“Rally Albania 2014” në dominim absolut të shqiptarëve

665
Sigal

Pesë fakte

 “Rally Albania” tashmë ka hyrë në kalendarët ndërkombëtarë të garave “rally”

 Edicioni i 10-të  u zhvillua nga data 6-14 qershor dhe kaloi në 70 për qind të territorit të vendit.

 Në “Rally Albania” marrin pjesë 170 garues nga 23 nacionalitete të ndryshme

 Rreth 60% e garuesve rikthehen për të disatën herë në Shqipëri, ndërsa 40% vijnë për herë të parë

 Gara këtë vit është mbi 2000 kilometra në “of road”, rrugë të pashtruara në terrene të vështira

Ceremoni madhështore dhe spektakël gjatë ndarjes së çmimeve të Edicionit të 10-të. Renti Sina fiton për makina; Andrea Kozentino për motorë

 Edicioni i 10-të i “Rally Albania 2014” përfundoi të shtunën me një ceremoni të madhështore, të denjë për garat e formatit ndërkombëtar. Në ambientet luksoze të “Rogner Europapark” u zhvillua në një ambient spektakolar ceremonia e ndarjes së çmimeve. Drejtuesit Edvin Kasimati dhe Julinda Dhame dëshmuan se janë të zotë të organizojnë gara të një niveli të lartë dhe të përsosur nga çdo aspekt. 170 garues nga Shqipëria dhe 23 vende të Evropës finalizuan etapën e kësaj gare, për plot 7 ditë, duke nxjerrë edhe fituesit. Garuesit përshkuan plot 2 100 km të përshkruara nga Tirana në Peshkopi, më tej në Orikum, Gadishulli i Karaburunit, e për t`u rikthyer më pas përsëri në Tiranë. Shqiptarët fituan vendin e parë dhe të dytë të garave me makina në terren të vështirë. Renti Sina rrëmbeu çmimin e parë, ndërsa Almir Dervishaj dhe Mario Papuli vendin e dytë. Çmimi i parë për garat me motorë i shkoi italianit Andrea Kozentino, ndërsa vendin e dytë e rrëmbeu çeku Ondrey Klymcië. Kolonia e pilotëve italianë ka dominuar në çmimet e motorëve, në shumicën e kategorive të ndara sipas kubikëve. Ministri i Mirëqenies dhe Rinisë, Erjon Veliaj, mori çmimin për mbështetjen. Ai u shpreh i entuziazmuar për garat e “Rally Albania” në këtë edicion, ku u shpreh se Shqipëria mori reklamën më të madhe. “Ndoshta reklama më e bukur për Shqipërinë, për burimet tona natyrore, për njerëzit tanë dhe për turizmin tonë, që asnjë lloj paraje nuk e bën dot. Kështu që shumë faleminderit të gjithëve”, u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Reni Sina fituesi i çmimit të madh të garave me makina për herë të 8-të rrëmben këtë çmim. Ai u shpreh se ndihej i vlerësuar dhe kjo falë ekipit të tij. 70 për qind e territorit të Shqipërisë u përshkrua nga garuesit me makina dhe motorë duke zbuluar dhe bukuritë natyrore të vendit tonë. Në këtë edicion të 10-të të “Rally Albania” nuk munguan dhe aksidentet, gjë që detyroi mjaft garues të linin përfundimisht garën. Në 8 ditët e garës, qindra pilotëve pjesëmarrës nga 23 vende të botës, iu bë edhe një super-promovim vlerave turistike të Shqipërisë. Dhe, ashtu siç historia e ka treguar më parë, ata kthehen më të shumtë në numër për pushime dhe për të garuar në “Rally Albania”.

