Redi Jupi: “Shqipëria e vogël, kundër Italisë dhe Rusisë”

484
Sigal

Shefi i Ekipeve Kombëtar zbardh për “Telegraf” axhendën e impenjimeve ndërkombëtare

Redi Jupi, shefi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, tha për gazetën “Telegraf” se, viti 2013 do të nisë me disa ballafaqime ndërkombëtare për kombëtaret e moshave, madje ajo U-19, e drejtuar nga Foto Strakosha, do të marrë pjesë në një turne miqësor, kundër dy prej skuadrave më të mira europiane të asaj moshe, Italisë dhe Rusisë. “Ky turne miqësor ndërkombëtar do të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve të eliminatoreve të ardhshme të Kampionatit Europian 2013-2014 të asaj moshe, ku siç dihet Shqipëria ka rënë në një grup me Greqinë, Sllovakinë dhe Bullgarinë. Ndeshjet do të luhen në datat 12-17 nëntor 2013”, – tha për gazetën “Telegraf”, Redi Jupi, shefi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare. Jupi zbardhi edhe axhendën e impenjimeve, përfshirë edhe të U-17, të drejtuar nga boshnjaku Xhemal Mustedanagiç, por dhe seleksionimet që do të kryhen në Zvicër, Itali dhe Greqi. Në aksion gjatë këtij viti do të jenë dhe Kombëtarja A për Femra (për eliminatoret e Botërorit 2015) dhe ajo U-19 për Femra (për Europianin).

  – Zoti Jupi, së pari ju urojmë dhe në emër të lexuesve të gazetës “Telegraf’, një Vit të mbarë. Cilat do të jenë impenjimet e ekipeve kombëtare të moshave gjatë fillimit të këtij viti?

 – Viti 2013 do të jetë i ngjeshur përsa u përket aktiviteteve dhe ndeshjeve ndërkombëtare. Janë disa të tillë të programuar në muajt e parë. Kështu, Kombëtarja U-19 e drejtuar nga Foto Strakosha do të marrë pjesë në një turne në Itali, që do të zhvillohet në mesin e muajit janar.

 – Cilët janë kundërshtarët e ekipit tonë?

 – Në turne do të marrin pjesë tetë skuadra të ndara në dy dy grupe me nga katër ekipe. Shqipëria do të përballet me Italinë, Greqinë dhe Rusinë, në datat 15, 16 dhe 17 janar. Nëse do të arrijmë të kualifikohemi për në finale, atëherë ajo do të luajë më datën 19. Ky turne miqësor ndërkombëtar do të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve të eliminatoreve të ardhshme të Kampionatit Europian 2013-2014 të asaj moshe, ku siç dihet Shqipëria ka rënë në një grup me Greqinë, Sllovakinë dhe Bullgarinë. Ndeshjet do të luhen në datat 12-17 nëntor 2013.

 – Me Italinë jemi ndeshur shpesh dy vitet e fundit…

 – Me Italinë ne do të luajmë një ndeshje tjetër miqësore, kjo e programuar në muajin prill. Është një kthim vizite, kjo dhe në frymën e marrëveshjes midis dy federatave. Italia U-19 është një skuadër e njohur për ne, pasi me të ne jemi ndeshur tri herë në dy vitet e fundit, dy ndeshje miqësore, po në Itali (maj 2011), në kohën kur Shqipërinë U-19 e drejtonte Skënder Gega, dhe një herë në eliminatoret e Europianit, kur ai u zhvillua në vendin tonë, në Vlorë dhe në Fier dhe ku morën pjesë edhe Belgjika me Bjellorusinë.

 – Po për ekipin Kombëtar U-17 a ka në program ndeshje miqësore?

 – Natyrisht. Në muajin shkurt do të zhvillohet një turne në vendin tonë, ku do të marrin pjesë edhe Sllovenia me Kosovën. Me Slloveninë do të zhvillojmë dy ndeshje. Edhe këto ndeshje janë në kuadër të përgatitjeve të asaj Kombëtare për eliminatoret e Europianit 2013-2014, ku Shqipëria do të jetë në një grup me Bjellorusinë, Rumaninë dhe Finlandën. Siç dihet, ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen në vendin tonë, nga datat 18-23 tetor 2014.

 – Zoti Jupi, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Sektori i Ekipeve Kombëtare e ka bërë traditë organizmin e shpeshtë të seleksionimeve të lojtarëve të rinj. A do të ketë të tillë edhe këtë vit?

