Redi Jupi: “Jemi në rrugë të mbarë!”

531
Sigal

Shefi i Ekipeve Kombëtare flet për “Telegraf” në lidhje me Kombëtaret U-17, U-19 dhe U-21

Redi Jupi, shefi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, bëri për gazetën “Telegraf” një analizë të gjendjes dhe rezultateve të arritur nga ekipet Kombëtare të Moshave, U-17, U-19 dhe U-21, të impenjuara në aktivitete zyrtare dhe turne ndërkombëtare miqësore. “Kemi bërë hapa të mëdhenj përpara, ne kemi vetëm pak vite. Mendoj se, jemi mirë në të gjitha nivelet me ekipet e moshave, përfshirë dhe U-21. Janë shtuar fitoret, është rritur prestigji, ka më shumë besim”. Sipas Jupit, futbolli i moshave është në rrugë të mbarë, pavarësisht vështirësive objektive. Ndeshja e parë e Kombëtares U-17 në “Elite Round” është ajo kundër Italisë (26 mars), më pas do të luajmë kundër Anglisë (28 mars) dhe e mbyllim me Çekinë (31 mars). “Italia, Anglia dhe Çekia janë të nivelit të lartë dhe kanë ekipe me lojtarë cilësorë. Për mua, Anglia është ekipi më i mirë”, – theksoi shefi i Ekipeve Kombëtare.

 – Zoti Jupi, Shqipëria U-17 nisi përgatitjet për tri ndeshjet e fazës “Elite Round” të Kampionatit Europian. Si do ta konsideronit pjesëmarrjen e saj?

– Është një sukses shume i madh. Do të thosha më shumë seç e meriton niveli në të cilën është futbolli ynë. Fakti që, ne Kombëtarja U-17 kualifikohet për herë të dytë në tre edicionet e fundit të Kampionatit Europian e bën edhe më kuptimplotë kualifikimin. Mos harroni se, në fazën e grupeve kishim kundërshtarë aspak të lehtë si Rumania, Finlanda dhe Bjellorusia. Për këtë meritë kanë të gjithë, përfshirë lojtarët dhe trajnerin.

– Shqipëria do t’i nisë ndeshjet e fazës “Elite Round” kundër Italisë, më 26 mars, ndërkohë që në grup ka edhe Anglinë e Çekinë…

– Kundërshtarët janë emra të mëdhenj dhe të spikatur në arenën europiane dhe botërore të moshave dhe që kanë fituar trofe në këtë moshë. Italia, Anglia dhe Çekia janë të nivelit të lartë dhe kanë ekipe me lojtarë cilësorë. Për mua, Anglia është ekipi më i mirë, sa për ta ilustruar i fitoi të tria ndeshjet në grupin e saj pa pësuar asnjë gol.

Në turin e parë eliminator të Euro U-17 treguam se, kemi një ekip dhe trajner të mirë. A kemi ndonjë synim në “Elite Round”?

– Synimi ynë ishte të ishim në “Elite Round”. Në këtë fazë synimi është që të fitojmë sa më shumë lojtarë për Kombëtaren U-19.

– Kombëtar U-19 mori pjesë në një turne miqësor ndërkombëtar në Itali, ku arritëm dy fitore në tri ndeshje, e për më tepër spikati ajo kundër Greqisë. Si do ta vlerësonit?

– Kemi bërë hapa të mëdhenj përpara, ne kemi vetëm pak vite. Mendoj se, jemi mirë në të gjitha nivelet me ekipet e moshave, përfshirë dhe U-21. Janë shtuar fitoret, është rritur prestigji, ka më shumë besim.

– Fitorja 3-1 me Austrinë e Kombëtares U-21, të cilin e ndoqe në aksion, ishte një mbyllje dinjitoze e eliminatoreve.

– Në fakt, ishte diçka që nuk e shpresonim. Duhet të dini që, kemi mundur një ekip që mendohet se është nga më të fortët në Europë, por edhe një organizim i cili është pararojë në metodologjinë e moshave sot për sot, përveç investimeve kolosale që ata kanë bërë në këto drejtime.

– Në Asamblenë e fundit të FSHF-së u fol, për krijimin e kombëtarëve U-15, U1-6, U-18 dhe U-20. Sa është bërë në këtë drejtim?

– Projekti është gati, por siç e dini çdo projekt ka edhe një faturë financiare mbrapa. Nuk është problem, për të krijuar ekipet, problem është të kesh një buxhet dhe program për to. Besoj se, në vitin në vazhdim do të mundemi ta realizojmë.

– A kemi shumë të rinj të talentuar?

– Në fakt, nuk ka shumë, madje ka shumë pak. Por, talentet nuk lindin më, ato ndërtohen ditë pas ditë me politika të duhura dhe strategji te goditura.

