Rasti hipotetik “Olayinka”/ Futbollist i huaj që aktivizohet për Kombëtaren shqiptare?!

538
Sigal

Lojtarë që nuk kanë origjinë shqiptare të bëhen pjesë e Kombëtares Shqiptare të futbolli?! A mund ta pranojë Shqipëria këtë?! Ne kemi shumë futbollistë të mirë vetë, të investojmë tek ata, pse duhet të marrim të “huaj”?! Nuk na duhen futbollistët që nuk kanë gjak shqiptar! Të luajë për Kombëtaren e tij, pse duhet të vijë për Shqipërinë?!….. Janë të shumta reagimet që mund të kapërcejnë kokën e çdo tifozi që e ndjek Kombëtaren, mendime që kryesisht lindin nga ideja për të pasur një skuadër sa më të “pastër”, ku përbërja të jetë 100% shqiptare. Ka disa ditë që qarkullon një lajm, më saktë një dëshirë e shprehur e Blendi Shkëmbit, kapitenit të Skënderbeut, që tha se Peter Olayinka, sulmuesi 19 vjeçar i Skënderbeut, duhet të pajiset me pasaportë shqiptare e më tej të thirret edhe në Kombëtare sepse është shumë i talentuar. Nisur nga kjo, një përgjigje dha edhe De Biazi ku tha se duhet të pajiset me pasaportë, e pastaj do vlerësohet edhe talenti i tij. Futbollisti në fjalë është nga Nigeria dhe në fakt ka bërë paraqitje shumë të mira me Skënderbeun, ku kujtojmë se ka shënuar edhe 5 gola. Ky është rasti i parë (edhe pse aspak në stade zyrtare) që të bën të mendosh se edhe Shqipëria do të ketë në përbërje futbollistë jo me origjinë shqiptare e në qoftë se lojtari pranon, e gjithashtu edhe trajneri e vlerëson praninë e tij, çdo gjë është e pritshme. Mjafton të përmendim një rast, një shtet që aktualisht gëzon titullin si Kampione Bote, Gjermania, ku në përbërje të skuadrës ka futbollistë të kombësive të ndryshme, turq, tunizian, polakë, shqiptar, sigurisht ka edhe gjerman. Ajo që arritën ishte fitorja e titullit, diçka që e ka arritur edhe Franca me futbollistë të kombësive të ndryshme. Kuptohet që në këtë rast po flasim në radhë të parë për dy shtete që prania e të huajve është thjeshtë e madhe, investimet në futboll po ashtu, por ideja kryesore mbetet pranimi që në radhë të parë tifozët vendas i bëjnë futbollistëve, ku vlerësohet zgjedhja që kanë bërë për të përfaqësuar një shtet apo një tjetër. E duke u kthyer tek Olayinka, nëse aftësia e tij është e dukshme, dëshira për të përfaqësuar Shqipërinë po ashtu, e këto dy faktorë si kundërpërgjigje pozitive kanë thirrjen e trajnerit, pse jo? Futbolli është një sport që më shumë vlen për të bashkuar njerëzit sesa për të ndarë, e nisur nga kjo ç’ rëndësi ka origjina, kur përpara saj është dëshira dhe vullneti i mirë? Kuptohet që në fazat ku jemi, çdo gjë është hipotetike, (përveç deklaratave), por nëse nuk do të jetë Olayinka, e sigurt që në vitet në vazhdim do të jetë një tjetër që nuk ka kombësi shqiptare që do të bëhet pjesë e Kombëtares. Kombëtarja Shqiptare e futbollit ka histori të veçantë sa i përket kontigjentit të futbollistëve që ka aktualisht në përbërje (kombësi shqiptare të gjithë, por siç e dimë vijnë sa nga Shqipëria, Kosova dhe shtete të tjera, së fundmi u bashkua edhe një shqiptar i Maqedonisë, Aliji), por edhe të atyre futbollistëve me origjinë shqiptare që nuk pranojnë (nisur nga arsye të ndryshme) të përfaqësojnë ngjyrat kuq e zi. “Lufta” e madhe mediatike dhe e tifozëve bëhet për të sjellë në përbërje të vetë Kombëtares sonë futbollistë me origjinë shqiptare që aktivizohen në shtete të ndryshme, e ku kemi shembuj plot që disa kanë pranuar (falë Zotit) e disa të tjerë nuk kanë pranuar (edhe kur është bërë një thirrje mbarë popullore). Por në qoftë se vjen një mundësi që një futbollist jo me kombësi shqiptare dëshiron që të përfaqësojë Shqipërinë, e ky futbollist është i një niveli të mirë, atëherë përse të mos përqafohet mundësia? Ashtu siç u afirmuan shqiptarët si futbollistë kudo që shkuan, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me të huaj që mund të vijnë në Shqipëri, e ashtu siç u tha jo domosdoshmërisht duhet të jetë Olayinka, por edhe ndonjë tjetër që do të ketë aftësinë dhe dëshirën që të veshë fanellën e Shqipërisë.

