Reali tregoi futbollin, Juventusi xhiroi mbrapsht

528
Nga Agron KAJA
POST CHAMPIONS/ Real Madridi shpartallon Juventusin dhe futet në histori, duke mbrojtur trofeun e Champions Ligë, reagimet mediatike
Real Madridi konfirmohet si kampion i Evropës, teksa mposhti në finalen e Ligës së Kampioneve në Kardif me rezultatin 4-1 skuadrën e Juventusit. Një triumf historik ky i spanjollëve, teksa bëhen ekipi i parë në histori, që mbron trofeun e Champions që pas ndryshimit të formatit të kompeticionit në vitin 1992. Ky ishte suksesi i 12 i Realit në Ligën e Kampioneve, më shumë se çdo skuadër tjetër, duke vendosur një diferencë me 5 trofe nga ndjekësi më i afërt, Milani, që numëron 7 suksese. Nuk ndalën dje (të dielën), thuajse të gjitha mediat evropiane, e më shumë ato italiane, duke e quajtur trofeun, si një pus në fund të të cilit nuk duket dritë për Xhixhin. “Dy gola të Ronaldos, një supergol i Kasemiros dhe një gol në fund i Asensios, e zhvlerësuan barazimin e përkohshëm të Manxukiçit, i cili realizoi një nga golat më të bukur të historisë së Ligës së Kampioneve”, citonte La Gazzetta dello Sport, e cila në sfond shkruante: “Pak Bufon, pak Juventus dhe Championsi për Zizunë e Ronaldon”. Ndërkohë, Juventusi nuk ia doli të bëhej ekipi i dytë italian që realizon tripletën, duke ia lënë këtë privilegj Interit, ndaj mediat italiane e kanë quajtur “Champions i mallkuar”, ndërsa portierin Bufon, si zhgënjimi më i madh i karrierës. “Fituan dhe e merituan plotësisht, ndërsa ne duhet të dalim sërish me pengje. Në episodet e ndeshjes, gjithçka na xhiroi mbrapsht”, ka qenë kjo deklarata e Bufon, e cila ka lënë më shumë nënkuptime për situatën e “Zonjës së Vjetër” në stadiumin e Kardifit. Dhe, nëse në Itali natyrshëm kanë kryqëzuar Juventusin, në Evropë e në Spanjë, elozhet ndaj Real Madridit nuk kanë munguar. Gazeta gjermane ‘Bild’, e quan këtë trofe të fituar nga madrilenët, si trofeun e përjetësisë për CR7. “Reali fiton Championsi, Ronaldo merr trofeun e përjetësisë”. Ndërsa Daily Mail, i quan të gjithë futbollistët e Realit si “Djemtë e Historisë”, ‘El Mundo Deportivo’ i ka quajtur ata në titullin e madh “Dymbëdhjetë herë Legjenda”. Gazeta sportive spanjole “Marça”, e quan Realin si “Legjenda e Championsit”, ndërsa Sportmediaset nuk nguron të shkojë më shumë në titull: “CR7 fenomenal, Championsi i Realit, Kupa tabu dhe s’ka tripletë juventine”. Për Realin e Madridit, kjo ishte finalja e 15-të që luante në Ligën e Kampioneve, që nga viti 1972 që u ndryshua formati, dhe prej tyre ka fituar 12 herë. “Legjenda, Mirupafshim në stadiumin e Kievit në vitin 2018”, kjo ishte ironia që L’Ekip kishte titullin e ditës.
Është një zhgënjim i madh, sepse u nxituam, nuk menaxhuam energjitë dhe cilësitë tona siç duhej. Dhe kjo bëri që në pjesën e dytë, Reali të tregonte të gjithë forcën dhe eksperiencën e tij
Fishekzjarri në Torino dhe paniku në sheshin San Karlo
Mbrëmja e djeshme në qytetin e Torinos, u mbërthye kaosi dhe paniku në sheshin “San Karlo”, gjatë zhvillimit të ndeshjes Juventus-Real Madrid, ku tifozët ishin mbledhur për të ndjekur së bashku këtë ndeshje para ekraneve gjigantë që ishin vendosur aty. Por, kur duheshin edhe pak minuta deri në përfundimin e ndeshjes, një episod ende i paqartë ka shkaktuar panik mes tifozëve, të cilët nisën të largohen me vrap nga sheshi, duke dëmtuar njëri-tjetrin. Sipas disa dëshmitarëve, një tifoz kishte hedhur një fishekzjarr duke bërtitur se ishte bombë, për të nisur panikun masiv në turmën e njerëzve. Policia nuk ka dhënë versionin e saj të ngjarjeve, të paktën deri dje në mbrëmje, por që nga ai moment, sheshi thuajse u boshatis nga tifozët.
