Qëllohet për vdekje pranë shtëpisë futbollisti i kombëtares së Panamasë

522
Futbollisti i kombëtares së Panamasë është vrarë me armë zjarri pranë banesës së tij. Amilcar Henriquez 33 vjeç është vrarë nga persona ende të paidentifikuar pranë shtëpisë së tij në provincën Colon, raporton ‘Independent’. 

Sipas autoriteteve, mesfushori u qëllua disa herë duke gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa nga të shtënat janë plagosur dhe dy persona të tjerë.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe presidenti i Panamasë Juan Carlos Varela në Twiiter, i cili dënon vrasjen dhe kërkon vënien para drejtësisë të autorëve.

Mesfushori ishte një futbollist që grumbullohej rregullisht me kombëtaren e Panamasë. Ndeshja e fundit në të cilën ai luajti për përfaqësuesen ishte në muajin mars në takimin kualifikues për Kupën e Botës ndaj SHBA-ve. Gjatë karrierës së tij, Henrikez numëron 75 ndeshje të luajtura me fanellën e Panamasë.
Sigal