Reagon Pjanici pas akuzave se Juventusi bëri hile: S’mund të humbësh shkaku i gjyqtarit

444
Sigal

Mesfushori boshnjak i Juventusit, Miralem Pjanic, i ka kundërshtuar pretendimet se Juventusi bëri hile dhe se u ndihmua qëllimisht nga gjyqtari në mesjavë, duke i quajtur këto arsyetime të njerëzve që kanë humbur.

Juventusi e mposhti Genoan në mesjavë, falë një goli të shënuar nga pika e penalltisë në minutën e 96-të të ndeshjes nga Cristiano Ronaldo. Kjo penallti shkaktoi një debat të madh, pasi portugezi u duk se u rrëzua përkundër kontaktit të vogël që pat, transmeton Gazeta Express.

Fitorja kundër Genoas bëri që Juventusi të kthehet në kreun e tabelës së Serisë A, me një pikë më shumë sesa Interi, ndërsa Napoli është tetë pikë larg, pas barazimit me rezultat 2:2 kundër Atalantas.

Pasi gjyqtari e sinjalizoi fundin e ndeshjes, tifozë, lojtarë e ish-lojtarë reaguan ashpër ndaj “Zonjës së Vjetër” duke e akuzuar atë për hile dhe për ndihmë nga gjyqtari, pasi që vlerësonin se disa incidente që duhej të kishin përfunduar në penallti për Napolin u injoruan, ndërsa Juventusi fitoi me penallti që s’duhej të ishte akorduar.

Ndaj këtyre thirrjeve tani është përgjigjur mesfushori i Juventusit, Miralem Pjanic, i cili i ka quajtur këto pakënaqësi si arsyetime për humbjen e pësuar.

“Ti kurrë nuk humbet shkaku i një gjyqtari. Ky është vetëm një arsyetim”, ka thënë boshnjaku në një intervistë të dhënë për Tuttosport.

“Kur ti largohesh nga fusha pas një disfate, ti je shumë i zemëruar dhe mund të thuash shumë gjëra. Por, ta fajësosh dikë tjetër është gjëja më e lehtë që mund ta bësh”.

“Gjyqtarët mund të bëjnë gabime po në të njëjtën mënyrë siç mund të gabojmë edhe ne. Sot, VAR-i po i ndihmon edhe gjyqtarët edhe tifozët. Në këtë pikë, unë s’u kushtoj më rëndësi këtyre komenteve”.