FITUESIT

MAKINA

ÇMIMI I PARË – Renti Sina

ÇMIMI I DYTË – Almir Dervishaj, Mario Papuli

MOTORË

ÇMIMI I PARË – Andrea Kozentino (Itali)

ÇMIMI I DYTË – Ondrey Klymciv (Çeki)

Dhjetë vjet histori “Rally” në Shqipëri

“Rally Albania” nisi si një ide e një grupi të vogël të pasionuarish, por që tashmë ka fituar një status ndërkombëtar, boll të kujtojmë se në edicionin e 10-të, që u mbyll të shtunën e kaluar morën pjesë rreth 170 garues nga 23 vende të ndryshme. Gazeta “Telegraf” sjell një histori të dhjetë edicioneve, nga i pari, ai vitit 2006 e deri tek i fundit, 2014.

EDICIONI I PARË

Pesëdhjetë pjesëmarrës në garën e parë historikë të zhvilluar në datat 2-4 qershor 2006. Garë në Tiranë dhe një ditë më pas në rrethinat e kryeqytetit, madje në një ditë me shi çka e bëri terrenin të rrezikshëm, por rriti edhe spektaklin. Për motorë fitues doli Altin Denja (Yamaha), i ndjekur nga Sajmir Ndroqi (Kavasaki) dhe Enkeledj Karanxha (Suzuki). Për makina Renti Sina (Toyota), i ndjekur nga Dorian Nurka (Toyota) dhe Florian Voko (Mitsubishi). Denja e Sina hynë në histori edhe si fituesit e parë të një “Rally” shqiptar.

EDICIONI I DYTË

Edicioni i dytë i “Rally Albania” u zhvllua në datat 5-7 janar 2007, sërish me dy etapa në zonat rreth Tiranës dhe Durrësit. 33 pjesëmarrës në garë (8 motorë/25 makina), por nga tre vende të ndryshme. Gara përfundoi me një superetapë në bregdet. Pavarësisht kohës së keqe, rezultatet ishin shumë të para. Klodian Voko (Yamaha) fitoi në kategorinë e motorëve, duke lënë pas Vangjel Kulen dhe Relian Kutelin, ndërsa Renti Sina me Toyota (me garues të dytë Albert Elezi) konfirmoi veten në kategorinë e makinave, duke triumfuar ndaj dy ndjekësve të tij Artur Guri dhe Jetnor Ademi.

EDICIONI I TRETË

U zhvillua nga data 14-17 qershor 2007, me një distancë prej 624 km. Numri i pjesëmarrëse u rrit në 58, ashtu si shtetet pjesëmarrëse në 4. Harta e garës: Tiranë-Voskopojë-Vlorë. Gjysmat e makinave nuk e mbaruan garën. Klodian Voko fitoi për motorë, ndaj rivalëve Vangjel Kule dhe grekut Kristos Paterakis. Artur Guri arriti një fitore surprizë, pasi ai ishte i vetmi që gjeti rrugën në navigimin e vështirë të ditës së parë të makinave, duke ndarë podiumin Kastriot Prendin dhe Ismail Kamberi. Ish-kampioni Renti Sina u rendit i 8-ti.

EDICIONI I KATËRT

“Rally Albania 2008” (2-7 qershor 2008) zgjeroi hartën e garës në kufijtë midis Shqipërisë e Kosovës. Distanca u rrit nga 624 km në 958km, numri i pjesëmarrësve 34, por e rëndësishme se pati një interesim ndërkombëtar: garues nga gjashtë shtete, ndëra u zhvilluan pesë etapa. Peizazhi i garës shkoi nga Alpet shqiptare e deri në Pogradec, nën shi dhe baltë. Greku Dimitris Athanasopoulos fitoi për motorë, duke mposhtur rivalitetin e grekut tjetër Spiros Katsimalis dhe gjermanit Franc Shtrohmaler. Sina (Shqipëri)/Vitberger (Austri) fituan për makina (lanë pas Spartak Markun, pasi gjetën rrugën e duhur drejt finishit në etapën e fundit. Për Renti Sinën kjo ishte fitorja e tretë nga katër gara.

