Reklamat mediatike e dëmtojnë futbollin, tifozeria po shkel “vijën e kuqe”

580
Agron KAJA 

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Alpin Gallo, ish-futbollisti i Tiranës
Në “skanerin” e javës së 20-të të Superiores, ja si i veçon skuadrat në dy anët e renditjes
Në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, ish-futbollisti i Tiranës Alpin Gallo, analizon dy javët e para të fazës së tretë të Kategorisë Superiore shqiptare, duke u ndalur në disa tregues më pikantë: shënimin e golave dhe efektshmërinë e prirjeve të reja që ka bërë çdo skuadër gjatë merkatos së janarit. “Mund t’ju them se skuadra e Laçit ka bërë merkato cilësore, efektet e së cilës janë shprehur në dy ndeshjet e fazës së tretë, ndërsa te skuadrat kryesuese ende nuk janë shprehur këto vlera. Ndryshe do të thoja për Tiranën, Vllazninë e Flamurtarin, të cilët bënë pak investime në këtë merkato dhe mbeten në tregues mbijetese. Ndërkohë, të treja skuadrat e kreut të renditjes: Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu, janë treguar më racionale në këtë merkato, pasi të tria kanë më shumë ritëm në lojë, pse jo, edhe në rezultate. Këto dy ndeshje të para të fazës së tretë, më shumë ishin edhe një test për prurjet e kësaj merkatoje”, deklaroi midis të tjerav Gallo në këtë intervistë.. 
Pas lënies së futbollit, të krijohet përshtypja se Alpin Gallo është i “dashuruar” pas ekranit sportiv, sa qëndron për ju ky konstatim?
Ky është një pozicion që të jep mundësinë të jesh më pranë futbollit, edhe pse futbolli shqiptar jepet në kronikë. Gjithsesi, nga një televizion ka shumë hapësira të shohësh çdo ngjarje sportive, e në veçanti Kategorinë Superiore këtu në Shqipëri. 
Në këto kushte, edhe Kategorinë Superiore keni mundësi që ta ndiqni shpesh, apo me raste?
Të gjitha ndeshjet i kam ndjekur, natyrisht një pjesë edhe nëpërmjet ekranit të televizionit, por një pjesë të mirë edhe në stadiume. Më shumë këtu në Tiranë kur luajnë Tirana e Partizani, por kam ndjekur edhe ndeshje të tjera në rrethe. Është një mundësi që e shfrytëzoj, sepse duket që futbolli ynë superior është bërë më interesant dhe tërheqës.
Dhe, cili është këndvështrimi juaj për dy javët e para të fazës së tretë të kësaj kategorie?
Janë luajtur 10 ndeshje që kanë bërë secila të veçantën, jo vetëm nga rezultatet që janë fiksuar, por edhe nga mënyra e lojës që është luajtur, njëherësh edhe nga numri i golave që janë shënuar në këto dy javë të para të fazës së tretë.
Si tregues më të veçantë në këto dy javë të luajtura, cilin do të sillnit?
Është evident fakti se në dy javët e para të fazës së tretë janë shënuar pak gola. Ndoshta kjo ndodh edhe për faktin se jemi në dy javët e para të fazës së tretë që vijnë pas një shkëputjeje zyrtare prej 36 ditësh, e këtu skuadrat ende vuajnë në sulm dhe nuk janë në 100% të mundësive të tyre reale. 
Mendoni se Kukësit e Partizanit në vendet e kreut të renditjes, do të ketë rivalitetin edhe të Skënderbeut në luftën për titullin Kampion? 
Me fitoren e djeshme ndaj Korabit, edhe Skënderbeu duket pretendent për titullin kampion. Rezultati minimal 1-0 nuk mund ta zhvelërsojë lojën e skuadrës korçare në këtë takim, pasi edhe Korabi nuk është skuadër aq e lehtë sa mund të mendohet për shkak të vendit të fundit që mban në tabelën e renditjes. 
Po si ish-futbollist i Tiranës, e shikoni këtë skuadër në hapin e pretendentëve, apo në mesin e renditjes?
Në dy ndeshjet e para të fazës së tretë ka regjistruar dy humbje minimale nga 1-0, në Laç dhe në Durrës. Në të dyja ndeshjet është treguar një skuadër e vakët në lojë dhe në gola, pasi nuk ka shënuar asnjë gol në dy javë. Duket sikur i ka humbur dëshira dhe shpirti i garës, por unë mendoj se aty brenda saj janë të dyja, ndoshta do të tregohen më pozitivisht gjatë javëve në vazhdim. Gjithsesi, këto dy humbje nuk i kanë ngrohur shumë tifozët bardheblu, po humbasin shumë pikë.
