Redan BUSHATI:Greqia “shkallon”: “I dhuruam Shqipërisë një talent!”

599
Sigal

 Ergys Kaçe, 20-vjeçari i PAOK-ut, do të luajë për Kombëtaren shqiptare në ndeshjen kundër Norvegjisë

Oh, sa bukur u mbyll kjo “sagë”! ERGYS KAÇE KUQEZI…

Një nga dëshirat e teknikut të Kombëtares shqiptare, italianit Xhani De Biazi, tashmë u realizua. Ergys Kaçe, 20-vjeçari i PAOK-ut, i cili shihej si lojtar me të ardhme edhe nga helenët, zgjodhi të luajë për kombin e tij, Shqipërinë. Përpos rrahjeve të zemrës, shqiptari me origjinë nga Korça ka bërë edhe një zgjedhje profesionale. Me fanellën kuqezi ai mund të bëjë më përpara në karrierën e tij dhe të plotësojë ambiciet që i ka vënë vetes. Ndërsa tek Greqia do të ishte më e vështirë, pasi fqinjët tanë kanë një skuadër më se të kompletuar.

Ju kujtojmë se negociatat me Kaçen s’kanë pasur të sosur. Qysh pas takimit kokë më kokë të 22 janarit në Selanik, teksa ishin të pranishëm tekniku De Biazi, ndihmësi i tij Paolo Tramexani dhe menaxheri i kuqezinjve Alban Bushi, me lojtarin ka pasur bisedime të vazhdueshme, të cilat siç duket kanë dhënë efekt. Tanimë “operacioni” mund të quhet i suksesshëm. Pra, fundi i “telenovelës Kaçe” ka qenë ngazëllues për Shqipërinë, ndërsa ka ngashëryer në inatosje ambientin e fqinjëve tanë.

Mesfushori me tipare mbrojtëse, përveç aftësive shkatërruese, ka edhe cilësi mjaft të mira organizative dhe teknike. Kështu që pritet t’i bëjë punë planeve të De Biazit që në ndeshjen ndaj Norvegjisë, e cila do të luhet më 7 qershor dhe ku pritet që tifozëria shqiptare ta “djeg” tempullin e kombëtarit “Qemal Stafa”. Talenti i shkollës së PAOK-t është një fuqizim i ri për skuadrën tonë, tashmë që kuqezinjtë në atë sektor të fushës vuajnë nga dëmtimet e Alban Mehës dhe Burim Kukelit. Përveç Kaçes, ndaj Norvegjisë pritet të jenë edhe Vullnet Basha (FC Sion), Amir Abrashi (Grasshopper), Ilir Berisha (Orebro SK), Jüregen Gjasula (MSV Duisburg) dhe Azdren Llullaku (Gaz Metan).

Presioni i palës greke

Më këmbëngulës nga të gjithë ka qenë menaxheri i tij, Nikos Liberopulos (Nikolaos Liberopoulos), ish-lojtari i shquar i AEK-t dhe Panathinaikosit. Ish-sulmuesi i Greqisë i ka sugjeruar vazhdimisht Kaçes që të merrte një vendim për kombëtaren vetëm pasi të kishte në dorë edhe pasaportën greke. Liberopulos besonte se nëse futbollisti do të pajisej me pasaportën greke, ai do të tundohej dhe nuk do të luante me kombin e tij, Shqipërinë, por për kombëtaren e drejtuar nga portugezi Fernando Santos. Por edhe kjo taktikë u ka vajtur huq helenëve, pasi nuk preferuan as ta pajisin me pasaportë, duke e trajtuar talentin shqiptar si një copë “koromane”. Sidomos në tre-katër ditët e fundit, mediat greke janë treguar të pakursyera ndaj vendimit të Kaçes, por edhe indiferencës burokratike të shtetit të tyre. Njëzëri ata deklarojnë se lojtari zgjodhi Shqipërinë, sepse shteti grek i refuzoi atij shtetësinë dhe automatikisht pasaportën. Për shembull “SportDay” shkruante “Federata së bashku me klubin i ofruan shqiptarit një fanellë të Kombëtares greke. Për këtë qëllim, çështja shkoi deri tek Ministri i Brendshëm, Euripidis Stilianidis, por ky i fundit mbylli gjithçka. Djaloshi nga Korça nuk kishte kriteret e duhura që të merrte pasaportën greke. Kulmi është se për të njëjtën çështje, pati një ‘happy ending’ Federata e Basketbollit, ndërsa për futbollin gjithçka u përmbys. 20-vjeçari do të luajë për Shqipërinë dhe këtu nuk ka më asnjë dyshim.” Ndërkohë, për këtë vendim të talentit shqiptar mësohet se ka mbetur i zhgënjyer edhe presidenti i PAOK-t, Zisis Vrizas, si dhe drejtuesit e Federatës greke të Futbollit.

