Redi Jupi: Futbolli shqiptar të pastrohet nga ky brez, të trukosh ndeshje, njësoj sikur të zësh peshk në det me dinamit

640
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Dinamos, Tiranës dhe i Kombëtares, në këndvështrimin e tij, Kategoria Superiore ka një gjendje amullie
Në Kategorinë Superiore janë mbyllur tre fazat e para, cili është këndvështrimi juaj për zhvillimin e tyre?
Mendoj se ka një problem të madh në futbollin tonë superior në këtë situatë. Sepse ngjarjet që kanë ndodhur, kryesisht me skuadrën e Skënderbeut, e nxjerrin në plan të dytë anën teknike të Kampionatit. Skuadra jonë më e mirë (Skënderbeu) është dënuar 10 vite nga UEFA, dhe nuk mund që të mos ndikohesh nga kjo situatë.

Në gjykimin tuaj teknik, çfarë dukuri veçoni në 27 javët e luajtura?
Kampionati nisi mirë, pa atmosferën që solli dënimi i Skënderbeut. Faza e dytë dhe e treta si dukurinë më evidente kanë pasur këtë atmosferë, e për pasojë, edhe pse ekstremet duken të “çimentuar”, nuk dihet se si do të shkojë puna me skuadrën e parë, e për rrjedhojë, edhe për të fundit në renditje.

Kësisoj, ju mendoni se Superiorja nuk është në situatë gare të plotë nga të gjitha skuadrat?
Jo se mendoj unë, por ashtu është në realitet gjendja. Sepse me këtë situatë, pak skuadra mbeten për të bërë llogari dhe teknikisht, Kategoria Superiore në këto vitet e fundit ka një gjendje amullie. Skuadrat e kanë pasur të vështirë që të shpreheshin në vlerat e tyre reale.

Nisur nga renditja aktuale në 27 javë, ju ku i mendonit pritshmëritë më të mira?
Skuadrave në këtë periudhë, nuk u kanë interesuar shumë pikët, sepse amullia u ka lënë shteg për pritshmëri të tjera. Vetëm dy apo tre skuadra duhej të jepnin më shumë, por këta faktorët e jashtëm i kanë mbajtur në këto pozicione ku janë renditur pas javës së 27-të.

Dhe ju mendoni se kjo situatë te skuadra korçare ka ndikuar negativisht edhe te skuadrat e tjera në Kategorinë Superiore?
E thashë më sipër, dhe po ja u përsëris, ka pasur dhe do të ketë ndikim edhe në vazhdim. Unë mendoj se futbolli shqiptar, duke qenë pronë e publikut, duhet që të pastrohet nga ky brez që më shumë e ka shkatërruar atë. Të trukosh ndeshje, është njësoj sikur të zësh peshk në det me dinamit.

Në tërësinë e problemit, ju e shikoni vendimin e UEFA-s të pakthyeshëm dhe me efekte negative edhe në futbollin tonë?
Këtë e përmenda edhe më sipër në bisedën tonë. Ky është një vendim i formës së prerë, dhe që juridikisht kërkon fakte të reja ta apelosh, sepse nuk mund të merret në gjykim. Ndërkohë që KAS-i është gjykatë civile, dhe vendimi që mund të marrë kjo trupë gjykuese, është tjetër nga ai i UEFA-s.

Ky rast me këto përmasa dënimi, mendoni se e ka cenuar imazhin e futbollit shqiptar në Evropë?
Imazhi i futbollit shqiptar nuk është vetëm Skënderbeu, sepse shumë skuadra të tjera në futbollin tonë kanë trukuar ndeshje. Dhe duke qenë se FSHF-ja nuk ka treguar vullnetin e duhur për ta luftuar këtë fenomen, është bërë shkak që kjo të bëhej rrugë, me pasoja dënimin 10 vite të Skënderbeut.

Nisur nga kjo situatë që ju e përshkruat, cilat skuadra mendoni se do të jenë në zonën e Evropës?
Kukësi tashmë duket se do të jetë pjesë në Ligën e Kampioneve, ndërsa për dy vende në Ligën e Evropës, unë mendoj se do të jenë Partizani, Luftëtari e më pak Flamurtari. Por, në këtë rivalitet, ndikim do të kenë edhe këto katër ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

Në skuadrat që luftojnë për mbijetesë, mendoni se, së bashku me Vllazninë e Teutën ka hyrë edhe Kamza? 
Duke folur vetëm në aspektin teknik, pa menduar se çfarë mund të sjellin aleancat gjatë fazës së katërt, Vllaznia e Kamza janë më larg, ndërsa Teuta duket si skuadra më e rrezikuar për të zbritur në Kategorinë e Parë. Në 9 ndeshjet që do të luhen, unë nuk pres shumë ndryshime nga kjo renditje aktuale.
Më vjen keq që kemi një Kategori Superiore pa surpriza. Futbolli është i bukur kur ai luhet si i paparashikueshëm, jo si sot, ku dy skuadrat e fundit, Teuta e Vllaznia, në fazën e tretë kanë marrë më shumë pikë se skuadrat që synojnë Ligën e Kampioneve dhe Evropa Ligë
Ndeshjet-Java e 28-të
Të shtunën, 7 prill 2018 
Vllaznia-Lushnja 14:00
Luftëtari-Teuta 14:00
Të dielën, 8 prill 2018 
Kamza-Kukësi 14:00
Laçi-Partizani 14:00
Të hënën, 9 prill 2018 
Flamurtari-Skënderbe.17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 27 60
2. Kukësi 27 48
3. Laçi 27 42
4. Partizani 27 42
5. Luftëtari 27 40
6. Flamurtari 27 37
7. Kamza 27 34
8. Vllaznia 27 30
9. Teuta 27 29
10. Lushnja 27 10
Sigal