolonia 15 2 3 10 9
10 Elbasani 15 2 0 13 6