Refik Resmja mund Pelenë dhe superyllin Lionel Mesi

648
Sigal

Bomberi i Partizanit të viteve 1950 ka shënuar 59 gola në 23 ndeshje, ndërsa braziliani Pele, 58

Ndërsa ylli i Barcelonës, Lionel Mesi, vazhdon të thyejë rekorde njëri pas tjetrit (i fundit ai mbajtur nga gjermani Gerd Myler, për golat e realizuar brenda një viti kalendarik), është kënaqësi dhe krenari se, ish-legjenda e Partizanit dhe e Kombëtares shqiptare, Refik Resmja, e mund tri herë fituesin e “Topit të Artë”, në treguesin e golave të realizuar brenda një sezoni. Madje virtuozi Resmja lë pas edhe ikonën më të madhe të futbollit brazilian dhe atij Botëror, Pelenë.

 STATISTIKAT – Kur flasin shifrat, komentet janë të tepërta. Statistika i përket një organizate prestigjioze ndërkombëtare, siç është Instituti Ndërkombëtar i Statistikave dhe Historisë në Futboll, IFFHS. Refik Resmja është dhe lojtari që ka shënuar më shumë gola brenda një sezoni të vetëm. Fantazisti i kuq ka realizuar 59 gola gjatë 23 ndeshjeve në kampionatin e vitit 1951, sezon në të cilin Partizani shënoi në total një rekord prej 136 golash, por me Dinamon që e fitoi kampionatin, është dhe shënuesi historik me i mirë në kampionatet shqiptar. Refik Resmja është nëntë herë golashënuesi më i mirë i kampionateve shqiptare: 1950, 1951, 1952. 1953, 1954, 1955, 1956, 1957, 1958. Një rekord unik! I papërsëritur deri më tani!

 PODIUMI – IFFHS-ja ka botuar pak ditë më parë edhe një statistikë shumë interesante, duke iu referuar këtij treguesi: “Golashënuesit më të suksesshëm të botës në kategoritë maksimale në një sezon të vetëm për të gjitha kohërat” (“The World’s most successful Top Division Goal Scorers in one Season of all time”), në të cilën janë renditur “Top 11” më të mirët. Lojtari që, ka shënuar më shumë në një sezon të vetëm është amerikani Arçibald MekFerson Stark, i cili ka realizuar 67 gola në 44 ndeshje në sezonin 1924-1925. I dyti është hungarezi Ferenc Deak, i cili në edicionin 1945-1946 realizoi 66 gola në 34 ndeshje. Në podiumin e tre më të mirëve është dhe anglezi Uiliam Ralf Din, me 60 gola në 39 ndeshje (1927-1928), ndërkohë që argjentinasi Hektor Horac Skota realizoi po 60 gola, por në 57 ndeshje në sezonin e vitit 1975

 REFIK RESMJA – Pikërisht, pas këtyre vjen Refik Resmja, i pesti, që me 59 golat e tij, të realizuar në 23 ndeshje (1951), lë pas hungarezin Deak, me këtë të fundit që realizoi po 59 gola, por në 30 ndeshje në sezonin 1948-1949. Dhe e besoni dot se, kush vjen pas Resmjes? Vetë Edson Arantes do Nascimento, apo shkurt, Pele. Futbollisti më i madh i botës realizoi në vitin 1958, 58 gola në 38 ndeshje. Atë vit, Brazili fitoi Kampionatin Botëror të zhvilluar në Suedi, me Pelenë, që ishtë ndër më të mirët e turneut. Peleja është i shtati në listë. Pas tij vijnë paraguaiani Hoze Saturnino Kardozo, i cili në sezonin 2002-2003 shënoi 58 gola në 42 ndeshje; bohenmiani Jozef Bican (57 gola, në 23 ndeshje, në sezonin 1943-1944); hungarezi Gyla Zhengeler )56 gola, 26 ndeshje, sezoni 1938-1939) dhe irlandezoveriori Frederik Roberts (55 gola, 26 ndeshje, sezoni 1930-1931).

