Rauf Dimiraj: Sporti shqiptar e ka pikënisjen të procesi akademik dhe praktika profesionale

534
Sigal

 

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” 
Zëvendësministri i Arsimit e Sporteve, Rauf Dimraj, akademiku i rendjes
që vrapon për sportin edhe në institucione

 

Cilësia e sportit shqiptar, produkt i edukimit fizik

 

Nga Agron KAJA

 

Së pari ju kërkoj ndjesë për këtë “vonesë” bashkëbisedimi
në detyrën tuaj të re si Zëvendësministër për Sportet.

Realisht ka qenë e nevojshme që unë të shkruaja mbi arritjet në fushën e
edukimit fizik, për të stimuluar një njohje më të madhe të publikut, mbi vlerat
dhe efektet pozitive që sjell zhvillimi i lëvizjes fizike, për shëndetin fizik,
mendor, psikik, sportiv të çdo individ.

Në CV-në tuaj intelektuale, mendoni se në këtë periudhë
ky është një post kulmor në karrierë?

Unë kam pasur disa poste kulmore në karrierën time, brenda dhe jashtë
vendit, veçanërisht në fushën e sporteve, ku përfshihet edhe detyra e sotme.
Këtë e mendoj si kulmimin e vlerësimit në vendin tim, i cili më ka mundësuar të
motivohem shumë në punë, të jap maksimumin e eksperiences.

 

Me atletikën si i keni marrëdhëniet gjatë kësaj kohe që
më shumë duhet të jeni në zyrë?

Marrëdhëniet e mia me atletikën janë më të fuqishme se më parë, pavarësisht
se puna e zyrës më merr shumë kohë. Pozicioni që kam, më ka mundësuar të
kërkoj, argumentoj e modeloj, ndërtimin e pistave me tartan në stadiume, të
cilat përbëjnë themelimin e infrastrukturës sportive, jo vetëm për atletikën,
falë mbështetjes pa hezitim të Kryeministrit Rama. Pra kemi bërë atë që është
më se e nevojshme dhe më se e vlefshme, duke programuar me vetëdije, përmbajtjen
e orës të mësimit të kësaj lënde parësore, për moshat 6-18 vjeç, si rruga e

vetme garanton të stimulohet e ardhmja për progresin intelektual, fizik,
sportiv, psikik, social, human dhe cilësisë së jetës sonë.

Në dijeninë e gazetës, ju keni edhe angazhime akademike.
Sa ju pengojnë ato në detyrën e zëvendësministrit, apo edhe në aktivitetin tuaj
fizik?

Angazhimet e mia akademike, kanë nisur që në vitin1982 kur unë fillova të
kuptoj që sporti në radhë të parë është shkencë, e cila duhet të udhëheqë
edukimin fizik, seleksionimin dhe llogaritjen e ngarkesave stërvitore, në
sportin kompetitiv e atë amatorial, në mënyrë të individualizuar, për secilin
sportist. Tani unë kam mundësi që angazhimet akademike, ti bashkëngjis në të
gjitha reformat qe kemi ndërmarrë e zhvilluar si MAS, për fushën e lëvizjes
fiziko-sportive, përgjatë gati tre viteve të fundit, e që do vazhdohet më tej
deri në  realizimin e objektivave të
qarta shkencore.

Në një intervistë vite më parë në gazetën “Telegraf”,
jeni shprehur se me aq sa ju keni vrapuar i keni rënë Botës tre herë rreth saj
me vrap. Sot, sa është kjo distancë?

Po, është e vërtetë që ju deklarova disa vite më parë, se i kisha tejkaluar
me vrap tre xhiro rreth botës. Por tashmë distanca është rritur edhe me 60 km
më shumë në çdo javë, në bashkërendim edhe me zhvillimin e forcës muskulore
trupore që unë bëj në palestër me një volum rreth 40 ton në javë.

Natyrisht që nga trajningu nuk keni hequr dorë ende, edhe
pse jeni Zëvendësministër për Sportin?

Njeriu i vërtetë heq dorë nga trajningu polisportiv individual dhe
kolektiv, vetëm kur ai vdes. Njeriu u bë njeri vetëm nga lëvizja. Pra njeriun
nuk e bëri njeri, as matematika, as fizika, e as ndonjë shkencë tjetër. Është e
kundërta, që pikërisht njeriu, i shëndetshmi, pas qindra e qindra shekujsh,
shpiku matematikën, fizikën, etj. dhe përmirësoi cilësinë e jetës së tij.
Trajningu që unë zhvilloj, në fakt është për mua një nga mënyrat më të lehta
për të transmetuar dijen, shkencën e sidomos praktikën më pararojë të lëvizjes
fiziko-sportive.

