Rama e Duka bashkojnë mendimet: Do të jemi këtu edhe pas 18 muajve

591
Nga Agron KAJA
FSHF/ Dje nisën zyrtarisht punimet për shtëpinë e re të futbollit shqiptar, morën pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i futbollit shqiptar, të pranishëm edhe figura të sportit në vite
Me një ceremoni shumë tërheqëse, dje FSHF-ja zyrtarizoi fillimin e punimeve për zyrat e reja të saj, të cilat do të ndërtohen në ambientet e “Kompleksit Dinamo”. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili nën shoqërinë e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, jo vetëm që përshëndeti me këtë rast, ku edhe evidentoi kontributin e qeverisë që ai drejton në këtë ndërtim të ri, por gjeti rastin që edhe të deklarohej jashtë fushatës për zgjedhjet e reja në postin e presidentit të FSHF-së. Madje në fundin e ceremonisë, Rama i ka kërkuar arkitektit që të mos prisheshin fushat ekzistuese të basketbollit, sepse ai për këtë kishte ardhur. Ndërsa Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e tij, midis të tjerave deklaroi se, bashkëpunimi me Qeverinë vitet e fundit ka qenë shumë i mirë dhe, rezultat i këtij ka qenë investimet, të cilat i kanë ndryshuar faqen futbollit shqiptar.
EDI RAMA
Kjo godinë, plotëson fazën e dytë të Parkut Olimpik
Në nisje të fjalës së tij për zyrtarizimin e punimeve të ndërtesës së re të zyrave të FSHF-së, Kryeministri Edi Rama e quajti motin me shi një bereqet, por edhe një ogur të mirë për këtë projekt që i shërben futbollit shqiptar në tërësi. “Do të uroja që ky mot me shi të jetë bereqet, por edhe një ogur të mirë për këtë projekt që i shërben futbollit shqiptar. Unë erdha këtu, se nuk mund të akuzohem më për marrjen e FSHF-së, por për të inauguruar këtë ambient modern”, kështu e nisi Rama përshëndetjen e tij në këtë ceremoni, ku duke kërkuar që ta distanconin nga nga zgjedhjet në FSHF, ai e krahasoi këtë ndërtim me atë të Koverçianos në Itali. “Sot mua mos më ngatërroni me çështje të tilla (zgjedhjet në FSHF), sepse kam ardhur për shtëpinë e re të Kombëtares sonë të ardhshme. Ky është një objekt që ngjan shumë me atë të Koverçianos në Itali, një ambient ekselence ku zhvillohen kurse futbolli kombëtare e ndërkombëtarë. Si ish-basketbollist i Dinamos, edhe unë kam kaluar një pjesë të jetës sime sportive në këtë godinë, por kjo ka pushuar së qeni godinë e Dinamos. Dhe kafazit të pëllumbave të federatave shumë sportëshe që janë të akomoduara në këtë ambient, i mungonte pikërisht FSHF-ja, një godinë simbol e qytetit të Tiranës”. Më pas kryeministri Rama, këtë godinë e quajti si plotësim të fazës së dytë të Parkut Olimpik të Tiranës, për t’u përqendruar në fund edhe te sporti në shkolla. “Kjo ndërtesë plotëson edhe fazën e dytë të ndërtimit të Parkut Olimpik të Tiranës, e cila përfundon me ndërtimin e pishinës së mbyllur. Ky është fillimi i transformimit që kemi bërë për sportet, dhe ju deklaroj, se në vazhdimësi do të bëjmë më shumë se sa sot. Është një hap i transformimit të përgjithshëm, që do të vazhdojë edhe me sportin nëpër shkolla, me ringritjen e shkollave sportive, ku ka pasur një braktisje totale”, theksoi Rama në deklarimin e tij.
Kryeministri Edi Rama, nuk nguroi të deklarohej asnjanës lidhur me kandidimin e Dukës dhe të Finos për President në FSHF, edhe pse askush nuk e pyeti, se çfarë mendonte ai për zgjedhjet e presidentit të ardhshëm. Ndërsa nuk harroi të porosiste arkitektin, që projekti të mos prishte fushat ekzistuese të basketbollit: “Unë për basketbollin kam ardhur!”.
