Real Madrid prag falimentimi

707
Sigal

Madrilenët kanë borxh 500 milionë euro dhe në rast mos shlyerje, klubi është i detyruar të shesë yjet e tij

E gjithë Spanja ndodhet në krizë financiare, e cila ka prekur fort edhe futbollin. Por në gjithë këtë krizë, kur rrugët e Madridit janë pushtuar nga protestues kundër masave shtrënguese, është një klub futbolli që kryen shpenzime marramendëse.  Të gjithë i mbajnë mend blerjet shumëmilionëshe të Ronaldos, Kaka, Ozil & Co, blerje të kryera në kulmin e krizës financiare globale. Ish-menaxheri i përgjithshëm i “Los Blancos”, Jorge Valdano (i dorëhequr pas zënkave me Mourinho-n) thotë se madrilenët kanë luksin e shpenzimeve dhe pagave marramendëse për lojtarët e tyre pasi vetë shoqëria nxjerr 500 milionë euro në vit. Pas milionave të Realit qëndron presidenti Florentino Perez, zotërues gjithashtu i “ACS Construçiones”, kompania e tretë më e madhe në botë në fushën e ndërtimit. Por pikërisht ndërtimi është fusha e prekur më shumë nga kriza financiare. Kërkesat për blerje kanë rënë dhe shitjet nuk mbulojnë shpenzimet në këto kohëra të vështira për këtë sektor. “ACS” ka marrë një kredi prej 900 milionë eurosh tek banka spanjolle “Bankia”, e shtetëzuar tashmë për shkak të krizës dhe Real gëzon një borxh prej 500 milion euro. Banka, e gjendur ngushtë i shtriu dorën për ndihmë Bankës Qendrore Europiane duke përdorur si kolateral pikërisht futbollistët madrilenë. Si kolateral u vendosën shumat e shfrytëzuara nga Real i Madridit për blerjen e Ronaldo dhe Kaka. Dhe të gjithë tashmë me të drejtë pyesin, po nëse falimenton Bankia, çfarë ndodh me Realin e Madridit? Skenari më i keq, por edhe më i mundshëm është falimentimi, ose shpëtimi nga një blerës në gjendje të shlyejë borxhin galopant të tyre.

Klubet kanë arritur marrëveshjen, 25.6 milionë euro, ku hollandezi do të përfitojë 13 milion euro në sezon

Van Persin transferohet tek Juventus

Robin van Persi ka qenë gjithmonë objektivi kryesor i merkatos së Juventusit. Sulmuesi holandez ishte ylli që të gjithë prisnin të afronin në skuadër për repartin ofensiv dhe këmbëngulja e bardhezinjve duket se është shpërblyer. Nga Anglia ka ardhur lajmi se “Zonja e Vjetër” është vetëm një hap larg Van Persit. Negociatat duket se janë zhbllokuar dhe gjithçka falë bisedimeve ndërmjet klubeve. Sipas mediave pranë Arsenalit, pasi është dorëzuar në tentativat për të mbajtur lojtarin, trajneri i “topçinjve”, Arsen Venger duket se ka pranuar ofertën e Juventusit. Bëhet fjalë për një shifër rreth 25.6 milionë eurosh, më saktësisht 20 milionë stërlina. Në këtë mënyrë, Juventusi ka kaluar atë që ishte pengesa kryesore, ndërsa tashmë mbeten për t’u përcaktuar detajet e kontratës me futbollistin 28-vjeçar. Një problem përbëjnë edhe kërkesat financiare të Van Persit, që pretendon 13 milionë euro rrogë në sezon te kampionët e Italisë për kontratën, e cila pritet të jetë 5-vjeçare. Shifra do të ishte më e larta në historinë e klubit dhe duket e vështirë të shpenzohet nga presidenti Anjeli. Gjithsesi për Van Persin pritet të bëhet një sakrificë financiare, pasi ai është “top player”-i që Juventusi kërkon me forcë, për të vazhduar dominimin në Serinë A, por mbi të gjitha për t’u rikthyer protagoniste në Europë. Një tjetër manovër e klubit bardhezi për sa i takon sulmit pritet të jetë edhe shkëmbimi me Interin. Te zikaltërit do të kalonte Fabio Kualjarela, ndërsa bardhezinjtë do të merrnin Pacinin. Gjithsesi, trajneri Konte ende nuk ka dhënë “dritën jeshile”, pasi Juve pritet të shesë edhe Matrin te Milani dhe drejtuesi i stolit nuk preferon të bëjë ndryshime shumë drastike.