  – Po, gjatë muajve mars dhe prilli kemi planifikuar zhvillimin e disa seleksionimeve jashtë Shqipërisë, përkatësisht në Zvicër, Itali dhe Greqi, ku ndodhen pjesa më e madhe e lojtarëve të rinj shqiptarë. Kemi kryer shumë grumbullime, dhe kanë qenë më të vërtet të organizuara me shumë përkushtim dhe seriozitet. Por, është një proces i gjatë. Ne kemi të një strategji të qartë për këtë.

 Miqësore, Shqipëri-Gjeorgji më 9 shkurt

 Shqipëria e “Madhe”, ajo e drejtuar nga Xhani De Biazi do të luajë një ndeshje miqësore me Gjeorgjinë, takim i planifikuar më 9 shkurt 2013, në “Qemal Stafa”. Kjo do të jetë miqësorja e gjashtë me italianin në bankinë. Vitin e kaluar Shqipëria humbi 2-1 me Gjeorgjinë (në Tbilisi), por me portierin Samir Ujkani që priti dy penallti. Një ndeshje e humbur më shumë si pasojë e gabimeve të gjyqtarit. Më 22 maj, Shqipëria luajti një miqësore të rrallë me Katarin, një takim i zhvilluar në Madrid. Kombëtarja fitoi 2-1 me golat e Elis Bakajt (46’) dhe Erjon Bogdanit (50’). Pesë ditë më pas, më 27 maj, Shqipëria fitoi 1-0 miqësoren me Iranin, në Stamboll, falë një goli të Emiljano Vilës (60’). Më 15 gusht, Shqipëria bëri një paraqitje të varfër në barazimin 0-0 ndaj Moldavisë. De Biazi ka një bilanc pozitiv në ndeshjet miqësore: dy fitore, një barazim dhe një humbje.

 Edhe Kombëtarja U-19 e Femrave kundër Italisë

 Shorti i Kampionatit Europian U-19 për femrat, e vendosi Shqipërinë një grup me Italinë, Poloninë dhe Slloveninë. Kjo është hera e parë që një ekipi Kombëtar U-19 për femra merr pjesë në një turne të madh ndërkombëtar, pra duhet vlerësuar si moment historik. Ndeshjet do të luhen nga 21-26 shtator 2013, në Slloveni. FIFA dhe UEFA po investojnë shumë në këtë drejtim. Shqipëria është ende në hapat e parë, por që gjithsesi janë të mbarë. Duke mbetur te femrat, Kombëtarja A e drejtuar nga Altin Rraklli do të luajë këtë vit për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2015 për Femra, që shënon edhe në debutimin e saj të parë historik zyrtar në arenën ndërkombëtare. Ky është Kampionati i VII Botëror. Shorti i hedhur në Nijon të Zvicrës e vendosi Kombëtaren e drejtuar nga Altin Rraklli në grupin 1 paraeliminator, së bashku edhe me Maltën, Luksemburgun dhe Letoninë. Ndeshjet do të zhvillohen në Maltë, nga 4 deri më 9 prill të vitit 2013.

  Talentet në filtrin e trajnerëve të moshave

 Trajneri boshnjak i Kombëtares U-17, Xhemal Mustedanagiç, dhe ai i U-19, Foto Srakosha, kanë organizuar muajt e fundit shumë seleksionime me lojtarët që pretendojnë të veshin fanellën e ekipeve kombëtare të moshave. Mbi 20 seleksionime janë kryer dy muajt e fundit, në të gjitha zonat rajonale. Kështu, në nëntor të vitit të kaluar u vëzhguan dhe u testuan lojtarë të datëlindjeve 1997 (15 vjeç), 1999 (13 vjeç) dhe 2001 (11 vjeç). Në muajin dhjetor, trajneri i Shqipërisë U-19, Foto Strakosha, kreu një seleksionim dyditor të lojtarëve shqiptarë, të cilët luajnë jashtë vendit. Lojtarët e rinj të datëlindjes 1995 kanë treguar veten e tyre, kanë prezantuar nivelin e momentit përpara trajnerit Strakosha në Kompleksin Futbollistik të Kamzës. Gati 40 futbollistë u paraqitën pas kërkesës së stafit teknik të përfaqësueses së kësaj grupmoshe. Trajneri i Kombëtares se Shqipërisë U-17, Xhemal Mustedanagiç, para pak ditësh zhvilloi një seleksionim të lojtarëve të vitlindjes 1997.