 Prag merkatoje, Tirana mendon të hidhet në “sulm”

 Superliga vihet në lëvizje, Partizani pasohet nga Tirana për përforcimet

Kur merkatoja e dimrit do edhe pak ditë të hapet, skuadrat kanë filluar që të vihen në lëvizje për të marrë në mesin e tyre futbollistë të tjerë që duken larg nga skuadrat e tyre. Nëse Partizani arriti që të siguronte shërbimet e Bylykbashit që disa ditë para se të hapej merkatoja dimërore, të njëjtën gjë pritet se do të bëjnë edhe bashkëqytetarët e tyre, Tirana, që janë në diskutime për disa afrime të rëndësishme që burimin e kanë tek klubi i Flamurtarit. Afrimi i parë dhe më i mundshmi është Gilman Lika që pritet të largohet nga radhët e Flamurtarit falë “shkurtimeve” që do të bëhen në këtë skuadër. Në qoftë se shkodrani shkon tek Tirana, nuk do të ishte hera e parë që bëhet pjesë e kësaj skuadra pasi kujtojmë që ka firmosur një kontratë me bardheblutë në janar të 2011 e ku mbi të gjitha kujtohet për atë golin ndaj Skënderbeut në 2013-ën. Përpos Likës, pritet që të përfundojë në kryeqytet edhe tjetri futbollist i Flamurtarit, Gjergji Muzaka. Në qoftë se Tirana arrin që të blejë këta dy futbollistë, do të shohim një tjetër skuadër në fazën e dytë, pasi vlera dhe cilësia si e Likës dhe e Muzakës dihet gjerësisht, paçka se në Vlorë nuk shihen me sy jo aq të mirë.

Programi i skuadrave të superiores për pushimet e dimrit

Me mbylljen e dy fazave të para të Kategorisë Superiore, nënkuptohet edhe fillimi i pushimeve në mënyrë që të rinisin me forca të reja fazën e tretë. Edhe pse janë marrë pushimet, disa nga skuadrat vazhdojnë që të jenë në “krye” të detyrës, ndërkohë që të tjerat kanë marrë direkt pushimet. Kukësi, Partizani deh Vllaznia kanë nisur direkt pushimet, ndërsa pjesa tjetër e ekipeve vazhdojnë që të kryejnë seanca të rregullta stërvitore. Skuadrat e Kukësit, Partizanit, Tiranës dhe Flamurtarit kanë të njëjtin destinacion sa i përket fillimit të stërvitjes pas datës 5 janar, kur do të bëhet edhe grumbullimi pa pushimit. Të gjitha skuadrat e përmendura më sipër do të grumbullohen në Turqi, për të vazhduar atje seancat stërvitore. Sa i përket Skënderbeut pritet që të gjithë të bashkohen në Spanjë, ndërkohë që Vllaznia ashtu si edhe vjet do të vazhdojë që të kryejë seancat stërvitore në Ulqin. Ndërkohë Laçi, Apolonia dhe Skënderbeu do të vazhdojnë grumbullimin e tyre në shtëpi, duke parapëlqyer që të ndjekin programet stërvitore në të njëjtën mënyrë si gjatë fazave të lojës. Sa i përket Teutës, vështirë se mund të thuhet diçka, pasi akoma nuk kanë deklaruar se do të marrin apo jo një udhëtim jashtë apo do të qëndrojnë brenda për të zhvilluar seancat stërvitore para fillimit të fazës së tretë të kampionatit.