Në ndeshjen Partizani-Vllaznia, në ambientin mediatik e teknik është diskutuar si e dyshimtë penalltia në favor të Partizanit, si ishte në këndvështrimin tuaj?
Për mendimin tim, teknikisht ai rast ka qenë penallti, dhe gjyqtari Enea Jorgji ka vepruar shumë drejt. Sepse mbrojtësi Bicaj i Vllaznisë, në tentativë nuk preku topin, por këmbën e Ekubanit të Partizanit, i cili ishte në gjuajtje të tij. Duke qenë edhe pranë këtij momenti të lojës, mendoj se gjyqtari veproi saktë që dha penallti në favor të Partizanit.
Nga ana e tij, duket se Laçi i ka nisur me “marsh” pozitiv fazën e tretë, dhe, ku i shikoni ndryshimet e tij në këto dy javë të fazës së tretë?
Jo se kështu e mendoj unë, por faktikisht Laçi ka bërë lëvizje cilësore gjatë merkatos së janarit dhe efektet i ka dhënë pozitive. Në dy fitore radhazi në këto dy javë, natyrisht që skuadra ka krijuar tjetër fizionomi në raport me dy fazat e para, e nëse vazhdon kështu, unë Laçin e mendoj njërën nga skuadrat e mesit të renditjes. Janë edhe 17 javë për tu luajtur, mes të cilave është normale që të ketë edhe dritëhije.
Por, laçianët janë edhe gjysmëfinalistë në Kupën e Shqipërisë, do të ndikojë kjo në vazhdimësinë e ndeshjeve të tij?
Nuk besoj se do të ndikojnë, sepse Laçi e ka shprehur publikisht që synimin kryesor të sezonit në vazhdim ka Kampionatin. Por të mos harrojmë se është edhe dy herë fitues i kësaj kupe, që nuk është çudi ta shohim në gjysmëfinale, e cila më shumë do të varet nga ndeshja e 15 shkurtit në Korçë.
Dje u luajtën dy ndeshjet e fundit të javës së 20-të, çfarë treguan skuadrat respektove?
Skënderbeu vuajti, por morri tri pikët që e mbajnë në vendet e kreut, edhe pse nga ana e Korabit janë bërë kontestime për penalltinë. Ndërsa në ndeshjen tjetër, Flamurtari-Luftëtari, vlonjatet ishin më të qartë në 45 minutat e para, ndërsa Luftëtari me golin që shënoi, u duk se e hapi ndeshjen. Gjithsesi, kanë qenë rezultate normale.
Këtë javë u shënuan pak gola, por terreni dje u rëndua nga reshjet e shiut, ndikoi kjo situatë në lojë e në rezultatet që u arritën?
Në ndeshjet e ditës së diel ishte mot shumë normal për lojë, dhe ato skuadra patën fatin e kalendarit që të luanin normalisht në këtë aspekt. Ndërsa dje, shirat bënë punën e tyre, por në të dy stadiumet ku u luajtën ndeshjet, fushat ishin në gjendje shumë të mirë, duke mos u bërë pengesë në lojën e seicilës skuadër. 
Me këtë renditje, po duken qartë efektet e merkatos së janarit tek skuadrat?
Mund t’ju them se skuadra e Laçit ka bërë merkato cilësore, efektet e së cilës janë shprehur në dy ndeshjet e fazës së tretë, ndërsa te skuadrat kryesuese ende nuk janë shprehur këto vlera. Ndryshe do të thosha për Tiranën, Vllazninë e Flamurtarin, të cilët bënë pak investime në këtë merkato dhe mbeten në tregues mbijetese. 
Po skuadrat e kreut, a janë evidentuar me elementët që kanë zgjedhur gjatë kësaj merkatoje dimërore?
Ndërsa të tria skuadrat e kreut të renditjes: Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu, janë treguar më racionale në këtë merkato, pasi të tria kanë më shumë ritëm në lojë, pse jo, edhe në rezultate. Këto dy ndeshje të para të fazës së tretë, më shumë ishin edhe një test për prurjet e kësaj merkatoje
Lëvizjet fundit të dy tifozerive në kryeqytet, sa vlerë kanë ato në progresin e futbollit të skuadrave të tyre?
Unë këto i mendoj si ngjarje normale në një situatë të tillë. Tifozi është tifoz, dhe këta po mundohen që të tregojnë më shumë se sa misioni i tyre, që gjithsesi duket se po i shkel “vijat e kuqe”.
Java e 21-të nis shpejt, premten me ndeshjen Teuta-Partizani, ora 18:00, do ndikojë kjo ngjeshje kalendari në performancën fizike të skuadrave?
