Rauf Dimraj: “Edukimi Fizik, sfidë e shkollës dhe shoqërisë”

1190
Sigal

Mbrojtja, përmirësimi dhe zhvillimi i shëndetit të rinisë e shoqërisë sonë, deri tani ka qenë sedentare, pasive, obeze e me patologji të shumta, te cilat janë të lidhura domosdoshmërisht me faktin që mësimi i edukimit fizik në shkolla të organizohet, masivizohet e zhvillohet vetëm mbi baza shkencore prej moshës 3 deri në 18 vjeç. Ky ka qenë për zëvendësministrin e Arsimit dhe Sporteve, Prof. Asoc. Dr. Rauf Dimraj, lajtmotivi i hartimit të “Platformës së Edukimit Fiziko-Sportiv në Arsimin Parauniversitar”. Nën optikën e re të kësaj platforme orët e edukimit fizik programohen që të garantojnë zhvillimin e rezistencës organike, uljen e përqindjes së dhjamit trupor, zhvillimin e forcës së muskujve të trupit dhe zhvillimin e fleksibilitetit të muskulaturës së trupit e të gjymtyrëve. Zëvendësministri Dimraj në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, ndër të tjera shprehet se një platformë e tillë ndërtohet për herë të parë dhe marrja e fryteve pozitive të saj, gjatë zbatimit në të gjitha ciklet e sistemit arsimor parauniversitar, kërkon vlerësim dhe mirëfunksionimin e gjithë faktorëve njerëzorë e infrastrukturorë.

Në ç’situatë e gjen sistemin arsimor parauniversitar “Platforma e Edukimit Fiziko-Sportiv”?


Situata reale e mbartur nga vitet, për shkak të shumë faktorëve që në këtë shkrim s’mund të ndalemi për t’i trajtuar, nuk është ajo që duhej të ishte në favor të platformës për edukimin fiziko-sportiv. Ndër disa prej tyre mund të përmend: Ambientet sportive nëpër oborret e shkollave shqiptare shpesh janë të kyçura me çelës duke pamundësuar kështu zhvillimin e aktiviteteve fizike dhe promovuar sedentaritetin dhe dhjamosjen e fëmijëve tanë. Aktiviteti fiziko-sportiv në vendin tonë fatkeqësisht konsiderohet si një aspekt me përmbajtje të pakët kulturore, ndërkohë që bota e përparuar e kualifikon si një nga shtyllat themelore të zhvillimit të jetës së qytetarëve. Është konstatuar se popullsia jonë aktivizohet fizikisht-atletikisht në masën 4 %, që tregon se aktiviteti fizik është pakësuar në përmasa të theksuara, ndërkohë që
në Finlandë masivizimi i aktivitetit të rregullt fizik kap 92 % të popullsisë, pra 23 herë më shumë se në Shqipëri. Mësimdhënia në shkollat tona, shpesh bëhet nga mësues pa kualifikimin përkatës për edukimin fizik dhe sportin. Masa prej 96 % e nxënësve nuk kanë kartelë për matjet antropometrike, ekzaminimet mjekësore dhe aftësitë fizike-atletike. Pjesa prej 86 % e shkollave të arsimit parauniversitar nuk kanë mjetet e nevojshme të materialeve didaktike në shërbim të orës së mësimit të Edukimit Fizik. Nuk është nxjerrë ndonjëherë situata e peshës optimal të mbipeshës ose të obezitetit për nxënësit e shkollave. Fëmijët e sotëm shqiptarë janë më të dhjamosurit në tërë historinë e ekzistencës së popullit tonë.
Ndonjë element më të detajuar mund të përmendni ? Një platformë e përshtatshme dhe efikase për çështjet e shëndetit publik duhet të bazohet mbi praktikimin masiv të lëvizjes, e cila është antidoda më natyrale kundrejt patologjive. Ndër konkluzionet e studimeve të Mjekësisë, të Filologjisë së Ushtrimit fiziko-sportiv të Sociologjisë Sportive, renditet edhe ajo që obeziteti mund të godasë cilindo person , sidomos ato subjekte që bëjnë jetë sedentare dhe shoqërohen me një sërë pasojash: sëmundje zemre, diabet, mbitension, lloje të kancerit, shqetësime psikologjike, dhimbje dhe dëmtime të kolonës vertebrale e të gjymtyrëve etj. Aktiviteti fiziko-sportiv që zhvillohet në mënyrë të përshtatshme dhe të vazhdueshme ndikon pozitivisht në jetën e njeriut dhe e mbron atë nga sëmundjet e mësipërme, rrit me pesë vjet jetëgjatësinë, ndihmon në mënjanimin e duhanit, alkoolit, drogës dhe përmirëson marrëdhëniet dhe kushtet sociale. Për të pasur një shëndet të shkëlqyer, individi duhet të praktikojë aktivitetin fiziko-lëvizor që zhvillon rezistencën, fuqinë aerobike, pakëson përqindjen dhjamore të trupit, zhvillon forcën, fleksibilitetin e trupit dhe të gjymtyrëve. 
 
