Ramiz Reka, Profesori i Boksit shqiptar

1676
Sigal

Shkrimi kryesor

Ramiz Reka: takticieni dhe profesori i Boksit shqiptar

71 vjet jetë me dhe për sportin

NGA ERVIN BAKU

Si sot, në një 17 janar, kanë lindur Ramiz Reka dhe Mohamed Ali (Cassius Clay)… Reka rreshtohet te boksierët teknikë të boksit shqiptar. Kishte një trup të skalitur, me muskuj të shtrirë dhe elastikë. Arsenali teknik që dispononte ishte për t’u pasur zili, duke lënë gjurmë te boksierët e atyre viteve dhe në boksin shqiptar në përgjithësi. Ai ka plot 71 vjet jetë me dhe për sportin. Specialist i mirëfilltë, pedagog, anëtar i Komisionit të Evropës, Ramiz Reka ka lindur më 17 janar 1938 në qytetin e Durrësit. Ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” (sot Universiteti i Sporteve të Tiranës – UST). Nga viti 1948-1953 u inkuadrua në sportin e boksit me grupmoshën e pionierëve. Nga viti 1954 e deri në vitin 1956 është shpallur tri herë kampion kombëtar për “Junior”. Nga viti 1957 e deri në vitin 1963 ka përfaqësuar ekipin e boksit të Partizanit. Është shpallur pesë herë kampion i Spartakiadës së Përgjithshme të Ushtrisë dhe kampion kombëtar. Në vitet 1958-1963 ka qenë anëtar i ekipit kombëtar të boksit.

E filloi karrierën e tij në vitin 1948, në Durrës, në sallën e teatrit “Teuta”, sot teatri “Aleksandër Moisiu”. Pikërisht aty u mbajt takimi kombëtar i boksierëve më të mirë. Reka hapi siparin e ndeshjeve në një përballje kundër Agim Dollanit, bashkëmoshatarit të së njëjtës lagje, lagjja e dibranëve në Durrës.

Trajneri i parë i tij ka qenë Ilmi Reka dhe më pas vijojnë Sulejman Kokomani, Ymer Reçi, Vlash Fisheku dhe i ndjeri Baku Gjoni. Durrsaku fitoi shumë shpejt simpatinë e boksdashësve durrsakë, jo vetëm pse u shpall tri herë radhazi kampion kombëtar për të rinj, por, sidomos nga mënyra dhe stili i veçantë teknik i boksimit të tij. Kot nuk ishte marrë me akrobaci dhe gjimnastikë kur ishte fare i vogël . Në vitet e mëvonshme kur “babai i boksit”, Ali Kastrati, e “thithi” nga Durrësi te Partizani, Reka jo vetëm do të përpunohej në shumë drejtime dhe do të stërvitej me ngarkesa të larta, por do të radhitej midis boksierëve më të mirë të Partizanit. Ai “tradhtoi” Durrësin në vitin 1957 për të kontribuar në pasurimin e titujve kampionë si me Partizanin, ashtu edhe në paraqitjet dinjitoze me ekipin kombëtar të Shqipërisë. Ramiz Reka u shpall kampion me Partizanin në vitin 1961 dhe tri herë radhazi u shpall boksieri më i mirë i Kupës së Republikës (sot Kupa e Shqipërisë) për vitet 1961, 1962 dhe 1963. Në të njëjtën periudhë, Ali Kastrati i besoi Rekës drejtimin e të rinjve të Partizanit, së bashku me Martin Çetën, një ndër boksierët më të mirë në vend. Reka dhe Çeta e përmbushën me sukses të plotë misionin e vështirë të Ali Kastratit.

Në vitin 1963 boksi u ndalua në Shqipërinë komuniste. Emri i Ramiz Rekës u bë më i dëgjuar, më popullor dhe më i vlerësuar, pasi ai dha një kontribut të madh si trajner, gjyqtar dhe pedagog. Në vitin 1991, Reka u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Boksit, ku hodhi themelet për anëtarësimin e Shqipërisë në AIBA (Shoqata Ndërkombëtare e Boksit Amator). Kontributi i tij ka qenë i madh edhe si mësues i edukimit fizik, por më shumë i ndjeshëm si pedagog në ish-Institutin e Fizkulturës “Vojo Kushi” si specialist i gjimnastikës. Gjithashtu në drejtim të futbollit nga viti 1972-1982.

Ramiz Reka edhe sot është një “djalë” i ri. King fare. Përvjetori i 82-të nuk përbën absolutisht asnjë ndryshim për gjendjen e tij fizike-funksionale. Ai edhe sot e kësaj dite është aktiv, demonstron saktë, shpejt, në kohën dhe vendin e duhur. Reka punon dhe stërvit dashamirës të boksit, ish- boksierë. Për punën e tij, ai merr gjithmonë falënderime dhe mirënjohje, njëherazi ndihmon dhe veten, duke ruajtur formën e mirë fizike. Kur njeriu nuk njeh moshë, nuk njeh dhe plakje. Kjo shprehje shkon sot, në datëlindjen e 82-të të mjeshtrit të dorezave të zeza. Ramiz Reka është kampion në jetë dhe kampion në shpirt. Realisht, jam me shumë fat që e kam njohur dhe që ndaj gjithçka me të.

Kuadrat më vete

Kanë thënë për mjeshtrin e dorezave të zeza

Ali Kastrati – “Mjeshtër i Madh”:

“Ramizi kishte vullnet të hekurt, përkushtim të madh në stërvitje. U përshtat te Partizani shumë shpejt me ngarkesa të larta në stërvitje. Kishte intuitë, shkathtësi dhe shpejtësi reagimi të mirë. Harmonizonte mirë fazën e sulmit me mbrojtjen aktive, por vepronte shpejt edhe në kundërsulm. Ishte e vështirë ta kapje në këndin e ringut. Karakter të fortë, hera-herës i pathyeshëm, intelekt profesional të spikatur. Këto ishin disa nga treguesit që unë i besova atij dhe Martinit të drejtonin ekipin e të rinjve të boksit të Partizanit në veprimtaritë kombëtare, që gjithmonë u kthyen në sukses”.

Ahmet Golemi – “Mjeshtër i Madh”:

“Reka rreshtohet te boksierët teknikë të boksit shqiptar. Kishte një trup të skalitur, me muskuj të shtrirë dhe elastikë. Arsenali teknik që dispononte ishte për t’u pasur zili, duke lënë gjurmë te boksierët e atyre viteve”.

Hysen Sharra –Dy herë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, në boks dhe në not :

“Ramizi kishte mendim të mirë tekniko-taktik, kryente shkëlqyeshëm kthimet 45 dhe 90 gradë të shoqëruara me kundërgoditje, të cilat zbukuronin mënyrën e dyluftimit”.

Todi Janku – “Mjeshtër i Merituar i Sportit”:

“Boksieri Ramiz Reka ishte atlet në kuadratin e ringut. Ai aplikonte shumë mirë goditjet finte. Ishte ambicioz për të demonstruar në ring nivel të lartë teknik që ne boksierët e peshës së rëndë e kishim zili”.

Niko Mile – “Mjeshtër i Merituar i Sportit”:

“Ramizin gjatë boksimit e kanë shoqëruar paksa edhe emocionet, po kur e kalonte këtë gjendje, pas raundit të parë, zhvillonte ndeshje të bukura, që shoqëroheshin edhe me spektakle”.