Redi Jupi: “18 seleksionime në kërkim të talenteve”

643
Sigal

Shefi i Ekipeve Kombëtare në FSHF: “Qindra futbollistë të rinj do të testohen për përfaqësueset rajonale”

Sektori i Ekipeve Kombëtare në Federatën Shqiptare të Futbollit ka nisur prej disa ditësh një seleksioni masiv në të gjashtë zyrat rajonale të saj, Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier, Elbasan dhe Korçë, me qëllimin për të krijuar përfaqësueset rajonale të moshave, nga U-12 dhe deri te U-17. “Qëllimi kryesor është vëzhgimi nga afër dhe më pas seleksionimi i lojtarëve të rinj të këtyre moshave, e parë kjo në strategjinë që po ndjek Federata’, – tha për gazetën “Telegraf”, Redi Jupi, shefi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare. “Jam i bindur se, do të ketë një impakt pozitiv, pasi këtë e kanë treguar dhe po e tregojnë rezultatet e deritanishme, të cilat për këdo janë të prekshme”, – shtoi ish-lojtari i Kombëtares.

– Zoti Jupi, Federata Shqiptare e Futbollit, përmes Sektorit të Ekipeve Kombëtare, është duke organizuar një vëzhgim masiv të lojtarëve të rinj, në të gjashtë zonat rajonale. Cili është qëllimi i tij?

– Sipas një programi të mirëpërcaktuar, janë organizuar dhe do të zhvillohen seleksionimet në të gjashtë zonat rajonale, në të cilat operon Federata Shqiptare e Futbollit. Në këto grumbullohem do të vëzhgohen dhe testohen, lojtarë të datëlindjeve 1997 (15 vjeç), 1999 (13 vjeç) dhe 2001 (11 vjeç). Brenda këtij muaji dh në ditët e para të dhjetori kemi programuar 18 seleksionime, por mund të ketë dhe disa të tjerë shtesë, pasi dhe numri i lojtarëve që do të shikohen është më të vërtetë i madh.

– Sektori i Ekipeve Kombëtare, tashmë ka fituar një përvojë pozitive nga këto grumbullime, teksa nuk kanë munguar as ato jashtë shtetit. Çfarë impakti prisni?

 – Nga përvoja që kemi, jemi plotësisht të bindur në dobinë e tyre. Së fundi, FSFH-ja ka organizuar edhe turne midis skuadrave të zonave dhe janë zhvilluar aktivitete të rëndësishme, si ai kryer para disa javësh në Durrës. Seleksionimet e radhës do të kryer për të bërë ekipet përfaqësuese rajonale, pra U-12, U-15 dhe U-17 në çdo zonë. Dua ta theksoj se, kjo është një strukturë e funksionimit të ekipeve rajonale të lidhura me ekipet Kombëtare.  Jam i bindur se, do të ketë një impakt pozitiv, pasi këtë e kanë treguar dhe po e tregojnë rezultatet e deritanishme, të cilat për këdo janë të prekshme.

 – Para disa kohësh, FSHF-ja organizoi një grumbullim të ngjashëm në Greqi dhe Zvicër, nga ku u rekrutuan edhe disa talente që, sot po mbushin ekipet përfaqësuese U-17, U-19, madje dhe U-21…

 – Kanë qenë me të vërtetë grumbullime të organizuara me shumë përkushtim dhe seriozitet. Që prej grumbullimit të Zvicrës (2011), ne kemi bërë gati 30 të tjerë në Shqipëri. Gjithsesi, ne e kemi të qartë se lojtarët e mirë nuk i sjell vetëm seleksioni, por ai është një proces i gjatë. Ne kemi të një strategji për këtë.

 – Zoti Jupi, të martën u hodh shorti i Kampionatit Europian U-19 për femrat, ku Shqipëria është në një grup me Italinë, Poloninë dhe Slloveninë. Si do ta vlerësonit këtë pjesëmarrje të parë?

 – Është me të vërtetë një moment historik, pasi për herë të parë marrim pjesë në eliminatoret e një Kampionati Europian për Femra. E çmoj tepër të rëndësishme. Është një fushë me shumë të ardhme. FIFA dhe UEFA po investojnë shumë në këtë drejtim.