 Javi Martinez në planet e Barçës

Barcelona ka bërë një interesim formal për mesfushorin e Athletic Bilbao, Javi Martinez. Drejtori sportiv i Barçës, Andoni Zubizarreta, ka bërë një kontakt formal me Bilbaon javën e kaluar për të filluar negociatat për Martinez. Përgjigja e Atletic ka qenë që Barça të mbulojë klauzolën blerëse të lojtarit, që kap vlerën e 40 milionë eurove, nëse dëshiron të transferojë atë. Katalanasit kanë vetëm 26 milionë euro në dispozicion për transferime pasi tashmë harxhuan në mbrojtësin e Valencias, Jordi Alba dhe do të duhet të shesin për të kompletuar transferimin.

 Roben: Bajerni është i uritur për trofe

Anësori i Bajern Munihut, Arjen Roben, e ka bërë të qartë se klubi dëshiron trofe pas dy sezoneve të kaluara pa fituar asgjë. Bavarezët ishin mjaft të mirë në sezonin e kaluar duke konkurruar për titullin e Bundeligas, duke luajtur në finale të DFB-Pokal dhe në finale të Ligës së Kampionëve, por të gjitha i humbën në fund. “Lamë pas vetes një sezon, në të cilin ishim shumë afër të gjithë trofeve, por në fund nuk fituam asgjë”. “Uria për tituj tashmë është edhe më e madhe. Unë që tash ndjej dëshirë të madhe në skuadër, edhe pse na mungojnë disa lojtarë kyçë, të cilët janë akoma në pushim pas Euro 2012”, ka deklaruar holandezi për Bild.

 Hamsik, qëndron tek Napoli

Mesfushori sllovak, Marek Hamsik, ka hedhur poshtë çdo mundësi për t’u larguar nga Napoli këtë verë. Nuk kam arsye për t’u larguar. Është një projekt i rëndësishëm këtu, në të cilin edhe unë ndjehem i rëndësishëm”. “Kam ardhur para pesë vitesh, pas promovimit në Serie A dhe që atëherë ka pasur një ngritje të dukshme te Napoli”. “Jam i lumtur; pse të bëj ndryshim? Të fitoj më shumë? Mund ta bëjë këtë me Napolin. Në fakt, shpresoj që këtë vit të fitojmë tjetër trofe”, ka thënë Hamsik për “La Repubblica”.

 Lampard, i pa vendosur mbi të ardhmen

Frank Lampard thotë se ai nuk është sigurt nëse e ardhmja e tij qëndron ende te Çelsi. 34-vjeçari ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij aktuale me Blutë, por vazhdimisht është lidhur me një transferim te kampionët e Amerikës në futboll, LA Galaxy. “Nuk jam i sigurt. Kam edhe një vit të mbetur në kontratën time te Çelsi. Ne kemi një sezon të madh. Ne luajmë në Superkupë dhe në Kupën Botërore të Klubeve në dhjetor. Pastaj i takon Chelseat”. “Nëse ata duan të flasin me mua për të ardhmen time, atëherë do të flas me ta. Dhe nuk do të përjashtoj asgjë për momentin”, ka thënë Lampard.

 Kozak mund të largohet nga Lazio

Libor Kozak, sulmuesi i Lazio-s mund të largohet nga klubi kryeqytetas. Në këtë ditë grumbullimi me bardhekaltrit, futbollisti po bind teknikun Petkovic, që të mos ta lërë të largohet, gjë që evidentohet edhe në fjalët e Kozak.   “Unë shpresoj të bëj mirë dhe mbi të gjitha të shënoj, kur të kem mundësinë. Sa i takon merkatos është ende e hapur. Jemi shumë, do të ketë largime dhe prurje të reja, kështu që ta lëmë klubin të bëjë punën e tij. Objektivi ynë mbetet Champions-i dhe të përmirësohemi siç bëmë sezonin e kaluar”, deklaroi Kozak.