Redi Jupi: Me Spanjën dhe Italinë, Kombëtarja nuk pati ekuilibra

Nga Agron KAJA

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti kuqezi, ja si i vlerëson drejtimin e skuadrës në dy ndeshjet e fundit

Si i përshkruani dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Shqipërisë në Grupin G?
Do t’u përgjigjem në dy këndvështrime. Si tifoz e mendoj një ndeshje të pëlqyeshme, ndërsa teknikisht do të thosha, se ishin ndeshje tërheqëse që sollën humbje. Sepse në të dyja ndeshjet, me Spanjën dhe Italinë, Kombëtarja jonë nuk pati ekuilibra në lojë.

Si ndikuan këto ekuilibra në lojën e Kombëtares sonë?
Për mënyrën se si u luajtën ndeshjet me Spanjën dhe Italinë, skuadra ishte e shtrirë gjatë gjithë lojës. Por, gjatësia në lojë bën që të fitojë skuadra me më shumë individualitete në fushë. Kështu ndodhi në Alikante dhe në Shkodër.

Ndaj Italisë, mos ndoshta duhej të ishim më kërkues dhe të saktë në fazën sulmuese?
Në Shkodër, Italia erdhi ndryshe nga sa e prisnim ne, sidomos pas barazimit 1-1 me Maqedoninë. Nuk është mëkat që të sulmosh në një ndeshje kundër Italisë, por problemi ynë është mbrojtja, e cila duket se fut ujë.

Pse ndodh kështu me mbrojtjen sipas jush?
Ndodh sepse, kur sulmon duhet të dish edhe si të mbrohesh. Ndërsa në skuadrën tonë ndodh ndryshe, sepse kur mbrohemi nuk kemi ekuilibra në lojë.

Çfarë ka ndryshuar Panuçi në Kombëtare, në katër ndeshjet që ai e drejton?
Kemi humbur në qarkullimin e topit, një element ky që në drejtimin e De Biazit, skuadra e kishte primare në lojë. Në të dyja këto ndeshje (Spanjë+Itali), kemi pasur nga një mesfushor më shumë në fushë, por topin e qarkulluam më pak se sa duhej.

Po në dy ndeshjet e mëparshme me Spanjën dhe Italinë (me De Biazin në bankinë), ishte evident qarkullimi i topit?
Mua më pëlqente skuadra në drejtimin e De Biazit, sepse me të e fitoi qarkullimin e topit. Këtë element, ne nuk e kemi pasur karakteristikë në historinë tonë, ndërsa me De Biazin, mbroheshim me rregull dhe i lejonim kundërshtarit pak hapësira me qarkullimin e topit.

Po reparti i sulmit, çfarë tregoi në këto dy ndeshje të fundit në grupin G kualifikues?
Në këto dy ndeshje, trajneri e shtriu skuadrën në 80 metër gjatësi, ndërsa në sulm nuk e kishte në dorë ekipin. Lojtarët e sulmit tonë, pak u shfaqën rrezikshëm, ndaj goli dukej qartë si pjesë e një taktike të rastësishme.

Ju, çfarë sugjeroni në administrimin teknik të Kombëtares sonë në vazhdimësi?
Duke reflektuar në treguesit që përmenda më sipër, mendoj se skuadra duhet ta gjejë më mirë veten në të gjithë repartet. Duhen disa ndeshje miqësore para kualifikueseve të Evropianit 2020, dhe këto me skuadra të mira, nga ku trajneri të rikuperojë çdo repart. Ai duhet të gjejë të tjera taktika më efikase, edhe nga përzgjedhja e elementëve të rinj.

Mua më pëlqente skuadra në drejtimin e De Biazit, sepse me të e fitoi qarkullimin e topit. Këtë element, ne nuk e kemi pasur karakteristikë në historinë tonë, ndërsa me De Biazin, mbroheshim me rregull dhe i lejonim kundërshtarit pak hapësira me qarkullimin e topit

SHQIPËRIA/ GRUPI G
BILANCI NË TOTAL
Nd 10, F 4, B 1, H 5, G 10:13
RENDITJA
Nr. Skuadra N P 
1.Spanjë 10 25 
2.Itali 10 20
3.Shqipëri 10 13
4.Izrael 10 12
5.Maqedoni 10 8
6.Litehshtein 10 0

4 fitore
Në ndeshjet kualifikuese në Grupin G, Shqipëria fitoi 2-0 e 2-0 me Litehshteinin, 2-1 me Maqedoninë dhe 3-0 me Izraelin

1 barazim
Në ndeshjet kualifikuese në Grupin G, Shqipëria barazoi vetëm në një ndeshje, atë në Maqedoni-Shqipëri më 5 shtator 1-1

5 humbje
Në ndeshjet kualifikuese në Grupin G, Shqipëria humbi 2-0 dhe 3-0 me Spanjën, 2-0 dhe 1-0 me Italinë, dhe 3-0 me Izraelin