A mund t’i njihni lexuesit e gazetës “Telegraf “ me qëllimin, konceptin dhe funksionin e kësaj platforme? 
 Qëllimi i kësaj platforme është masivizimi i edukimit fiziko-sportiv në sistemin arsimor shqiptar dhe më tej, si e vetmja mënyrë prej së cilës mund të gjenerojmë shëndet cilësor dhe të kthejmë në vlerë kombëtare energjitë e talentet e vendit. Konceptimi është bërë mbi eksperiencat, traditat, arritjet shkencore në botë, kërkesat e kohës për këtë ndryshim, zhvillimet e sotme për të qenë fleksibël dhe në avangardë të problematikave. Funksioni mbështet në dy hemisfera të mëdha, njëra ofron të konkretizuar qëllimin dhe pjesa tjetër paraqet mënyrën për t’ia arritur qëllimit. 
 Ç’hapa janë duke u hedhur në këtë drejtim ?
 Elementet që materializojnë qëllimin e kësaj platforme do të trajtohen në mënyrë konceptuale
dhe analitike. Kështu, formimi dhe ngritja në një nivel të ri cilësor dhe bashkëkohor të programit të edukimit fizik dhe sportit në sistemin arsimor do të arrihet mbi zhvillimin e tri orëve mësim të edukimit fizik në të gjithë sistemin arsimor, ndërtimin e programeve konkrete për të gjitha nivelet e grup moshave në sistemin arsimor parauniversitar, trajnimin teorik dhe praktik të mësuesve të edukimit fizik, plotësimin e kartelës individuale të nxënësve dhe pyetësorët familjarë. Natyrisht të gjitha gjërat janë shumë më të detajuara, si në programet mësimorë edhe në trajnimet e mësuesve, me qëllime dhe objektiva për çdo çështje, vlerësimin dhe testimin e nivelit profesional të mësuesit, programet për të gjitha grupmoshat, zhvillimin e cilësive strukturore e funksionale të përgjithshme e specifike, aftësitë kondicionale e ato koordinuese, institucionalizimi i trinomit familje-nxënës-shkollë, krijimi i ekipeve sportive. Pikëmbështetje të tjera janë : aktivizimi i jetës fiziko-sportive në shkolla dhe rritja e shkallës së masivizimit të tij në një nivel më të lartë gjithëpërfshirës, kostot që ka zhvillimi i kësaj platforme, mënyrat që duhen ndjekur për evidentimin e saktë dhe mbështetjen mbi një studim profesional e shkencor, përcaktimin e politikave evidentuese studimore, projektuese dhe menaxhuese për edukimin fiziko-sportiv në sistemin arsimor, për të krijuar burime financimi alternative për gjithë sistemin arsimor. Kuadri i plotë nuk mund të kuptohet pa marrë në konsideratë rolin e mekanizmave arsimorë të të gjitha niveleve, median dhe rolin e saj, planet e veprimit për realizimin e platformës. Tërësia e këtyre elementeve dhe nën elementeve, harmonizimi i plotë i tyre, impenjimi maksimal nga të gjithë partnerët në zbatim, garantojnë kapjen e objektivave të pritshme të kësaj platforme, vizionare për edukimin fiziko-sportiv.
Përgatiti: Petrit Malushi