Rebelimi vlonjat i vitit 1936 – Një nga ditët më të zeza në historinë e futbollit shqiptar

571
Sigal

Nga Ergys Alushi

Incidentet që shoqëruan kampionatin kombëtar të futbollit të vitit 1936. Si ndodhi incidenti me mjekun e bashkisë së Vlorës. Përse populli i Vlorës rrethoi godinën e xhandarmërisë së qytetit? Viktima e krismave të armëve. Zyrtarët e lartë të Qeverisë shqiptare që hetuan ngjarjen

Shtypi i kohës, disa gazeta të atij viti, i kushtuan një rëndësi të madhe ngjarjes së ndodhur në Vlorë. Bashkë me lajmin e dhënë për atë se çfarë kishte ndodhur, në shkrimet e tyre gazetat kërkonin dhe përgjegjësitë mbi ngjarjen. Problematikat e vlonjatëve me arbitrimin vazhduan dhe në kampionatet në vazhdim dhe në qytet ishte krijuar bindja se “Federata nuk e do Vlorën”

Rebelimi vlonjat i vitit 1936

E diel, 12 korrik 1936. Dita e fundit e kampionatit kombëtar të futbollit. Një nga ditët më të zeza në historinë e futbollit shqiptar. Në fakt, ajo që ndodhi në Vlorë ishte kulmi i një kampionati të mbushur me incidente të shumta, të ndodhura në fushat e futbollit. Në Durrës, arbitri u qëllua në kokë me flamur. Dhe prej kujt? Prej ndihmësit të tij, vijërojtësit. Më vonë e sulmuan lojtarët, të cilët e qëlluan me grushte e shkelma në fushë e me çelësa kur shkoi në hotel. Në Berat, populli dhe lojtarët u konfrontuan me një turmë të egërsuar. Arbitri u qëllua me gurë dhe populli bërtiste “Mbyteni!”. Kryetari i shoqërisë sportive të Beratit u mundua më kot të qetësonte situatën, duke ju kujtuar dënimet e Federatës, por populli dhe lojtarët ia kthenin: “Federata s’ka dënuar njeri që të na dënojë ne!”

Tragjedia e Vlorës

Më 12 korrik të vitit 1936, në një ndeshje futbolli, në Vlorë, midis skuadrës vendase dhe asaj të Pogradecit, u shkaktua një incident i vogël, që i dha rast ndërhyrjes së popullit e të xhandarmërisë, si edhe përleshjes midis tyre. Ndërsa vazhdonte ndeshja, goditet aksidentalisht një lojtar vlonjat, i cili rrëzohet pa ndjenja në tokë. Mjeku i bashkisë, Mihal Çaushi, shpejtoi t’i vinte në ndihmë atij, por e ndaluan xhandarët me komandantin e tyre, nëntoger, Sabri Bajramin. Mjeku u kacafyt me nëntogerin, e duke përfituar nga rrëmuja e pështjellimi i popullit me xhandarët, largohet nga fusha. Forcat e xhandarmërisë, duke mos qenë në gjendje të përballonin furinë e zemërimit popullor, u tërhoqën në postëkomandën e tyre.

Rrethohet komanda e xhandarmërisë së qytetit

Me largimin e forcave të xhandarmërisë nga fusha e futbollit, edhe populli u shpërnda. U duk sikur trazira mori fund, por në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Bashkë me shpërndarjen e njerëzve nga fusha e futbollit ishte shpërndarë edhe lajmi për atë se çfarë kishte ndodhur në fushën e futbollit, për përleshjen me xhandarët. Sapo forcat e xhandarmërisë arritën në komandën e tyre, u afruan grupe të rinjsh, të ndjekur nga turma e popullit, të cilët dalëngadalë rrethuan komandën e xhandarmërisë qytetëse. Këtu filloi një manifestim i vërtetë popullor. Populli, duke pandehur se mjekun e kishin arrestuar, kërkonte me insistim lirimin e tij. Megjithëse për t’i qetësuar ato, komanda e xhandarmërisë u dha përgjigjen se mjeku nuk ishte aty, dhe në emër të ligjit urdhëroi të shpërndaheshin demonstruesit, të cilët sa vinin e shtoheshin rreth komandës së xhandarmërisë.

Qëllohet me armë – një i vdekur, shumë të plagosur

Në këtë gjendje shumë të tendosur e të një trazire të përgjithshme, arriti qark-komandanti i xhandarmërisë, kapiten Kamber Qafmolla. Ai e këshilloi popullin të shpërndahej, por më kot, se manifestuesit shtoheshin vazhdimisht duke shtrënguar rrethimin e komandës. Xhandarët të frikësuar, hapën zjarr, gjoja në ajër, por nga zjarri i tyre mbeti i vrarë Petro Prendi dhe disa vetë të plagosur. Pasi hapi zjarr xhandarmëria, populli nisi të shpërndahej, por gjendja vazhdoi të mbetej e nderë. Njerëz të shumtë u kujdesën për të dërguar në shtëpinë e vet bashkëqytetarin e tyre që kishte mbetur i vdekur në vend nga krismat e armëve të xhandarëve. Zemërimi ishte i madh. Grupe nga populli bërtisnin për hakmarrje.

