Punë e kryer, Shqipëria U-17 mes më të mirave të Europës

502
Sigal

Kualifikohemi për herë të katërt në “Elite Round” të një Europiani. Sukses i trajnerit Mustedangiç

Shqipëria U-17 shkroi një tjetër faqe të bukur në historinë e saj, teksa dje, pas barazimnit pa gola me Finlandën dhe humbjes së Bjellorusisë me Rumaninë (2-0), siguroi për herë të katërt kualifikimin për në fazën “Elite Round”, atje ku marrin pjesë 24 skuadrat më të mira të Europës të asaj moshe. Shqipëria është kualifikuar më parë në fazën e dytë eliminatore të një Kampionati Europian në vitin 1994, 2003 dhe 2012. Një sukses i bukur kuqezinjve të vegjël, por dhe mëritë e trajnerit të tyre, boshnjakut Xhemal Mustedanagiç, i cili e arrin për herë të dytë këtë sukses në harkun e tri eliminatoreve. Ish-ndihmësi i trajnerit Josip Kuzhe, një ish-drejtues i Akademisë së Moshave të Dinamos së Zagrebit, dëshmoi se e njeh mjaft mirë futbollin e moshave. Një fitore 2-1 me Bjellorusinë, një barazim pa gola me Finlandën dhe një humbje minimale me Rumaninë (tri fitore në po aq ndeshje), i sigurua vendin e dytë Kombëtares sonë në grupin 1 dhe një vend në “Elite Round”, shorti i së cilës do të hidhet pasi të përfundojnë ndeshjet e të gjitha grupeve në fazën eliminatore. Katër kualifikimet e Shqipëirsë në “Elite Round” nisin dhjetë vjet më parë, në vitin 1994. Në turin eliminator të Kampionatit Europian 1994 të moshës U-16, Shqipëria bënte pjesë në grupin 5, së bashku edhe Lihteshtejnin dhe Maltën, në këtë të fundit u zhvilluan edhe ndeshjet (28 shkurt-4 mars 1994). Kombëtarja jonë i fitoi të dyja takimet: 1-0 me Lihteshtejnin dhe 2-0 me Maltën, duke zënë vendin e parë në grup dhe kualifikuar për finalet e turneut, i cili u zhvillua në Irlandën e Veriut (26-30 prill 1994). Kombëtarja jonë bënte pjesë në grupin A, së bashku edhe me Bjellorusinë, Austrinë dhe Spanjën. Në ndeshjen e parë humbi 1-0 me Austrinë, barazoi 1-1 em Bjellorusinë dhe humbi 4-0 me Spanjën, por fitues të grupit dolën Bjellorusia dhe Austria. Për herë të dytë, u arrit në turin e parë eliminator të Euro 2003, ndeshjet e të cilit u luajtën në në Lituani, 21-25 tetor 2002, Shqipëria U-17 bënte pjesë në grupin 10, së bashku edhe me Holandën, San Marinon dhe Lituaninë. Kuqezinjtë barazuan 1-1 me “tulipanët” si dhe fituan 3-1 me Lituaninë vendase dhe 1-0 me San Marinon. Ekipi ynë zuri vendi e dytë, me 7 pikë, po aq sa Holanda dhe u kualifikua për turin pasardhës. Në turin e dytë kualifikues (24-28 mars 2003, takimet u luajtën në Kastoria të Greqisë), ekipi ynë bënte pjesë në grupin e 5-të, së bashku edhe me Hungarinë (fituese të grupit), Zvicrën dhe Greqinë. Shqipëria humbi ndeshjen e parë 1-0 me Greqinë, po 1-0 humbi me Zvicrën dhe barazoi 3-3 me Hungarinë, duke zënë vendin e fundit (1 pikë).

Kualifikim për herë të tretë i një turi të parë eliminator ëshrë ai për Euro 2013. Shqipëri-Sllovaki 2-1, Gjermani-Shqipëri 1-0 dhe Estoni-Shqipëri 1-1. Vendi i dytë në grup dhe automatikisht në Elite Round. Meritë e trajnerit boshnjak, Xhemal Mustedanagiç, autorëve të golave, Franca Ymeraliaj dhe Amri Jonuzi, dhe, sigurisht gjithë skuadrës. Kështu, Gjermania (vendi i parë) dhe Shqipëria (vendi i dytë) u kualifikuan për raundin tjetër. Në shortin e hedhur, më 29 nëntor 2012, Shqipëria ra në një grup me Holandën, Serbinë dhe Irlandën. Kombëtarja jonë humbi 4-0 me Holandën, 3-0 me Serbinë dhe fitoi 2-1 me Irlandën.