ARMAND DUKA
“Shtëpia e futbollit”, falë edhe kontributit të Qeverisë
Edhe pse dita e djeshme është në mesin e fushatës për zgjedhjet e reja për Presidentin e FSHF-së, Armand Duka u tregua shumë i kujdesshëm në fjalën e tij, pasi u përqendrua vetëm në këtë ceremoni, e cila sipas tij, bëhet edhe falë kontributit të Qeverisë shqiptare, e në veçanti të Kryeministrit Edi Rama. “Ky është një investim i FSHF-së me ndihmën e Qeverisë shqiptare, ku prej saj na është dhënë falas e gjithë toka ku do të ndërtojmë këtë impiant të ri. Bashkëpunimi që kemi pasur me Qeverinë vitet e fundit ka qenë shumë i mirë, dhe si rezultat i kësaj, ne si FSHF kemi bërë investime që i kanë ndryshuar faqen futbollit shqiptar”, kështu theksoi në fillimin e fjalës së tij Armand Duka, i cili më pas tregoi emocionin e tij për këtë objekt. “Natyrisht që unë jam i lumtur sot (dje), sepse jam para jush për t’i dhënë rrugë një tjetër investimi në drejtim të futbollit shqiptar, siç është ky, “Shtëpia e Futbollit”. Sepse është një projekt që, veç zyrave, përfshin brenda tij edhe një mini-stadium, e tashmë futbolli do të ketë shtëpinë e tij. Uroj që pas 18 muajsh të jemi bashkë për të inauguruar përfundimin e punimeve”. Ndërkohë, Presidenti aktual i FSHF-së, informoi të pranishmit edhe për stadiumin e ri “Arena Kombëtare”, që së bashku me rikonstruksionet në themel të stadiumeve “Elbasan Arena” e “Loro Boriçi”, përbëjnë një investim madhor për institucionin shqiptar të futbollit. “Stadiumi në Elbasan dhe stadiumi i Shkodrës, si dhe ndërtimi i stadiumit të kryeqytetit që do të jetë më i miri në Ballkan, janë shembujt më të mirë për përmirësimin e infrastrukturës në kushte e standarde bashkëkohore. Gjithsesi, ne kemi shumë për të bërë, dhe uroj që pas 18 muajsh të jemi bashkë për të inauguruar këtë kompleks që nis punimet sot (dje)”, theksoi në deklarimin e tij Armand Duka.
Punimet për ndërtimin e Shtëpisë së Futbollit nisin sot dhe brenda një harku kohor prej 18 muajsh pritet të përfundojë gjithçka. Një investim tërësisht i Federatës së Futbollit. FSHF nuk do të ndalet këtu me infrastrukturën sportive, pasi projekte të tjera do të nisin për zbatim, sikundër edhe ky vit do të përkojë gjithashtu me përfundimin e stadiumit të ri, veprës madhore kombëtare sportive “Arena Kombëtare”.
Në 16 vite që e drejton FSHF-në si President i saj, Armand Duka ka bërë këto lëvizje të zyrave. Në vitin 2002, nga shkallët e stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” i shpërnguli tek ish-Hotel “Internacional”, ndërsa për më shumë se dhjetë vite, rezidenca e FSHF-së ka qenë në pallatin përballë Ambasadës Amerikane në Tiranë, edhe për 18 muaj të tjerë.
INVESTIMI
FSHF-ja në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, ka bërë të mundur që toka ku do të ndërtohen zyrat e reja të federatës, të jepet falas nga shteti shqiptar. Investimi kap shifrën e 8 milionë eurove, ku pjesa më e madhe janë stadiumi dhe fushat.
AFATI
Për 18 muaj është menduar se do të përfundojnë punimet për ndërtimin e ndërtesës së re të zyrave të FSHF-së. Duke i numëruar këto muaj, nëse nuk do të kemi ndonjë pengesë rrugës, në fundin e muajit qershor 2019, zyrat do të jenë gati.
Sigal