 LIONEL MESI– Sulmuesi i Barcelonës e fitoi “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë në Europë për sezonin e kaluar. Por, ylli i Barcelonës shënoi 50 gola në Primera Divizion, gjatë 37 ndeshjeve ku argjentinasi u aktivizua (me një mesatare prej 1.35 gola për ndeshje). Golashënuesi i dytë më i mirë në kontinent doli Kristiano Ronaldo i Realit të Madridit, me 46 gola në 38 ndeshje (1.21 gola për ndeshje), ndërkohë që i treti më i mirë ishte lituanezi Arturas Rimevicious i KFK Siauliai, me 35 gola në 29 ndeshje (1.21 gola për ndeshje). Në vend të katërt dhe të pestë janë, me të njëjtën numër golash, 32, dhe me të njëjtën numër ndeshjesh, holandezi Bas Dost (SV Heerenvin) dhe turku Burak Jilmaz (Trabonzbor). Golashënuesi më i mirë i kampionatit gjermani, holandezi Klas Jan Huntelar shënoi për Shalke 04, 29 gola në 32 ndeshje (0.91 gola për ndeshje). Sulmuesi i njohur suedez, Zlatan Ibrahimoviç fitoi “Këpucën e Artë” në Itali, pasi shënoi 28 gola në 32 ndeshje për Milanin (0.81 gola për ndeshje), duke qenë realizuesi i nëntë më i mirë në Europë.

  GOLAT BRENDA NJË SEZONI

 Top 11 më të mirët në botë

 1. Arçibald MekFerson Stark (SHBA)   1924/25    44 nd 67 gola

2. Ferenc Deak (Hungari)             1945/46    34 nd 66 gola

3. Uiliam Ralf Din (Angli)           1927/28    39 nd 60 gola

4. Hektor Horac Skota (Argjentinë)   1975     57 nd 60 gola

5. Refik Resmja (Shqipëri)            1951     23 nd 59 gola

6. Ferenc Deak (Hungari)             1948/49    30 nd 59 gola

7. Pele (Brazil)                          1958       38 nd 58 gola

8. Hoze Saturnino Kardozo (Uruguai)  2002/03    42 nd 58 gola

9. Jozef Bican (Proteklt. Bohemia)   1943/44    23 nd 57 gola

10.Gyla Zhengeler (Hungari )         1938/39    26 nd 56 gola

11.Frederik Roberts (Irlanda Ver.)   1924/25    26 nd 55 gola

Pesë më të mirët e sezonit të kaluar

 1. L. Mesi (Argjentinë/Barcelona)    2011/12    37 nd 50 gola

2. K. Ronaldo (Portugali/Real)       2011/12    38 nd 46 gola

3. A. Rimkevicius (Lituani/ Siauliai) 2011/12    29 nd 35 gola

4. B. Dost (Holandë/Heerenveen)      2011/12    34 nd 32 gola

5. B. Jilmaz (Turqi/Trabzonspor)          2011/12    34 nd 32 gola

 Revista “World Soccer” Mesi, më i miri për vitin 2012

 Ylli argjentinas i Barcelonës vazhdon të mbledhë çmime përpara se të shpallet fituesi i “Topit të Artë”. Leo Mesi është shpallur futbollisti i vitit 2012 nga ” Ëorld Soccer”. “Pleshti”, i cili e fitoi këtë çmim edhe në vitin 2009 e 2011, është baras me Ronaldon, si lojtarët e vetëm që kanë fituar tre tituj të kësaj reviste prestigjioze. Sulmuesi argjentinas ka grumbulluar 47,33% të votave, ndaj Kristiano Ronaldos me 19,01% dhe Andres Iniestës me 9,77%. Ksavi u votua I teti në këtë listë, ku shfaqet edhe Pirlo, Falkao dhe Nejmar. “World Soccer” ka shpallur gjithashtu edhe njëmbëdhjetëshin ideal të vitit, në të cilën janë katër katalanas. Ky formacion përbëhet nga: Kasijas, Lahm, Ramos, Kompany, Alba, Iniesta, Pirlo, Ksavi, Ronaldo, Messi dhe Falkao. Këto çmime jepen përmes votave të lexuesve dhe ekspertëve të ndryshëm të futbollit. ‘World Soccer’ ka njohur edhe rrugën tepër pozitive të kombëtares spanjolle, duke e shpallur atë ekipin më të mirë të vitit 2012, përpara Zambias dhe Çelsit.

 Del Boske, më i miri

 Trajneri i Spanjës, Vinsente Del Boske, i cili fitoi Kampionatin Europian 2012, është zgjedhur si tekniku  më i mirë në botë, duke u renditur para Zhoze Mourinjos (Real Madrid, kampion i Spanjës) dhe Roberto Di Mateo (Çelsi, kampion i Europës).

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri: “Hapi i madh drejt qëllimit final!”