 Ergys Kaçe vs “tradhtarëve”

  Mes shumë e shumë shqiptarëve, diku mes tyre gjendem edhe unë, që gëzimin për vendimin e Ergys Kaçes nuk mund ta përmbajë dot. Jo se duam t’i hakërrehemi grekëve apo grekomanisë së disave në shtetin fqinj, porse ajo çka është dhe duhet të jetë e jona natyrshëm që e jona (duhet) do të jetë. Dihet tanimë që me miliona shqiptarë, madje 2-3 herë më shumë se ata që jetojnë në Rep. e Shqipërisë ndodhen në emigracion; disa prej shekujsh, e disa pas viteve ’90. Mirëpo kjo s’do të thotë që pasardhësit e tyre, e sidomos ata të brezit të parë, nuk janë shqiptarë. Ashtu siç pretendojnë kombet e tjera të përvetësojnë kudo në botë njerëzit që kanë edhe fijet më të vogla të lidhjes me ta, ashtu edhe ne kemi të drejtën e Zotit t’i begenisim dhe t’i kërkojmë njerëzit tanë, madje në rastin konkret bëhet fjalë për një individ që ka lindur në Shqipëri. Kaçe është shqiptar. Me vendimin në fjalë ai “qëroi” dhe shporri të gjitha hamendësimet. Ergys Kaçe është shqiptar dhe do të luajë për Shqipërinë, Shqipërinë e madhe, Shqipërinë që e drejton tekniku De Biazi. Një fitore tjetër e Shqipërisë, e cila nuk lejon që talentet e saj të ikin, ashtu siç ka ndodhur rëndom, madje-madje në shumicën e rasteve. Ky është një mësim i mirë për “plejadën e tradhtarëve”. Dihet që Greqia është një ndër rastet tipike të “rrëmbimit” të shqiptarëve. Hem me hir, hem me pahir këta djalurçinat nuk duan të jenë pjesë e Shqipërisë, ndonëse për ta është më e thjeshtë se janë shqiptarë, kanë lindur në Shqipëri apo e kanë pasaportën shqiptare, ndryshe nga ata që janë kosovarë apo nga diaspora; por ja që s’duan t’ia dinë. Dhe lista e këtyre “njollave stearine” nuk është e paktë. Po përmendim disa nga të pabesët si Sotir Nini (Sotiris Ninis), Panajot Gjergji Kone (Panagiotis Giorgios Kone), Elin Dhimutso, Albi Kondi, Marko Duni (Markos Dounis), Aleksandër Kuro (Aleksandros Kouros) e Stefano Kapino (Stefanos Kapino), të cilët zgjodhën kombëtaren helene përpara fanellës kuqezi të atdheut të tyre. Disa prej këtyre sojsëzve, të kthyer në antishqiptarë të tërbuar, kanë ndryshuar edhe emrat e tyre, duke i greqizuar, e ndonëse iu stonojnë ndjeshëm, ata janë më të lumturit e Olimpit. Ptu!

  Kush është Ergys Kaçe?