Mediat italiane “kryqëzojnë” Higuain: Një turist në Kardif!
Ndoshta pritej më shumë nga sulmuesi i Juventusit, Gonzalo Higuain, pasi në një finale si e Ligës së Kampioneve, sulmuesit janë preferenca e parë e rezultatit. Kujtojmë që Juventusi shpenzoi 90 milionë euro në verën e kaluar, duke e rrëmbyer argjentinasin nga Napoli, dhe vetë ai deklaronte se:“Dua trofe, ndaj zgjodha Juven”. Në Serinë A, e nisi mes talljeve, për faktin se ishte kthyer mbipeshë nga pushimet, por shënoi gola me shumicë dhe i bindi të gjithë se vlen aq sa u pagua. Por, pothuajse Higuain ka një damkë: dështaku i finaleve! Te Juventusi tashmë nuk e kuptojnë, Higuain u ble për Champions Ligën, apo për pikë! Për fat të keq, ai i ka fobi finalet. Ka humbur finalen e Kupës së Botës dhe dy herë rresht Copa America me Argjentinën. Rastësi? Jo dhe aq, sepse në të gjitha finalet, Gonzalo në Argjentinë është bërë vendimtar në aspektin negativ, duke humbur raste flagrante për shënim. Aty e urrejnë, te Juventusi me siguri dashuria u zbeh të shtunën, ku “Pipita” ishte një turist në Kardif, preku nja 20 herë topin, sa për të regjistruar emrin në finale, pa Ronaldon të përpinte trofeun dhe u kthye në shtëpi, humbës si zakonisht në finale.
12 herë
Reali i Madridit e fitoi për të 12-ën herë Ligën e Kampioneve, saktësisht në vitet 1956, 1957, 1958, 1959, 1960, 1966, 1998, 2000, 2002, 2014, 2016 dhe 2017
FITUESIT E CHAMPIONS LIGË
Skuadrat Finale Fitore Humbje
Real M 15 12 3
Milan 11 7 4
Bajern M 10 5 5
Barcelona 8 5 3
Liverpul 7 5 2
Ajaks 6 4 2
Mançester J 5 3 2
Inter 5 3 2
Juventus 9 2 7
Benfika 7 2 5
Notingem 2 2 0
Porto 2 2 0
Sëlltik 2 1 1
Hamburg 2 1 1
Steaua B 2 1 1
Olimpik M 2 1 1
Borusia D 2 1 1
Çelsi 2 1 1
Fejenord 1 1 0
PSV 1 1 0
Ylli Kuq (Jug) 1 1 0
168 ndeshje
Portieri Iker Kasijas, ish-portieri i Realit, ka rekordin e ndeshjeve të luajtura në Ligën e Kampioneve me 168 të tilla
37 gola
Kristiano Ronaldo ka rekordin e golave të shënuar në këtë Kompeticion Evropian, ku në 106 të luajtura ka shënuar 37 gola
Juventusi “ngushëllohet” te të rinjtë, me golin e një shqiptari
Nëse Juventusi i të rriturve luajti të shtunën ndeshjen e fundit të këtij sezoni futbollistik, ku u mposht në finalen e Ligës së Kampioneve në Kardif përballë Realit të Madridit me rezultatin 1-4, janë të rinjtë e bardhezinjve që dje filluan ndeshjet e “play off”-it të kampionatit Primavera në Itali. Ata arritën të kualifikohen për në gjysmëfinale, pasi mposhtën në çerekfinale me rezultatin 1-0 Sampdorian. Golin e vetëm të takimit e shënoi sulmuesi 17-vjeçar me origjinë shqiptare, i lindur në Zvicër, Andi Zeqiri. Juventusi i të rinjve pretendon titullin kampion dhe drejtohet nga një ish-futbollist kampion bote me Italinë në 2006-n, Fabio Groso.
Sigal