Reshjet nuk e ndalin Superioren, FSHF-ja sfidon motin

647
Nga Agron KAJA
FUTBOLL/ Dje, institucioni i topkëmbës shqiptare e ndaloi zhvillimin e ndeshjeve të fundjavës në të gjitha kategoritë, “harroi” superiorët 
Moti në këtë fillimdhjetori duket shumë i “prapë” me reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë bllokuar rrugë e qytete, njëherësh, edhe kanë shkaktuar dëme e aksidente. Natyrisht që këto reshje kanë rënë edhe mbi stadiumet e futbollit në Shqipëri, dhe nga kjo situatë, interesimit të gazetës “Telegraf” në FSHF, nëse do të luhen ndeshjet e fundjavës në të gjitha kategoritë e futbollit shqiptar, përgjigja erdhi zyrtarisht me e-mail, ku thuhet se Kategoria Superiore do të luajë të gjitha ndeshjet e javës së 13-të, duke u spostuar në oraret e zhvillimit të disa prej tyre, ndërsa të gjitha kategoritë e tjera nuk do të luhen. Parë në shumë këndvështrime, ky duket një vendim “offsajt” në raport me situatën në terren. Sepse duke pasur rrugë të bllokuara, njerëz të prekur nga dëme prej këtyre reshjeve, të cilët lidhen edhe me futbollin, atëherë ka tre kundërshti. E para: Nuk e pranon psikologjia e një lojtari, trajneri apo arbitri, që të mendojë zhvillimin e ndeshjeve në të tilla kushte moti. 

E dyta: Këta lojtarë, trajnerë e arbitra pjesë e këtij realiteti, mund të kenë mes tyre edhe të dëmtuar apo të prekur nga kjo situatë e motit, dhe zhvillimi i ndeshjeve mund tu duket edhe një fyerje për çka ndodh. E treta: Ky futboll që do të zhvillohet sot dhe nesër, për cilët tifozë do të luajë, për ata të përmbytur, apo për ata që nuk kanë mundësi udhëtimi për këtë shkak natyror? Në Shqipëri, edhe nëse do të kishim një stadium si “Santiago Bernabeu” në Madrid, në këto kushte nuk duhet të luhej futboll. Sepse Shqipëria e ka një rast ku reshjet i kanë ndërprerë ndeshjen e Kombëtares, pikërisht në vitin e kaluar ndaj Maqedonisë, ndërsa këtë herë FSHF-ja sfidon, duke lejuar zhvillimin e ndeshjeve në stadiume, të cilët realisht nuk janë në standardet e “Loro Boriçi”-it në Shkodër. Nëse FSHF-ja ka menduar që lëvizjet e skuadrave nga njeri qytet në tjetrin ti kryejë nga ajri, edhe këtu do ta ketë vështirë, sikundër edhe Emergjenca Civile, e cila ka mision më fisnik dhe human në këtë situatë, shpëtimin e jetës së njerëzve, dhe jo zhvillimin e ndeshjes së futbollit. Duke lexuar njoftimin zyrtar të FSHF-së, mësohet se, për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ndeshja Luftëtari-Flamurtari që ishte programuar për t’u luajtur sot në ora 14:00, është spostuar për tu zhvilluar ditën e hënë, datë 4 dhjetor ora 13:00. Ndërkohë, dy takimet e tjera të sotme, Teuta-Kamza dhe Skënderbeu-Kukësi, do të zhvillohen normalisht, por vetëm do të ketë një ndryshim orari. Në Durrës ndeshja fillon në ora 14:00, jo në 17:00, ndërsa ndeshjet e planifikuara për ditën e diel, Lushnja-Partizani e Vllaznia-Laçi, do të luhen në ora 13:00/
Pas rakordimit dhe komunikimit të vazhdueshëm me klubet e Kategorisë Superiore, FSHF-ja vendosi që, ndeshjet e javës së 13-të të luhen normalisht këtë fundjavë, por vetëm ndeshja Luftëtari-Flamurtari shtyhet të hënën, për shkak se fusha e stadiumit të Gjirokastrës nuk garanton zhvillimin normal të ndeshjes
Stërvitje vaterpoli, apo stërvitje futbolli!
Situata e motit me reshje të vazhdueshme dhe të dendura të shiut, i kanë detyruar trajnerët e skuadrave që të zhvendosin stërvitjet me skuadrat e tyre në ambiente të tjera. Ata që kanë palestra të gatshme, kanë bërë ndonjë ushtrim fizik me lojtarët, ndoshta për tu thënë se duhet të jenë më mirë aty se sa në lokale. Gjysma e së keqes, por ka skuadra të tjera si Lushnja, që në këto dy ditë me reshje shiu, stërvitjen e kanë zhvilluar në fusha kalçetoje. Sepse anekset janë përmbytur tërësisht, e tashmë mbetet që këta sfidantë të jenë pjesë e lojës së vaterpolit!
Sigal