Ergys Kaçe ka lindur në qytetin e Korçës më 08.07.1993. Në moshën 3-vjeçare, së bashku me familjen, do të emigronte në Greqi. Karrierën e nisi me ekipet e të rinjve të Achilleas Triandrias, ku luajti deri në vitin 2004 dhe më pas u transferua te akademia e PAOK-t, skuadër me të cilën në moshën 17-vjeçare nënshkroi kontratën e parë profesionale, pikërisht në dhjetor 2010. Kaçe bëri debutimin e parë me fanellën e PAOK-t më 5 janar 2011 në ndeshjen kundër Panserraikos, ku u aktivizua në 22 minutat e fundit të lojës. Në sezonin 2011-2012, ai u huazua te FC Anagennisi Epanomi në ligën e Dytë greke, ku luajti 19 ndeshje dhe shënoi një gol, pikërisht ndaj Panahaikit. Performanca e tij pozitive bëri që drejtuesit e PAOK-t ta kthenin shqiptarin në “shtëpi”. Kështu, Kaçe u rikthye të luajë me FC P.A.O.K. Më 31 tetor 2012 mesfushori shqiptar nënshkroi një kontratë të re me PAOK-n, e cila e lidhi me këtë skuadër edhe për 4 vite e gjysmë (kontrata skadon në qershor 2016). Kontrata erdhi si rezultat i paraqitjes së tij, duke fituar dita-ditës besimin në rritje të drejtuesve të klubit helen. Tani ai është lojtar i padiskutueshëm tek bardhezinjtë e teknikut Giorgios Georgiadis, ndërkohë që rroga e tij ka pësuar rritje. Më 3 mars të këtij viti ai shënoi golin e tij të parë sezonal me PAOK-n, ndërkoqë që është aktivizuar në total në 29 ndeshje, ku vetëm njërën e ka nisur nga stoli, ndaj Atromitosit javën e kaluar. Goli ndaj Panioniosit, i realizuar në minutën e 31-të të takimit, në fitoren 4-2 të skuadrës së tij, ishte i përsosur. Ndërkaq, këtë sezon ai ka luajtur edhe 4 ndeshje në Europa League me fanellën e PAOK-t, ndaj austriakëve të Rapid Vjenës dhe izraelitëve të Bnei Jehudës – nga dy herë ndaj secilës skuadër. Talenti shqiptar, i cili mban numrin 26 në ekipin e tij, ka luajtur edhe katër ndeshje me ekipin kombëtar U-21 të Shqipërisë të drejtuar nga Artan Bushati, në një turne miqësor të zhvilluar në Slloveni nga datat 23-30 mars 2011. Në Selanik e krahasojnë me Vitolon, mesfushorin spanjoll që luajti disa sezone tek PAOK-u, përpara se të shkonte tek Panathinaikos. Sakaq, sapo t’i bashkohet Kombëtares shqiptare ai menjëherë do të thyej rekordin e shkurtabiqësisë të mbajtur deri më tani nga Jahmir Hyka: Kaçe ia “hedh” me 7 cm këtij të fundit, pasi është 161 cm i gjatë.

  Kronologjia e “ankthit”

Gusht 2012 – Menaxheri i Kombëtares shqiptare, Alban Bushi nisi nga tratativat për të kthyer në kombëtare Ergys Kaçen.

Shtator 2012 – Ergys Kaçe merr ofertë nga Greqia për të qenë pjesë e Kombëtares helene.

Dhjetor 2012-Janar 2013 – Xhani De Biazi dhe pjesa tjetër e stafit të kombëtares vëzhgojnë dhe takohen me lojtarin, i cili u premton se do të jetë me kombëtaren sa të marrë pasaportën.

Mars 2013 – Kaçe nuk vjen me Shqipërinë. Mediet greke pohojnë se ai ka zgjedhur të luajë me helenët. Në Shqipëri shpresat veniten. Vetëm De Biazi qëndron i kapur pas fijeve të optimizmit.

