Reagon Kreu i FSHF-së, Duka: Dy fjalë për mushkonjën që shpërndan dhunë

517
Sigal

Kreu i
FSHF-së, Duka, ka bërë një reagim mjaft të ashpër në faqen e tij zyrtare në
Facebook, kundër deputetit të PS-së Braçe, i cili ka sulmuar numrin 1 të
Federatës për ngjarjen e shëmtuar në ndeshjen Partizani -Skenderbeu të luajtur
në “Elbasan Arena…”



Ja argumenti i Armand Dukës


“DY FJALË PËR “MUSHKONJËN” QË
SHPËRNDAN DHUNË

Jashtë natyrës time, madje dhe
jashtë dëshirës personale, por i detyruar nga karrigia që kam dhe në emër të
progresit të futbollit shqiptar, dua t’i them dy fjalë deputetit të Partisë
Socialiste, të ashtëqujturit tifoz Vip të Partizanit Erjon Braçe, por që në
fakt po vërteton përditë se është një tifoz i degraduar i një ekipi dinjitoz si
Partizani.

Po e bëj këtë, jo se jam i
shqetësuar për fyerjet, shantazhet, të pavërtetat që thotë në adresë të
Federatës Shqiptare të Futbollit,( Federata në rrugën e saj për ta sjellë
futbollin këtu ku është ka pasur shumë mushkonja vërdallë),po për të vetmin
fakt, e theksoj të vetmin fakt, se statuset e tij publike, të thëna jo thjesht
nga bluza e një tifozi, por nga kostumi i një politikani e parlamentari, janë
nxitje e pastër dhune në futbollin shqiptar.

Ka shumë politikanë tifozë
fanatikë kudo në botë, por të gjithë janë të kujdesshëm dhe për shkak të
pozicionit që kanë dhe impaktit që kanë në opinionin publik, që të mos përdorin
një gjuhë të tillë si ajo prej rrugaçi e Braçes. Ju kujtoj këtu dhe ish liderin
e partisë Demokratike dhe ish Kryeministrin Sali Berisha, i cili kur e pyesnin
gazetarët se me kë ishte tifoz, përgjigjej jo pa qëllim “me atë që fiton”.

Erjon, futbolli është një sport
që luhet në fushë dhe jo në kokën tonë. Futbolli është një sport i burrave me
karakter të fortë, që flasin pak dhe luajnë fort, jo i atyre si disa nga ju në
Parlament, që flasin shumë dhe nuk bëjnë asgjë. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi
mund t’i kapërdijmë shpifjet e tua për Federatën, por që të nxisësh dhunë dhe
të “erionizosh” futbollin shqiptar siç bën me parlamentin dhe zonën e cila të
zgjodhi deputet, këtë jo, këtë nuk e bën dot as me futbollin shqiptar dhe as me
Federatën.

Dhe a e di pse? Jo se nuk të
lejojmë unë dhe bashkëpunëtorët e mi, po për një fakt të thjeshtë: standartet
dhe niveli i futbollit shqiptar dhe i organizmave të tij janë shumë e shumë më
lart se niveli i poltikës shqiptare. Federata dhe futbolli shqiptar nuk janë
Laguna e Karavastasë ku ti fut duart si të duash. Fatkeqësisht, kemi ëndrra të
ndryshme: unë ëndërroj që politika shqiptare të arrijë nivelin e futbollit
shqiptar, ndërsa ti ëndërron që futbolli shqiptar të arrijë nivelin e
politikës. Duke pasur në subkoshiencë këtë ëndërr regresive, unë mendoj se ti
nuk i duhesh as Partizanit si tifoz, gjithashtu mendoj se nuk i duhesh as
Parlamentit si deputet.

Meqë ra fjala, kam dëgjuar se si
në Divjakë, pikërisht, prej sjelljeve të tua dhe gjuhës tënde për herë të parë
pas 100 vjetësh ka tifoza të Tiranës. Nuk e di sa kanë ndërruar mendje dhe
përkatësinë partiake prej gjuhës tënde, të them të drejtën. Gjithsesi kjo punë
nuk më takon ta gjykoj unë, i takon shefave të tu.

Unë nuk të ndaloj dot ty të vazhdosh
të bësh “goren”, sepse dhe ti vetë, fundja fundit, ja ke pare hajrin rolit të
gores në politikë, nuk të ndaloj dot as të jesh mushkonjë, por të jesh një
“mushkonjë” që nxit dhe shpërndan dhunë e urrejtje në futbollin shqiptar këtë
do të ta ndaloj gjithmonë sa të kem frymë, verbalisht dhe legalisht.

Si përfundim, jam i sigurtë që
nuk ke ndërmend asnjëherë të vizitohesh te psikiatri, sepse përveç të tjerave,
siç thashë dhe më parë deri tani të ka dalë për mirë ky rol. Po gjithsesi, kur
të kalojnë helikopterat e Ministrisë së Shëndetësisë për dezifenktimin e
mushkonjave në Divjakë, rri dhe ti aty: unë e di shumë mirë, ti nuk do pushosh
kurrë së qëni “gore” apo “mushkonjë”, por të paktën të jesh një mushkonjë që
nuk shpërndan dhunë, se këtë nuk ta ka për borxh futbolli shqiptar.”