Duke qenë se mbuloni një sektor administrativisht nën
“sqetullën” e një ministrie, sa e vështirë bëhet detyra e Zëvendësministrit për
Sportet brenda Ministrisë së Arsimit?

Për më shumë se dy dekada, pas viteve 1990, rezultoi një pakësim i theksuar
i mësimit të edukimit fiziko-sportiv, në gjithë shkollat e vendit. Kjo lëndë u
hoq nga kurrikula mësimore, për nxënësit e moshës 17-18 vjeç. Kjo ndodhi
në   ministrinë përkatëse dhe përpara
syve të të gjitha institucioneve, përfshirë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
dhe u shoqërua me një dëm tepër të madh, natyrisht shkaktuar nga drejtues të
lartë të edukimit fizik dhe sportit, por të prapambetur e abuziv, sikundër disa
prej ish zv/Ministrave, të cilët lejuan tjetërsimin e terreneve sportive,
vendosën që të shkriheshin klube sportive, e si për zotësi bënë ritmikisht
trukime të rrezikshme në këtë fushë, madje edhe uzurpuan e drejtuan dhe Qendrën
Kërkimore Shkencore të Sportit, pavarësisht se kishin mësuar vetëm aritmetikën
e thjeshtë.

Shpesh federatat sportive “qahen” për fondin grand që jep
Ministria për çdo vit, si është kjo situatë për vitin 2017?

Mendoj se federatat janë një institucione vendimtare  për arritjen e shumë objektivave kombëtare;
ato janë  ndihmëse dhe promotore të
fuqishme shoqërore. Ato nuk janë thjesht OJF që kërkojnë ca fonde për të qëndruar
në këmbë. Në opinionin tim, marrëdhëniet 
Federatë-Fondi Grand-Ministri, kanë nevojë për një rishikim thelbësor,
konceptual. Nevojitet që çdo federatë të paraqesë strategjinë zhvillimore e
bashkëpunuese për: asistencë shkencore; asistencë teknike; asistencë mjekësore
dhe asistencë sociale.

Mendoni se këto programe do të risin më shumë
bashkëpunimin Federatë-Ministri?

Nëse do kemi modele e programe të tilla federatash, atëherë edhe
bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, sigurisht qe do të jetë
efikas e do sjellë edhe rezultatet që duam, jo vetëm për cilësinë sportive.

Në Shumësportëshin ka patur problematikë të mbartur ku
kanë funksionuar të ashtuquajturat “Federata me dy koka”, sot si është kjo
situatë?

Po, këto fakte kanë qenë një historik e një problematikë e mbartur nga e
kaluara, por me ligjin që po synohet të ndryshojmë, do të arrihet të
përjashtohet kjo mundësi abuzimi.

Jemi në mbyllje të vitit 2016, cili është përfundimi i
Ministrisë për çka është arritur tek sportet në këtë hark kohor vjetor?

Sigurisht, kjo pyetje kërkon fillimisht që të dimë se, ku ishim, çfarë kemi
bërë dhe ku do të mbërrijmë, domethënë se cilat janë objektivat afatshkurtër
dhe afat gjatë, që duhen realizuar. Mësimdhënia në shkollat tona, në shumë
raste kryhej nga mësues që nuk janë specialistë të fushës së edukimit fizik.

Sporti i notit i bëri një mbyllje dinjitoze pjesëmarrjes
në Kampionatin Botëror në pishinat 25 m, çfarë të veçante ka kjo federatë
sportive në këto rezultate?

Rezultati i arritur nga kjo federatë, flet me shumë se çdo fjalë dhe të jep
satisfaksionin që të bën të shpresosh se organizimi e programi i kësaj
federate  po zhvillohet sipas kombinimit
të atyre hapave kryesore që përmenda me sipër. Gjithashtu, është kënaqësi për
të gjithë kur shikon Presidentin e Federatës së Notit që stërvitet edhe vetë
rregullisht.

Sa e kanë justifkuar punën e tyre federata sportive me
arritjet apo mosarritjet që kanë patur gjatë vitit 2016?