Skuadrat e Kategorisë Superiore vijnë pas një faze të shkurtuar përgatitore që kanë bërë në muajin janar, e për pasojë ende nuk janë shprehur plotësisht në vlerat dhe mundësitë e tyre. Shtrirja në tri ditë është bërë edhe në raport me ndeshjet e javës që u mbyll, e kështu teknikisht mund të jetë normal, sepse koha për të bërë kolaudimet e mundshme është normale.
Cilën ndeshje e vlerësoni si më të vështirën, apo më kryesoren e javës së 21-të?
Të gjitha kanë rëndësinë e tyre, për deri sa luajnë pesë çifte me synime e realitete të ndryshme. Por, nisur nga gjendja aktuale në tabelën e renditjes, njëherësh edhe nga historia që kanë skuadrat, takimi Tirana-Kukësi do të veçohet si kryendeshja e javës, më pas janë ato Teuta-Partizani e Vllaznia-Flamurtari.
Pas javës së 21-të do të luhet katër ndeshjet e dyta çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë, cilat skuadra i mendoni favorite për në gjysmëfinale?
Ndryshojnë ndeshjet e Kupës me ato të Kampionatit, sepse nga java në javë mund të ndodhin edhe dëmtime apo pezullime lojtarësh, të cilët e ndryshojnë edhe mënyrën taktikë të të luajturit. Por, në vazhdimësinë e gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, mendoj se Skënderbeu, Kukësi e Besëlidhja kanë shance për të shkuar në gjysmëfinale. Gjithsesi, data 15 shkurt do ta zbardhë më qartë se cilat do të jenë skuadrat gjysmëfinaliste.
“Lufta” mes tifozerive? Më shumë reklama mediatike
Për Alpin Gallon, përplasjet e fundit mes tifozerive të Tiranës me ata të Partizanit, tregojnë se kanë probleme mes tyre, por jo të asaj shkalle. Por më shumë se kaq, Gallo këto i quan edhe si reklama mediatike. “Nuk mund ta quaj si “luftë” atë çka po shohim ditët e fundit mes tifozerive të Tiranës dhe asaj të Partizanit, sepse kam përshtypjen që më shumë po i bën reklamë media. Këto janë dy tifozeri në kryeqytet, që në histori kanë patur problematika mes tyre, por jo në atë shkallë siç mësuam ditë më parë. Ata duhet të jenë më të qetë në përkrahje të skuadrës së tyre, dhe ta shijojnë futbollin e fushës së lojës. Që të luajnë në dyja këto skuadra në “Selman Stërmasi”, mendoj se nuk ka asgjë të keqe, sepse janë skuadra të kryeqytetit ku ndodhet ky stadium”, deklaroi Alpin Gallo për problematikën mes tifozerive të Tiranës me ata të Partizanit.
KATEGORIA SUPERIORE
Rezultatet/ Java e 20-të
Datë 5 shkurt 2017
Kukësi-Teuta 1-0
Laçi-Tirana 1-0
Partizani-Vllaznia 2-1
Dje, 6 shkurt 2017 
Korabi-Skënderbeu 0-1
Shënues: Salihi 65’ (p)
Flamurtari-Luftëtari 2-1?
Shënues: Veliu 26’, 
Bushiç 45’/ Rroca 63’ 
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Kukësi 20 42
2.Partizani 20 38
3.Skënderbeu 20 38
4.Tirana 20 27
5.Luftëtari 19 25
6.Vllaznia 20 21
7.Laçi 20 20
8.Teuta 20 19
9.Flamurtari 19 17
10.Korabi 20 11
Ndeshjet/ Java e 21-të
Datë 10 shkurt 2017
Teuta-Partizani 18:00
Datë 11 shkurt 2017
Skënderbeu-Laçi 14:00
Vllaznia-Flamurtari 14:00
Tirana-Kukësi 17:00
Datë 12 shkurt 2017
Luftëtari-Korabi 14:00
Java e 21-të
Me kalendarin e spostuar në data për Kategorinë Superiore, FSHF-ja po i “ngjesh” skuadrat në fushë
Somario 1
Me fitoren e djeshme ndaj Korabit edhe Skënderbeu duket se vazhdon të jetë pretendent për titullin kampion. Rezultati minimal 1-0 nuk mund ta zhvelërsojë lojën e skuadrës korçare në këtë takim, pasi edhe Korabi nuk është skuadër aq e lehtë sa mund të mendohet, për shkak të vendit të fundit që mban në tabelën e renditjes. Të tria skuadrat e kreut të renditjes: Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu, janë treguar më racionale në këtë merkato
Sigal