 Historike, FIFA i lejon Kosovës ndeshjet ndërkombëtare

 Presidenti i Federatës të Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, e përshëndeti vendimin historik të FIFA-s, për të lejuar Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare në nivelin e moshave (ekipet kombëtare U-15, U-19, U-21 dhe U-23), përfaqësuesen e femrave dhe klubeve të futbollit. “Konform vendimit të marrë më 21 maj 2012, për t’i lejuar federatat anëtare të FIFA-s të luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare me ekipet nga Federata e Futbollit të Kosovës, që nuk është anëtar i FIFA-s, ekzekutivi sot është pajtuar ta implementojë këtë vendim për të rinjtë, amatorët, femrat dhe klubet”,-  thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të FIFA-s, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s në zhvilluar në Tokio të Japonisë, nën kryesimin e Presidentit Jozef Blater. Pra FIFA i ka hapur “dritën jeshile”, çdo vendi që dëshiron të zhvillojë ndeshje miqësore me klubet kosovare të futbollit, apo me përfaqësueset e moshave dhe të femrave. Legjenda e futbollit kosovar e vlerëson pozitivisht vendimin e FIFA-s. “Ky është një hap i madh dhe historik për futbollin e Kosovës, sepse për herë të parë Kosova ka të drejtë  të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, me grup-mosha të reja, përfaqësuesen e femrave dhe klube. Gjithsesi kjo nuk është gjithë ajo që kemi pritur, por ky është një hap tejet i madh drejt hapit final. FFK-ja, do të vazhdojë me ngulm të kërkojë lejimin e ndeshjeve miqësore dhe për Përfaqësuesen A. Por, ky hap sigurisht do të na mundësojë të konsolidojmë përfaqësueset e grup-moshave të reja, Përfaqësuesen e femrave dhe në veçanti ky vendim për klubet e futbollit është i rëndësishëm sepse do të kenë mundësi ta prezantojnë skuadrën e tyre dhe futbollin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, e pse jo edhe në afirmimin e futbollistëve të Kosovës. Po ashtu ky vendim ka peshë të veçantë sepse lejon prezantimin e shtetit të Kosovës me të gjitha atributet”, – thuhet në komunikatën e publikuar në faqen zyrtare të Federatës të Futbollit të Kosovës. Ditën e hënë, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së do të ketë një mbledhje të veçantë, ku do të vlerësojë vendimin në fjalë, ndërkohë që nga FIFA pritet të vijë dhe një letër e detajuar. Kosova ka qenë jashtë futbollit botëror, qysh kur deklaroi në vitin 2008 Pavarësinë e plotë nga Serbia, por ajo ende nuk është pranuar nga Kombet e Bashkuara, pavarësisht se shteti kosovar njihet nga mbi 95 vende nga e gjithë bota, përfshirë Shtetet e Bashkuara, dhe 22 nga 27 vendet e Bashkimit Europian.

 209

Vende anëtare

 numëron FIFA nga të gjitha konfederatat. UEFA ka 53 anëtarë, përfshirë dhe Shqipërinë. Konfederata e Afrikës (CAF) ka 54 anëtarë, ajo Aziatike (AFC), 46. Konfederata e Amerikës së Jugut (CONMEBOL) ka 10 anëtarë. Amerika Qendrore dhe Veriore (CONCACAF) ka 35 anëtarë, ndërsa Zona e Oqeanisë (OFC) ka 11 shtete anëtare.

  Berisha, drejt Ukrainës

 Mesfushori kosovar, Bernard Berisha, pret që në afatin kalimtar të janarit të largohet nga Besa e Kavajës, që garon në Superligën e Shqipërisë. Berisha në vjeshtë është vlerësuar ndër lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar. “Presidenti i klubit Nexhat Bizhdili e menaxheri Nexhmedin Haxhiu më kanë thënë se për mua kanë ardhur oferta nga Zvicra, Ukraina dhe liga e dytë gjermane. Ekipet nuk m’i kanë treguar, por me shumë gjasa në janar nuk do të jem pjesë e Besës”, ka thënë Berisha për mediumet tiranase. Ai me Besën ka kontratë trevjeçare. Për këtë thotë se i takon presidentit Bizhdili të vendosë se ku do të transferohet ai. “Deri më 20 dhjetor do të stërvitem këtu pastaj është koha të marrë një drejtim tjetër”, ka shtuar Berisha. Nga Besa e Kavajës pritet të largohet edhe Florent Aziri. Pjesë e kësaj skuadre janë edhe Argjend Mustafa e Arbnor Fejzullahu.