Siç e shpjegova me sipër, në mendimin tim kemi nevojë të ndryshojmë
konceptin mbi rolin e federatave, në kuptimin e qëllimeve të tyre konkrete, si
edhe të ndryshojmë mentalitetin e bashkëpunimit nga ana e tyre, duke marrë në konsideratë
jo vetëm fondin grand, por veçanërisht organizimin dhe bashkëpunimin me nivel
të lartë shkencor, midis përfaqësuesve të federatave dhe përfaqësuesve të
Ministrisë. Që kjo marrëdhënie të ketë ecuri pozitive, është e nevojshme prania
e një niveli të lartë intelektual dhe profesional, midis perfaqësiuesve të të
dyja palëve.

Në këtë kuadër, cilat do të jenë prioritetet e sportit
për vitin në vazhdim?

Së pari, Ligji mbi sportin është thelbësor e më pas, Strategjia e
Zhvillimit të Sportit, institucionalizimi dhe funksionaliteti i inspektorit të
edukimit fizik pranë Drejtorive Arsimore Rajonale. Së bashku me këto
prioritete, nevojitet edhe botimi i teksteve të nxënësve për lëndën e edukimit
fizik në arsimin parauniversitar, për të cilat po hasim vështirësi, sepse disa
anëtarë komisioni  nuk e dinë vlerën dhe
efektet që jep lëvizja fizike kur udhëhiqet nga librat e shkencës.
Bashkëpunimet me federatat për të përcaktuar realisht objektivat e tyre dhe
planet që ato kanë, si dhe mbështetja e federatave prej MAS, sipas meritës së
testuar, do të jenë prioritete që do të sjellin ndryshim.

Po, pas ndryshimeve administrative që u bënë nga Reforma
Territoriale, mendoni, se është koha të krijohet një Ministri Sporti në
Shqipëri?

Nuk mund të arrihet një cilësi e lartë e jetës pa kontributin e aftësive
fiziko-lëvizore të individit. Janë aftësitë fizike ato që mundësojnë të
konkretizohet në jetë kontributi i madh i aftësive mendore të shoqërisë, pa
lodhje të mëdha. Por,  fatkeqësisht janë
të pakët ata intelektualë që e dinë dhe e vlerësojnë me këtë metër kontributin
e kësaj fushe, prandaj nuk është momenti e detyrohemi të presim sa të bëhen
votat e nevojshme për të fituar këtë status më se të merituar.

 

 

 

 

 Angazhimi
akademik është madhor

Më pas, angazhimin tim akademik e kam zhvilluar hap pas
hapi, çdo dite, e paralelisht e kam modeluar edhe në praktikë, në shërbim të
disa pacientëve, të cilët tashmë i kanë mbikaluar sëmundjet, nga infarkti,
azma, hernie diskale etj. Unë e quaj që angazhimi akademik është madhor,
atëherë kur realizohet transmetimi dhe modelimi në praktikë, i shkencave të
lëvizjes fiziko-sportive në mbarë sistemin arsimor, e të përvetësohet nga masa
e gjerë e mësuesve, fëmijëve, nxënësve, të rinjve e të gjithë qytetarëve tanë,
pasi është nevojë parësore edukimi i shoqërisë, me këto parime që garantojnë
zhvillimin e shëndetit, pasurisë më të shtrenjtë të njeriut.

 

 

Fondi Grant, dhe dy anët e medaljes

1. Njëra anë e medaljes, është kërkesa e federatave sportive,
për rritjen e financimit të tyre nëpërmjet Grandit, kërkesë e cila është e
përherëshme dhe përherë bëhet me zë shumë të lartë, në media e kudo. Realisht
madhësia e financimeve të federatave nga Grandi, është shumë e pakët dhe shpesh
është

dekurajuese.

2. Ana tjetër e medaljes, është niveli i cilësisë
sportive të këtyre federatave, që përgjithësisht është i ulët (përjashto ndonjë
atlet, peshëngritës, notar), por kërkesa për fondin Grant, asnjë prej
federatave nuk e shoqëron me projekt bindës, për të garantuar rritjen e
cilësisë sportive.

 

 

 

 

Trajningu, pararojë e lëvizjes sportive

Këtë unë e quaj një shërbim shumë të vlefshëm shoqëror.
Konkretisht, në përputhje me programin e platformës që miratuam në MAS, unë
zhvillova