Maj 2013 – Përfundimisht, Ergys Kaçe pas shumë hamendësimesh ka zgjedhur kuqezinjtë, duke lënë “me gisht në gojë” grekët. E paçin me të shëndoshë!

Etika pezullon gjyqtarin Ervis Peza

  Komisioni i Etikës së FSHF-së pasi u njoh me materialet e paraqitura nga Sekretariati Teknik, i diskutoi çështjet në tërësi, në përfundim vendosi të pezullojë gjyqtarin e futbollit Ervis Peza nga të gjitha veprimtaritë futbollistike për një afat të pacaktuar, deri në zbardhjen e hetimit që ka filluar ky komision në lidhje me paracaktimin e rezultateve të ndeshjeve të futbollit. Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka e ka akuzuar arbitrin Ervis Peza se i kishte kërkuar para që lezhjanët të fitonin ndaj Kamzës, ndërsa i akuzuari iu kundërpërgjigj se do ta dërgonte çështjen në Prokurori. Noka ka reaguar sërish: “Ai i pafytyrë më ka kërkuar 10 milionë lekë përpara ndeshjes Kamza-Besëlidhja. Jam i gatshëm të përballem me të në Prokurori. Ai i pafytyrë. Del në gazetë dhe nxjerr fytyrën e hajdutit. Jam i gatshëm të përballem me të në çdo lloj prokurorie shqiptare. Ato fjalë që kam thënë për të janë të vërteta dhe nuk janë pallavra. Ai doli pa turp në gazetë dhe tha që jam një arbitër korrekt. Por, ai vetëm arbitër nuk është. Në ndeshjen me Kamzën ka bërë një arbitrim skandaloz dhe të njëanshëm. Aty kanë qenë edhe Arsen Hoxha dhe Sokol Jareci, dy figura të futbollit shqiptar, duhet të thonë të vërtetën dhe të deklarojnë se në atë takim nuk është luajtur fare futboll në pjesën e dytë. Janë hedhur topa disa herë nga tifozët në fushë dhe gjyqtari i katërt u flet në kufje arbitrave dhe e ndërpret lojën në disa momente. Nëse është burrë Arsen Hoxha, të thotë të vërtetën. Unë jam i gatshëm që të përballem me të në Prokurori dhe të hetojnë organet kompetente. Po, m’i ka kërkuar paratë përpara ndeshjes te stadiumi. 10 milionë lekë më ka kërkuar, vetë ai hajduti. Ai ka masakruar të gjithë Lezhën.” Pas akuzave të presidentit të Besëlidhjes, Gjok Noka, ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes Kamza-Besëlidhja, Ervis Peza, arbitri reagoi duke thënë se me Nokën do të takohej në Prokurori.

Kosova jashtë, Gjibraltari anëtarësohet në UEFA

 Kosova mbetet jashtë, ndërsa Gjibraltari bëhet anëtar me të drejta të plota në UEFA. Pavarësisht se ka vite që drejtuesit e futbollit kosovar janë mundur të pranohen në organizatat më të mëdha evropiane dhe botërore të futbollit, kësaj gjëje ia ka arritur më së fundi një vend i vogël. Fjala është për Gjibraltarin, që të premten u pranua si anëtar i UEFA-s. Kjo nënkupton lejimin e kombëtares dhe klubeve të këtij vendi të marrin pjesë në garat ndërkombëtare. Kongresi vjetor i UEFA-s ka votuar në favor të lejimit të kolonisë së vogël britanike, e cila ka një popullsi prej rreth 28 mijë banorëve. Gjibraltari bëhet anëtari i 54-t i UEFA-s. Atij iu dha anëtarësimi i përkohshëm tetorin e kaluar. Fillimisht kishte aplikuar për anëtarësim në UEFA në vitin 1999, por asokohe ishte përballur me kundërshtimin e ashpër të Spanjës. Rasti Gjibraltar u forcua në vitin 2011, pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit për Sport (CAS), që thoshte se organizata më e madhe evropiane e futbollit, UEFA, duhet të shqyrtoj anëtarësimin e saj