Ngjarja – sportive apo politike?

Në telegramin e prefekturës, dërguar po atë ditë Ministrisë së Brendshme, bëheshin përpjekje për të mohuar karakterin politik të ndodhisë në fushën e futbollit. Paraqitej ngjarja si konflikt midis lojtarëve vlonjatë e atyre pogradecarë, dhe ndërhyrja e popullit në fushë, si për të rrahur lojtarët e skuadrës mike. Në të vërtetë nuk pati asnjë konflikt midis lojtarëve të dy skuadrave e asnjë orvatje nga ana e popullit për të rrahur lojtarët e Pogradecit.

“Populli u soll shumë keq,- shkruan telegrami – dhe nevoja e madhe i shtrëngoi xhandarët të shtinin në ajër. Janë plagosur tre karrocierë jashtë e larg turmës”

Në telegram nuk flitej për të vrarin.

Për të hetuar gjendjen në vend, si Ministria e Brendshme ashtu edhe Ministria e Drejtësisë, dërguan në Vlorë Sekretarët e Përgjithshëm të tyre, me porosi që t’u jepeshin lehtësirat e duhura dhe dosjet përkatëse të hetimeve. Në gazetën “Arbëria” të datës 15 korrik 1936 njoftohet “Dje u nisën për në Vlorë Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme Zef Kadareja dhe Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë Emin Toro, të cilët do të bëjnë hetimet rreth ngjarjes që ndodhi në fushën sportive dhe përpara gjindarmërisë në Vlorë”
Pas hetimeve, xhandarët nuk u arrestuan, ndërkohë që bashkia pushoi nga puna mjekun Mihal Çaushi, si shkaktar të ngjarjes së 12 korrikut, për mosbindje të urdhrave të autoriteteve, dhe se kishte guxuar t’i vërsulej armës së xhandarmërisë, të cilën e kishte poshtëruar. Për të justifikuar shtirjen me armë, organet e xhandarmërisë, deponuan në prokurori, sikur gjoja manifestuesit “kishin insultue e shqye flamurin kombëtar”, në ndërtesën e xhandarmërisë dhe se kishin thirrur, “Poshtë xhandarmëria”. Dëshmitarët e shumtë, vërtetuan se Flamuri Kombëtar, ishte ulur para se manifestuesit të mbërrinin në postkomandë.

Kush ishte Petro Prendi

Viktima ishte babai i pesë vajzave, njëra prej të cilave në prag të martesës. Ai ishte një punëtor, që punonte ku të gjente punë për të ushqyer familjen e tij të madhe, e cila me vdekjen e tij zhytej edhe më shumë në mjerim. Viktima nuk kishte qenë aktiv si në përleshjen e ndodhur në fushën e futbollit, as në sheshin para xhandarmërisë, duke mbetur viktimë e të shtënave të pakontrolluara nga ana e xhandarëve nga përpjekja e tyre për të shpërndarë popullin e zemëruar. Varrimi i tij u kthye në një tjetër demonstrim të njerëzve të shumtë që e shoqëruan për në banesën e fundit, por pa u shënuar incidente të tjera. Me gjithë kërkesat e ndryshme në drejtim të qeverisë së kohës dhe bashkisë së Vlorës, përveç disa ndihmave të vogla në ditët e para, asnjë nga institucionet nuk siguroi një ndihmë të përhershme për familjen e vobektë të viktimës, pavarësisht se ishte vrarë nga xhandarmëria.

Përgjegjësia në ngjarjen e Vlorës

Shtypi i kohës, disa gazeta të atij viti, i kushtuan një rëndësi të madhe ngjarjes së ndodhur në Vlorë. Bashkë me lajmin e dhënë për atë se çfarë kishte ndodhur, në shkrimet e tyre gazetat kërkonin dhe përgjegjësitë mbi ngjarjen. Ja ku e gjen shkakun një gazetë: “…e cila n’origjinën e saj më rënjore ka faktin për t’ulëritur që është ky: Vlonjatit, gjithnjë i gjallë dhe spontan, por i dëshpëruar nga kriza ekonomike dhe nga uria që bren dhe dëshpëron, si në shumë vende të tjera të Shqipërisë me popullsi që ndjen dhe kupton, i ka ardhur në hundë dhe, në tensionin e nervave, kërkon shkak që të çfryjë” Në një tjetër gazetë, përgjegjësit e vërtet të ngjarjes “janë udhëheqësit inkompetentë të sportit”, duke radhitur për shpjegim të këtij përfundimi disa pyetje, si përse nuk ishin masa për dënimin e arbitrave që kishin shkaktuar më parë probleme në ndeshje të ndryshme të kampionatit? Përse iu ishin falur dënimet arbitrave dhe lojtarëve që kishin qenë të dënuar nga Federatat e mëparshme? Në gazetën “Sporti Shqiptar”, shkruhej se pse është lejuar që të inkurajohet individualizmi dhe të botohen këngë lavdie për disa lojtarë? Çfarë janë disa ndihmës trajnerë që paguhen nga buxheti i Ministrisë së Arsimit, të cilët nuk e kanë haberin fare nga futbolli? Përse është lejuar që një ditë përpara ndeshjes Tirana-Shkodra, të transferohet një lojtar dhe kështu të demoralizohen tri shoqëri, e Shkodrës, Vlorës dhe e Durrësit, ndërkohë që ligjet në fuqi e ndalojnë një veprim të tillë?