teorinë dhe stërvitje në fushë, me pothuajse të gjithë
mësuesit e edukimit fizik, të të gjithë rajoneve të vendit. U punësuan 720
mësues, tashmë të trajnuar, të sadisfaksionuar e të stimuluar denjësisht, pasi
për herë të parë fizkultura po zhvillohet me tre orë mësimore në javë dhe u
rrit maksimalisht dinjiteti dhe personaliteti i këtyre specialistëve, që
alfabetizojnë lëvizjen fizike e atrecojnë vendin me sport. Këta mësues janë
potenciali i vyer i shoqërisë sonë, sepse janë ata që zhvillojnë shëndetin,
pasi njohin e zbatojnë metodikën e uljes së mbipeshës e obeziteit të nxënësve,
e edukojnë rininë shkollore me një stil të shëndetshëm jetese dhe rrisin
rendimentin e shumanshëm të tyre, përfshirë atë intelektual, human dhe
ambjental të mbarë publikut shqiptar. Jo çuditërisht, dikush me detyrë të lartë
në ministri, më cilësoi se me këtë trajnim që unë i bëra mësuesve nëpër
terrenet e Shqipërisë, kisha shkelur ligjin dhe degjeneruar figurën e anëtarit
të Qeverisë, pasi kisha dalë në fushë dhe stërvita me të mbathura sportive. Jo cuditërisht,
Presidenti i Federatës Botërore të Sportit Shkollor, zoti Petrynka, kur erdhi
dhe pasi e verifikoi këtë trajnim teorik e praktik të mësuesve të edukimit
fizik, ai e quajti si realizimin më të shkëlqyer e më unik, të zhvilluar
ndonjëherë në botë dhe i mori për publikim fotot e trajnimeve.

 

 

Edukimi fizik, i institucionalizuar në shkolla

Përballë këtyre vështirësive e koncepteve të rrënjosura thellë, kjo
Ministri mori masat e duhura dhe falë mbështetjes së znj. Nikolla, tashmë është
institucionalizuar pothuajse plotësisht edukimi fizik, duke konsoliduar
procesin e domosdoshëm për testimin e cilësive fizike atletike në shkollë, që
bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe po progresohet pozitivisht në aspektin e
marrëdhënieve të secilit nxënës me trupin dhe shëndetin personal, si dhe
marrëdhënieve midis individëve, pra po formojmë një konceptim bashkëkohor nga
ana e rinisë shkollore, për këtë fushë të rëndësishme të jetës. Ky proces po
evulon dhe po bëhet më i vlefshëm, më i dukshëm dhe më i lehtë, për tu kuptuar
e pranuar, së pari prej disa kolegëve në MAS, por edhe prej disa mësuesëve, e
më tej prej nxënësve dhe prindërve, e që realisht është një përshkallëzim që u
mbështet natyrshëm dhe tashmë është rritur mirëkuptimi kundrejt këtyre zhvillimeve
pozitive, që kanë ndodhur e po ndodhin në vazhdimësi, për edukimin fizik në
arsimin parauniversitar. Për më saktësi duhet thënë se MAS ka përgatitur e
zhvilluar programe të përshtatshme transformimi, për të gjithë aparatet,
kardiorespiratorë, nervorë, endokrinë, renalë, lëvizorë të nxënësve,  në 
mënyrë që të realizohen ndryshime të proceseve metabolike, strukturore,
funksionale, në përputhje me  moshën,
gjininë, aftësitë fiziko-atletike, psikologjike, ndërtimin trupor dhe motivimin
e cdo subjekti në shkollë.

 

 

 

Rauf Dimraj

Datëlindja: 8 mars 1946/ Vendlindja: Durrës

Sporti: Atletikë, gara 800, 1500 m&

Arsimi: Diplomuar inxhinier elektronik dhe në ILKF “Vojo Kushi”, specialist
për fiziologjinë e e aplikuar në sport, përgatitës atletik për futbollin.

Aktiviteti si atlet: Me Dinamon 1962-1979, me Kombëtaren 1965-1979

Rekorde kombëtare: 8 (tetë)

Aktiviteti si trajner: Me Dinamon 1979-1989, 1985-1989 kryetrajner i
Kombëtares, 1991-1998 trajner, 1998-2000 trajner i përgatitjes fiziko-atletike
pranë Federatës Kombëtare të Sporteve Dimërore në Itali.

Detyra në sport: Më 1991-1998 drejtor në klubin shumësportësh Dinamo,
2001-2007 drejtor i sporteve në Bashkinë e Tiranës, 2008-2009 përgjegjës i
kujdesit shëndetësor Bashkia Tiranë, 2001 e në vazhdim; përgatitës atletik në
futboll që nga viti 1982; lektor për licencimin e trajnerëve në kurset UEFA B
dhe UEFA A, UEFA PRO 2003-2015; Sekretar i klubit të futbollit “Tirana”
2009-2011; Zëvendësministër i Arsimit e Sporteve 2014 e në vazhdim