Qumësht dhe shishe kokës Mourinho-s, përplasje në tunelin e “Old Trafford” pas derbit të Manchesteri-t

785
Derbi i Manchesteri-t i fituar nga City në “Old Traford” me rezultatin 1-2 kundër United nuk është mbyllur brenda 90 minutave. Sipas raportimeve të mediave angleze ai është luajtur edhe në tunelin e stadiumit, por këtë herë jo me topin e futbollit.
Jose Mourinho nuk e ka duruar zhurmën e madhe që po bënin futbollistët e Manchester City-t pas fitores dhe për këtë arsye ka shkuar për t’iu tërhequr vëmendjen në dhomën e zhveshjeve. Kaq ka mjaftuar që mes palëve të shpërtheje një sherr ku të përfshirë kanë qenë mbi 20 persona, futbollistë dhe stafe të dy skuadrave, raporton “dailymail”.
Fillimisht me tone të ashpëra teknikut portugez i është kthyer portieri i ‘qytetarëve’, Ederson Moraes, i cili ka nisur të debatojë me Mourinho-n. Pas kësaj në drejtim të trajnerit të Manchesteri-t ka flutuar një shishe plastike, që e ka goditur në kokë. Në këto momente mendohet se është dëmtuar edhe Arteta, zv.trajneri i City.
Mediat britanike shprehen se në adresë të Mourinho është hedhur ujë e qumësht gjatë kohës që ka qenë duke debatuar dhe më pas është larguar, duke u rikthyer qetësia. Mes protagonistëve të sherrit është edhe sulmuesi i “djajve të kuq” Romelu Lukaku, ndërkohë që për të qetësuar situatën kanë ndërhyrë si forcat e rendet ashtu dhe disa “steward” që ndodheshin aty pranë.


Sigal