Refik Halili: Ju kërkoj ndjesë tifozëve, ishte sezon shumë i dhimbshëm!

568
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Presidenti i skuadrës së Tiranës, merr përgjegjësitë e dështimit, kërkon mirëkuptim për vazhdimësinë. Largohet drejtori administrativ, qëndron drejtori i Akademisë
Zoti President, na kishit munguar në radhët e gazetës sonë, dhe në daljen tuaj të ditës së shtunë, u bëmë më shumë kuriozë t’ju kontaktojmë 24 orë më pas, se si ndjehet sot Refik Halili?
Nëse kërkoni të dini se si ndjehem unë pas rënies së Tiranës në Kategorinë e Parë, po ju them se nuk do të kisha dashur në asnjë rast të isha në krye të Tiranës që zbret një kategori më poshtë. Ky ishte për ne një sezon shumë i vështirë, kryesisht në fundin e tij. Ishte sezon shumë i dhimbshëm, tifozëve iu kërkojë ndjesë nga thellësia e shpirtit.

Pse pikërisht folët më konkretisht në ditën e prezantimit të trajnerit të ri, dhe nuk e bëtë këtë më parë?
Sepse gjërat e mira, mendoj se duhen bërë gradualisht dhe në kohën më të shpejtë të mundur. Kështu kemi vepruar edhe në këtë rast, sepse pas fitimit të Kupës së Shqipërisë, punët tona përshpejtoheshin, njëherësh edhe dyfishoheshin, sa i përket organizimit në të gjitha drejtimet. U ndamë me drejtorin e klubit dhe me Josën, e menjëherë filluam me Ze Marian trajner e Gerti Dajçin drejtorin e ri administrativ.

Keni rënë në Kategorinë e Parë, por keni fituar Kupën e Shqipërisë, si e keni quajtur sezonin 2016-2017?
Për ne ky ishte një sezon shumë i dhimbshëm, ndoshta më i keqi që ka kaluar klubi i Tiranës. Nuk kam dashur që kurrë të isha unë në drejtimin e klubit në këtë lloj situate. Fakti është se ka qenë një sezon shumë i vështirë, sidomos në momentet e fundit, ku ne pësuam rënien nga kategoria. Unë që në hapat e para si president i klubit të Tiranës i bëra hyzmetin.

Pse e ndërruat trajnerin në mesin e garës, nuk prisnit më shumë prej tij, apo e shikonit trajnerin si pjesën e parë të ndryshimit në skuadër?
E nisëm trajnerin Ilir Daja, besuam te ai që ne fillim të sezonit, për të cilin them se nuk gabova në zgjedhje, por rezultatet e arritura më çuan në largimin e tij. Në atë periudhë të Dajës, kishim 15 fitore, 14 barazime dhe 8 humbje, si dhe dështimin në Kupë me Flamurtarin, ndërsa nuk fituam asnjë derbi. Këto sollën largimin e tij, dhe për më shumë të flasin dashamirësit e Tiranës, apo edhe gazetarët e futbollit.

Po me merkaton, mendoni se keni patur mangësi, apo ju e quani atë normale?
Sa i përket lojtarëve, vetëm në verë afruam disa futbollistë, për të cilët mendoj se ishin në ritmin e skuadrës, ndërkohë që në merkaton e dimrit, ne u penalizuam dhe nuk bëmë asnjë lëvizje. Ndoshta këtu duhej që ta kapnim më mirë punën, e cila gjithsesi, me afrimin e Mirel Josës, u mendua se do të ecte në parametra pozitivë. Gjithsesi, edhe pse nga ana ime nuk ka munguar asgjë që më është kërkuar, pas këtij dështimi, marr përgjegjësitë e mia, e cila më e madhja bie mbi mua.

Atëherë, sipas jush, pse Tirana zbriti në Kategorinë e Parë?
Kur unë bëj një analizë dhe marr përsipër të gjitha përgjegjësitë e dështimit, besoj se njëherësh, ju kam dhënë edhe një apel të fortë mirëkuptues, të gjithë atyre që këtë dështim kërkojnë të ma faturojnë mua. 

Veç tifozerisë, ju është kërkuar nga të tjerë largimi si President i skuadrës së Tiranës?
Presionet kanë qenë të shumta. Por, deri më sot që po flasim së bashku, askush nuk më kërkoi që ti shes aksionet e mia në klub. Dhe këtë nuk do ta bëj në asnjë rast, edhe pse pas mbylljes së sezonit, ka patur njerëz që në forma nga më të ndryshmet kanë tentuar që të më largojnë, dhe vetë të bëjnë ligjin me Tiranën. Kjo nuk do të ndodhë.

Sa besoni ju në stafin që keni patur në këtë sezon të dështuar për Tiranën?
Brenda meje ka pasur njerëz që kanë punuar, por nuk kanë qenë aktivë, ndoshta kanë qenë fasadë. Unë do të bëj një çrrënjosje totale të klubit të Tiranës, për sa i përket skuadrës së re. Si fillim, drejtuesit e Akademisë do të jenë 98% të shkarkuar, ndërsa drejtori i Akademisë do të jetë Sulejman Mema, i cili ka qenë i vetmi trajner që ka punuar me përkushtim me Tiranën. 