EDICIONI I PESTË

“Rally Albania 2009” tashmë mund të quhet një garë ndërkombëtare, pasi morën pjesë garues nga gjashtë vende. 36 pjesëmarrës nga 6 vende të ndryshme; 7 etapa që në total bënin 1453 km. Gara nisi nga Tirana dhe përfundoi pas afërsisht 600 km në jug të Sarandës, për të vazhduar në juglindje përmes Përmetit e Korçës, e për të të përfunduar pas gjashtë ditësh sërish në Tiranë. Fituesit ishin Antonio Konsentino për motorë, duke lënë pas dy italianët e tjerë Kristian Pastori dhe Biordi Korrado (21 pjesëmarrës në garën e motorëve). Sina/Vitberger fituan për makina, duke lënë pas dy shqiptarët e tjerë Dorian Nurka dhe Haxhi Kasa (15 garues në total).

EDICIONI I GJASHTË

“Rally Albania 2010” (5-12 qershor 2010) mund të konsiderohet si një “pushtim italian”. Afërsisht 65 motorë në start, ku i pranishëm ishte dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Distanca ishte 1349 km e ndarë në 7 etapa; 85 pjesëmarrës (66 motorë/19 makina) nga 11 vende (Shqipëri, Itali, Austri, Sllovaki, Holandë, Britani, Greqi, etj) Fituesit ishin Antonio Konsentino për motorë, duke lënë pas dy italianët e tjerë Ugo Filosa dhe Biordi Korrado (21 pjesëmarrës në garën e motorëve). Sina/Vitberger fituan për makina, duke lënë pas Floko (Shqipëri)/Uats (Britani). Në motorët kuad (katërrrotësh) fitues doli Josef Machacek.

EDICIONI I SHTATË

“Rally Albania 2010” (4-11 qershor 2011) ishte viti i shpërthimit në këtë garë, që tashmë ka fituar autoritet ndërkombëtar. 191 pjesëmarrës (147 motorë/34 makina) përshkuan 1674 km të ndarë në 7 etapa. Bum edhe në vendet pjesëmarrëse: 19. Nga Tirana në drejtim të ekstremit të Veriut, në Valbonë, për të shkuar më pas në drejtimit të Vlorës e për të përfunduar sërish në Tiranë. Italiani Kristian Pastori fitoi midis 147 motoçiklistëve. Slloveni Marko Jager fitoi për kuad, ndërkohë që Voko/Uats fituan në kategorinë e makinave, duke lënë pas Machacek dhe dyshen Dervishaj/Papuli.

EDICIONI I TETË

“Rally Albania 2012” (8-15 qershor 2012) ishte 1648 km e gjatë e ndarë në gashtë etapa. Numri i pjesëmarrësve ishte 167, përfaqësues nga 18 vende të ndryshme. Destinacioni i përshkuar Tiranë-Rrazmë-Voskopojë-Drimades-Tiranë. Ishin të njëjtit fitues thuajse si në vitin 2010. Italiani Kristian Pastori fitoi midis 147 motoçiklistëve, duke lënë pas dy spanjollët Viktor Rivera Gavin dhe Hulian Vijarubia. Slloveni Marko Jager fitoi për kuad, duke lenë pas dy çekët Martin Plehati dhe Miroslav Neprash. ndërkohë që Renti Sina (Shqipëri)/Doli Vitberger (Austri) fituan në kategorinë e makinave, duke lënë pas shqiptarët Drin Shkreta/Sokol Freka dhe dyshen polake Piotër Solis/Bernard Apeltovicsh.

EDICIONI I NËNTË

“Rally Albania 2012” (7-14 qershor 2013) ishte i organizuar në mënyrë perfekte nga çdo pikëpamje. 1732 km e ndarë në tetë etapa; 101 pjesëmarrës nga 17 vende. Fitues dolën Andrea Konsentino (Itali) në kategorinë e motorëve (fitoi duelin me grekun Vasilis Budros); Eduard Jerek (Slloveni) në kategorinë kuad (fitoi sfidën me bullgarin Zornica Todorova) dhe Sina(Shqipëri)/Vitberger (Austri) në kategorinë e makinave, që fituan ndaj çekut Jozef Machacek.