 Xhemal Mustedanagiç: “Italia, më e forta”

 Për trajnerin boshnjak të Kombëtares U-17, Xhemal Mustedanagiç, tha për gazetën “Telegraf”, Shqipëria i ka të gjitha shanset për të bërë një surprizë të bukur në “Elite Raund”, faza e dytë e eliminatoreve të Kampionatit Europian U-17, pavarësisht se përballë do të kemi gjigantë të tillë si Italia e Anglia, së bashku edhe me Çekinë që formojnë grupin 4. “Ne ndodhemi në një grup shumë të fortë, së bashku me Anglinë, Italinë dhe Çekinë. Pikërisht, në Çeki do të zhvillohen edhe ndeshjet e “Elite Round”. Për mua, Italia është ekipi më i mirë. Ka një gjeneratë të fortë lojtarësh, por Anglia është e fortë. Unë mendoj, se njëra prej të dyjave do të shkojë në finalet e Europianit. Në grup kemi edhe Çekinë, kështu që do të përpiqemi t’i marrim edhe asaj, pavarësisht se do të luajmë atje, – tha trajneri Mustedangagiç gjatë një interviste për “Telegraf”.

Dy kualifikime në tre vitet e fundit

 Me boshnjaku Xhemal Mustedanagiç në bankinë, Kombëtarja U-17 është kualifikuar dy herë në “Elite Round” në tre edicionet e fundit të Kampionatit Europian të saj moshe. Shqipëria është kualifikuar në vitet 2012 dhe 2014. Gjithsesi, përfaqësuesja e vogël është kualifikuar edhe në vitet 1994 dhe 2003, duke e çuar në katër numrin e përgjithshëm të kualifikimeve.

2012

Në ndeshjet në grup (fazë eliminatore), Kombëtarja arriti këto: Shqipëri-Sllovaki 2-1, Gjermani-Shqipëri 1-0 dhe Estoni-Shqipëri 1-1. Vendi i dytë në grup dhe automatikisht në Elite Round. Në shortin e hedhur, më 29 nëntor 2012, Shqipëria ra në një grup me Holandën, Serbinë dhe Irlandën. Kombëtarja jonë humbi 4-0 me Holandën, 3-0 me Serbinë dhe fitoi 2-1 me Irlandën.

2014

Në eliminatoret Kampionatit Europian 2014, Shqipëria U-17 shkroi një tjetër faqe të bukur në historinë e saj, teksa dje, pas barazimit pa gola me Finlandën dhe humbjes së Bjellorusisë me Rumaninë (2-0), siguroi për herë të katërt kualifikimin për në fazën “Elite Round”, atje ku marrin pjesë 24 skuadrat më të mira të Europës të asaj moshe. Shorti i “Elite Round” na ka vendosur përballë Anglisë, Italisë dhe Çekisë.

   Nisin përgatitjet

 Shqipëria U-17 nisi përgatitjet për tri ndeshjet e saj në “Elite Round”, grupi i katërt, ndeshje që do të luhen në Republikën Çeke, e ku bëjnë pjesë edhe Anglia me Italinë. Ekipi i drejtuar nga Xhemal Mustadanagiç kaloi në këtë fazë të Kampionatit Europian, duke u renditur i dyti në grupin eliminator të kryesuar nga Rumania dhe duke lënë pas Bjellorusinë e Finlandën, Më 24 mars, skuadra do të udhëtojë drejt Republikës Çeke, ku sipas kalendarit do të ndeshet me Italinë, Anglinë dhe ekipin vendas.

Ekipi kombëtar U-17 është kualifikuar për dy edicione radhazi në “Elite Round”, duke treguar cilësi mjaft të mira të futbollit të kësaj moshe.

KALENDARI

26 mars

Itali- Shqipëri

Ora: 14.00, Stadiumi: Letna

Angli-Republika Çeke

Ora: 17.00, Stadiumi: Stonky

28 Mars

Angli-Shqipëri

Ora: 14.00, Stadiumi: Stonky

Republika Çeke-Itali

Ora: 17.00, Stadiumi: Letna

31 Mars

Itali-Angli

Ora: 17.00, Stadiumi: Letna

Shqipëri-Republika Çeke

Ora: 17.00, Stadiumi: Stonky

  

Kundër Anglisë dhe Italisë

 Short shumë i vështirë për kombëtaren tonë U-17 në “Elite Round”. Kuqezinjtë e drejtuar nga boshnjaku Xhemal Mustedanagiç do të kenë kundërshtarë edhe dy emra të mëdhenj të futbollit europian: Italinë dhe Anglinë. Gjithçka u zbulua gjatë hedhjes së shortit në Nion të Zvicrës, të enjten e 28 nëntorit të vitit të kaluar, për kualifikueset e Kampionatit Europian U-17, që do të zhvillohet në Maltë në vitin 2014. Shqipëria është kualifikuar për në “Elite Round”, duke kaluar me sukses fazën e parë kualifikuese, që u zhvillua në Korcë dhe Pogradec për grupin tonë.

Kampionati Europian 2014

“Elite Round”

Grupi 1: Spanja, Zvicra, Rusia, Uellsi

Grupi 2: Polonia, Turqia, Greqia, Norvegjia

Grupi 3: Holanda, Franca, Austria, Suedia

Grupi 4: Anglia, Italia, Republika Ceke, Shqipëria

Grupi 5: Gjermania, Serbia, Gjeorgjia, Republika e Irlandës

Grupi 6: Rumania, Skocia, Belgjika, Bosnia-Hercegovina

Grupi 7: Portugalia, Islanda, Letonia, Ukraina