13 vjet pas ngjarjes, arbitrimi zbret Vlorën nga kategoria

5 qershor 1949/ Vlorë. “Flamurtari” – “Vllaznia” 3-4.

Kjo ndeshje e luajtur në Vlorë, ka qenë shkaku i përjashtimit të ekipit vlonjat nga kampionati kombëtar, kategoria e parë dhe rënia në kategorinë e dytë. Nën/komisioni arbitrar i futbollit për këtë ndeshje, konstatoi:

  1. Skuadra e Vlorës la fushën e lojës pas shënimit të golit të katërt nga ana e ekipit shkodran, duke thyer kështu pikën 9 të paragrafit të 5-të të rregullores së kampionatit kombëtar, ku shprehimisht thuhet: “Në rast se një skuadër ikën nga fusha e lojës, ajo jo vetëm që humbet ndeshjen, por edhe përjashtohet fare nga kampionati”.
  2. Arbitri i ndeshjes së lartpërmendur Latif Sela, ka rënë në një seri gabimesh të mëdha, duke u treguar fare i paaftë në arbitrimin e kësaj ndeshjeje, duke arritur deri në akordimin e golit të katërt, që ishte i parregullt në favor të skuadrës shkodrane.
  3. Në skuadrën e Vlorës ka bërë pjesë trajneri i atletikës së lehtë Mihallaq Mina në kundërshtim me vendimin e K/K.F.S. të Republikës, që trajnerët e atletikës dhe atletët e dalluar të mos merrnin pjesë në ndeshjet e kampionatit kombëtar të futbollit, që nga data 1 qershor 1949.
  4. Trajneri dhe lojtari i skuadrës vlonjate Myqrem Ferra, i dënuar që të mos luante në këtë ndeshje, për arsye të sjelljeve të tij të këqija gjatë ndeshjeve të ndryshme të kampionatit, ka hyrë në fushën e lojës pas shënimit të golit të tretë nga ana e ekipit vlonjat, duke provokuar portierin shkodran Ahmet Nutin.
  5. Provokimit të Myqrem Ferrës, portieri i ekipit shkodran i është përgjigjur duke goditur me grusht të sipërpërmendurin.

Për të gjitha këto nën/komisioni vendosi:

  1. Skuadra e qytetit të Vlorës të përjashtohet nga ndeshjet e kategorisë së parë të kampionatit kombëtar të futbollit për vitin 1949.
  2. Myqrem Ferra shkarkohet nga detyra e trajnerit, deri në 1 janar 1950.
  3. Mihallaq Minës i hiqet vërejtje e lehtë.

Dënime pati dhe për arbitrin dhe portierin e Shkodrës.

Vlonjatët – probleme të vjetra me arbitrimin

Në kampionatin e dytë kombëtar të futbollit, ekipi vlonjat e zhvilloi ndeshjen e parë të kampionatit në Vlorë, në datën 26 prill 1931, me ekipin e Shkodrës, takim që u fitua nga vendasit me rezultatin 2 me 1. Pas fitores me shkodranët, vlonjatët humbasin 5 me 1 me ekipin e Tiranës. Kjo ndeshje, shënon edhe fillimin e problemeve që ekipi i Vlorës do t’i ketë në historinë e futbollit me ekipin e Tiranës, për sa i përket arbitrimit të ndeshjeve. Në këtë takim, arbitri anglez Hill do të akordojë një 11 metërsh të pa qenë sipas pretendimit të vlonjatëve dhe për pasojë tensioni në fushë do të jetë i madh deri dhe në përdorimin e përplasjes fizike midis lojtarit të Vlorës, Hamdi Zoga dhe arbitrit anglez. Ndeshja do të anulohet e do të zhvillohet në fushë asnjanëse, në Durrës. Për të treguar se nuk kishte asnjë problem me të rinjtë e Tiranës, por vetëm me arbitrin, Këshilli i klubit të Vlorës, e kundërshtoi vendimin që ndeshja të luhej në Durrës, duke kërkuar që ndeshja të riluhej në Tiranë dhe në Vlorë. Dhe kështu u bë.
Gjatë ndeshjeve të kampionatit, vlonjatët kundërshtuan shumë herë arbitrimet kundër tyre, aq sa e detyruan Federatën e futbollit që të merrte masa të rënda për disa lojtarë të ekipit vlonjat, ku Hamdi Zoga u përjashtua përgjithmonë nga futbolli dhe Jani Sallata e Kudret Kokoshi u përjashtuan për një vit. Problematikat e vlonjatëve me arbitrimin vazhduan dhe në kampionatet në vazhdim dhe në qytet ishte krijuar bindja se “Federata nuk e do Vlorën”