EDICIONI I DHJETË

“Rally Albania 2014” (6-14 qershor 2014) ishte edicioni i 10-të jubilar, dhe më i miri nga pikëpamja e organizimit. Për herë të parë u bë vendosja e sistemit GPS në makina dhe transmetimi “live stream” i pozicionit të vendndodhjes së makinave. 170 pjesëmarrës nga 23 vende: 110 garues në kategorinë e motorëve; 11 në kategorinë kuad dhe 58 në kategorinë e makinave. Në kategorinë e motorëve midis 85 garuesve fitoi italiani Andrea Kozentino me kohën totale 17 orë 06 minuta e 17 sekonda, i ndjekur nga çeku Ondrej Klumciv (17:07:35). Në kategorinë e makinave fitoi dyshja Sina/Vitberger me kohën 19:42:07, të ndjekur nga Dervishaj/Papuli (20:14:39).

EDICIONI I PARË

Data: 2-4 qershor 2006

Pjesëmarrës: 47

Shtete: 4

Etapa: 2

Distanca: 158 km

Fitues motorë:

Altin Denja (Shqipëri)

Fitues makina:

Renti Sina(Shqipëri)

EDICIONI I DYTË

Data: 5-7 janar 2007

Pjesëmarrës: 33

Shtete: 3

Etapa: 2

Distanca: 267 km

Fitues motorë:

Klodian Voko (Shqipëri)

Fitues makina:

Renti Sina(Shqipëri)

EDICIONI I TRETË

Data: 14-17 qershor 2007

Pjesëmarrës: 58

Shtete: 4

Etapa: 3

Distanca: 624 km

Fitues motorë:

Klodian Voko (Shqipëri)

Fitues makina:

Artur Guri (Shqipëri)

EDICIONI I KATËRT

Data: 2-7 qershor 2008

Pjesëmarrës: 34

Shtete: 6

Etapa: 5

Distanca: 958 km

Fitues motorë:

Dimitris Athanasopoulos (Greqi)

Fitues makina:

Sina(Shqipëri)/ Vitberger (Austri)

EDICIONI I PESTË

Data: 6-13 qershor 2009

Pjesëmarrës: 36

Shtete: 6

Etapa: 7

Distanca: 1453 km

Fitues motorë:

Andrea Konsentino (Itali)

Fitues makina:

Sina(Shqipëri)/ Vitberger (Austri)

EDICIONI I GJASHTË

Data: 5-12 qershor 2010

Pjesëmarrës: 85

Shtete: 11

Etapa: 7

Distanca: 1349 km

Fitues motorë:

Kristian Pastori (Itali)

Fitues kuad:

Josef Machacek (…)

Fitues makina:

Sina(Shqipëri)/Vitberger (Austri)

EDICIONI I SHTATË

Data: 4-11 qershor 2011

Pjesëmarrës: 191

Shtete: 19

Etapa: 7

Distanca: 1674 km

Fitues motorë:

Andrea Konsentino (Itali)

Fitues kuad:

Marko Jager (Slloveni)

Fitues makina:

Voko (Shqipëri)/ Uats (Britani)

EDICIONI I TETË

Data: 8-15 qershor 2012

Pjesëmarrës: 167

Shtete: 18

Etapa: 6

Distanca: 1648 km

Fitues motorë:

Kristian Pastori (Itali)

Fitues kuad:

Marko Jager (Slloveni)

Fitues makina:

Sina(Shqipëri)/Vitberger (Austri)

EDICIONI I NËNTË

Data: 7-14 qershor 2013

Pjesëmarrës: 101

Shtete: 17

Etapa: 8

Distanca: 1732 km

Fitues motorë:

Andrea Konsentino (Itali)

Fitues kuad:

Eduard Jerek (Slloveni)

Fitues makina:

Sina(Shqipëri)/Vitberger (Austri)

EDICIONI I DHJETË

Data: 6-14 qershor 2014

Pjesëmarrës: 178

Shtete: 23

Etapa: 5

Distanca: 2100 km

Fitues motorë:

Andrea Kozentino (Itali)

Fitues makina:

Sina(Shqipëri)/Vitberger (Austri)