  MESHKUJ

 EURO U-17 2014

RAUNDI I PARË KUALIFIKUES

 Grupi 1

Bjellorusia, Rumania, Finlanda, Shqipëria*

Ndeshjet do të luhen në Shqipëri,

nga 18-23 tetor 2013

EURO U-19 2014

RAUNDI I PARË KUALIFIKUES

 Grupi 6

Greqia, Sllovakia, Shqipëria, Bullgaria*

Ndeshjet do të luhen në Bullgari,

nga 12-17 nëntor 2013

 FEMRA

 BOTËRORI 2015

SHORTI PARAELIMINATOR

 GRUPI 1

Shqipëria, Luksemburgu, Malta*, Letonia

Ndeshjet do të luhen në Maltë

nga 4-9 prill 2013

 EUROPIANI U-19

SHORTI PARAELIMINATOR

 GRUPI 7

Italia, Polonia, Sllovenia, Shqipëria

Ndeshjet do të luhen në Slloveni,

nga 21-26 shtator 2013

Alban Tafaj:“Gilman Lika nuk ikën nga Tirana!”

 Tirana rikthehet në stërvitje, teksa seancën e parë stërvitore për 2013 e bën në kodrat e liqenit artificial. Pas pushimeve të fundvitit bardheblutë i janë rikthyer punës për të përgatitur sa më mirë pjesën e dytë të sezonit. Të ndarë nga aktiviteti shumë herët, 24 herë kampionët e mbyllën 2012 mes polemikave dhe tensionit për pagesat e prapambetura. Tirana, në seancën e parë stërvitore të këtij viti është dukur e plotë dhe futbollistët kanë qenë të gjithë në humor. Kjo përforcohet akoma më shumë nga trajneri Alban Tafaj, i cili është i kënaqur nga gjendja e futbollistëve duke theksuar edhe faktin se problemet financiare janë një çështje e kaluar. Më pas trajneri dhe njëkohësisht shefi i klubit të Tiranës, bëri një analizë të merkatos së deritanishme, ku konfirmon qëndrimin e Dushkut si dhe sqaron situatën e Gilman Likës. Edhe pse kampionati ka padronin e vet, duke qënë se Skënderbeu ka një distancë të rikuperueshme, Alban Tafaj shpall objektivat skuadrës, që është vendi i dytë dhe pse jo të përfitohet nga gabimet e kryesuesve. Për momentin faza përgatitore e Tiranës do të vijojë të jetë në kryeqytet në pritje të konfirmimit të destinacionit të ri.

 Flamurtari e bën sefte për 2013-n, Gjoka kërkon mbrojtës

Skuadra e Flamurtarit zhvilloi dje seancën e parë stërvitore për vitin 2013. Të gjithë lojtarët kryen së pari ekzaminimet, për të verifikuar edhe gjendjen e tyre shëndetësore, nga ana e mjekut të klubit, Ardian Lluka. Trajneri Ernest Gjoka, duke folur për mediat tha: “Sot (dje) nisëm fazën përgatitore. Unë vazhdoj të këmbëngul se, ne kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe nuk kemi se pse të hymë në merkato. Në fakt në merkaton e janarit mund të ketë ndonjë afrim dhe do të jetë pikërisht në repartin e mbrojtjes pasi aty kemi probleme dhe me afrimin e një mbrojtësi shtohet dhe konkurrenca pastaj mund të kemi më shumë opsione në atë repart”. Ish-trajneri i Apolonisë dhe Kamzës hodhi poshtë zërat për afrim të qendërmbrojtësit korçar Tefik Osmani. “Ne nuk kemi biseduar fare më atë lojtar, pasi nuk është në planet tona”, – tha Gjoka. Tekniku kryeqytetas u shprehur i bindur se lojtarët nën kontratë me klubet e tyre nuk do të jenë në planet e Flamurtarit. “Nga skuadra jonë nuk do të këtë asnjë largim|, – theksoi Gjoka. Në lidhje me vijën e parë, Gjoka dha se në sulm, Flamurtari ka lojtarë cilësorë siç janë Memelli, Pepa, Muzaka, Nelaj, por dhe Idrizin, që ka qenë disa kohë i dëmtuar. Flamurtari do të zhvillojë fazën përgatitore fillimisht në Vlorë, ndërsa më pas do të shihet mundësia dhe jashtë shtetit.