Gjatë dhe pas sezonit që u mbyll, jeni kontestuar shumë herë nga tifozët bardheblu, çfarë tregon kjo në marrëdhëniet tuaja me ta?
Tifozëve i kam kërkuar dhe ju kërkoj ndjesë të madhe, ndjesë nga thellësia e shpirtit, ndjesë çdo tifozi, nga më i madhi deri te më i vogli. E di që kanë derdhur lot për këtë fatkeqësi të klubit të tonë, por kjo s’ka qenë kurrë dëshira ime dhe kurrë nuk e kam menduar që do të shkonim deri këtu. Por, marr të gjitha përgjegjësitë, se do të bëjmë gjithçka për të ngritur Tiranën në elitën e futbollit tonë.

Pas vendosjes së Ze Marias në stolin e Tiranës, mendoni se e keni nisur me përmirësimet e duhura?
Projekti i ri me trajnerin e ri, ka pak vështirësi për pjesëmarrjen tonë në UEFA Europa Ligë, pasi kemi një afat të shkurtër. Ne kemi bërë një zgjedhje me Ze Marian, i cili do të na ndihmojë edhe në afrimet e lojtarëve të huaj. Boll më me trajnerë që vijnë në stërvitje pa uniforma, apo që pinë cigare dhe hanë fara në stërvitje.

Çfarë do të synoni në sezonin 2017-2018, duke qenë Tirana në Kategorinë e Parë?
Unë ende shpresoj se kjo rënia jonë nuk ka mbaruar, gjithsesi, momentalisht jemi në Kategorinë e Parë. Jemi duke punuar që, deri nesër (sot) të kemi mbyllur gjithçka, së pari me federimet. Çfarë do të synojmë? E para është rikthimi në Kategorinë Superiore, duke mundësuar që të kemi këtë kontingjent, edhe pse largime ka patur.
Tifozëve i kam kërkuar dhe ju kërkoj ndjesë të madhe, ndjesë nga thellësia e shpirtit, ndjesë çdo tifozi, nga më i madhi deri te më i vogli. E di që kanë derdhur lot për këtë fatkeqësi të klubit të tonë, por kjo s’ka qenë kurrë dëshira ime dhe kurrë nuk e kam menduar që do të shkonim deri këtu. Por, marr të gjitha përgjegjësitë, se do të bëjmë gjithçka për të ngritur Tiranën në elitën e futbollit tonë
Reagimi elegant i Lut Nurit: Me Halilin, jemi bashkëvuajtës!
Ditën e shtunë, gjatë prezantimit të trajnerit Ze Maria te Tirana, Presidenti Refik Halili përmendi edhe Lutfi Nurin, si një nga njerëzit që ka kontribuar vazhdimisht për klubin bardheblu. Ndërkohë që vetë Luti, pasi e ka qartësuar pozicionin e tij në mediat sportive, dje konfirmoi edhe për gazetën “Telegraf”, se nuk ka as më të voglin qëllim për të synuar të jetë numri një i klubit, por shpreh gatishmërinë t’i qëndrojë pranë presidentit aktual, në rast se ky i fundit do t’i bëjë ftesë. “Tirana është familja ime. Nuk e kam konsideruar ndonjëherë dhe nuk do ta bëj kurrë derisa të jem gjallë, që të jem pjesë e kollares, në kuptimin që jam unë dhe s’ka tjetër. Te Tirana, bashkë me Halilin jemi si bashkëvuajtës, dhe mbase njerëzit na përmendin për mirë ose për keq në situatat e këtij klubi”, kështu riktheksoi Lutfi Nuri për këtë situatë, i cili beson se, Halili ka forcë dhe optimizëm, që të ketë edhe pak më shumë kujdes te stafi dhe te njerëzit që mund të organizojë.
Historia e FK Tirana
Themelimi: 15 gusht1920
Nofka: Bardheblutë
Tifozeria: Tirona Fanatiks
Stadiumi: Selman Stërmasi
President: Refik Halili
Trajner: Ze Maria
Kapiten: ?
Pjesëmarrja në Superiore: 77
Kampionate të fituara: 24
Kupa të Fituara: 16
Superkupa të fituara: 10
Në Kategorinë e Parë: 
Për herë të parë në histori
Gafat në ekrane, Ze Maria bëhet Di Maria dhe Zef Maria! 
Në ditën e prezantimit të trajnerit të ri të Tiranës, Ze Maria, në disa ekrane të televizioneve në Shqipëri, kanë nisur edhe “panjohuritë”, duke bërë ngatërresa me emra të tjerë futbollistësh, të ngjashëm. Kështu, në njërin nga televizionet, në strishën në ekran, tekniku brazilian i bardhebluve është ngatërruar me futbollistin argjentinas që luan me PSG-në, Di Maria. Ndërkohë që, në një ekran tjetër, ai është bërë “shqiptar” katolik, pasi në strishën e njoftimit të lajmit, është quajtur Zef Maria. Të jenë nofkat e radhës, lapsuse apo njohuri të pakta, këto janë një temë tjetër!
Sigal