Kur barazimi vlen sa një fitore

 Ndeshja nis me grintë për Shqipërnë, që e spostojnë lojën shpejt në gjysmëfushën finlandeze. Këta të fundit bien pre e presingut kuqezi, tërhiqen në thellësi dhe tentojnë të rrezikojnë përmes kundërsulmit. Zenuni godet nga distanca në minutën e 20-të, duke finalizuar një aksion të bukur nga e majta e kuqezinjve. Bare tenton nga distanca në minutën e 27-të, por topi nuk ka forcën e duhur, derisa shkon i lehtë në duart e portierit mik. Kushta do të shënonte një minutë më pas me kokë, por gjithçka është e pavlefshme, pasi anësori ka ngritur flamurin për pozicion jashtë loje. Finlanda godet për herë të parë portën e Kastratit në minutën e 30-të, kur Malolo sjell panik të radhët e kuqezinjve. Niskanen për finlandezët provon edhe pas katër minutash aftësitë e Kastratit, i cili zhytet në planzhon dhe eviton pësimin e golit. Pjesa e dytë nis me nga një zëvendësim të menjëhershëm për të dyja skuadrat. Mustedanagic bën një zëvendësim në sulm, teksa Bakalli zë vendin e Kushtës, ndërsa te finlandezët Jensen futet në vend të Rikonen. Loja e kuqezinjve tanë vijon të jetë sërish ngacmuese e këmbëngulëse. Për të forcuar repartin ofensiv, trajneri Mustedanagic hedh në lojë në minutën e 50-të edhe Gjinin në vend të Zoizit. Gurma zë vendin e kapitenit Ranxha, duke e freskuar skuadrën kuqezi, që tashmë ndeshet me një reagim të finlandezëve, që shtojnë edhe ata forcën sulmuese drejt gjysmëfushës sonë. Në minutën e 67-të, Ivani lëshon një goditje të kalibruar në drejtim të portës kundërshtare, duke sjellë aromë goli për Shqipërinë, por reagimi i portierit finlandez është në lartësinë e duhur. Gjithçka mbyllet pa gola, por me Shqipërinë që kualifikohet dhe Finlandën që merr pikën e nderit.

SHQIPËRI-FINALNDË  0-0

SHQIPËRIA: Kastrati, Toli, Bregasi, Ivani, Ranxha (Ranxha 61’), Zenuni, Deliu, Bare, Hyseni, Kushta (Bakalli 46’), Zoizi (Gjini 50’). Trajner: Xh.Mustedanagiç

FINALNDA: Marttinen, Mäkinen, Böckerman, Ruuskanen, Kalermo, Malolo, Rikonen (Jensen 46’), Niskanen, Ala-Myllymaki, Haglund, Jakonen. Trajner: I.Makelä

Gjyqtar: C.Reish (Luksemburg)

El. Euro 2015

Ndeshjet, Grupi 1

Dje, 23.10.2013

Rumani – Bjellorusi  2-0

(Stoica 13’, Manea 80+2)

Shqipëri – Finlandë  0-0

19.10.2013

Bjellorusi – Finlandë 1-0

(Vasiliev 67’)

Rumani – Shqipëri 1-0

(Ivan 50’)

21.10.2013

Finlandë – Rumani 0-1

(Ivan 76’)

Bjellorusi – Shqipëri 1-2

(Nikulin 37’/ Toli 22’, Bakalli 80+2’)

RENDITJA

RUMANIA 9

SHQIPËRIA 4

Bjellorusia 3

Rumania 1

– Dy ekipet e para kualifikohen për në “Elite Round”

Është fat të luash në vendin tënd

 Fakti, që ndeshjet eliminatore u luajtën në vendin tonë – në Korçë dhe Pogradec – ishte një gjë mjaft e mirë, të paktën në faktorin psikologjik, pasi luhej përpara tifozëve tanë. Shqipëria i luajti të tria ndeshjet në Korçë, ndërsa Rumania, Bjellorusia dhe Finlanda u alternuan edhe në Pogradec. Kjo është hera e tretë që, në vendin tonë do të zhvillohen eliminatoret e Kampionateve Europiane të moshave. Në shtator të vitit 2007, u zhvilluan në Tiranë dhe Durrës, kualifikueset e U-17, ku morën pjesën përveç Shqipërisë, edhe Franca, Holanda dhe Lituaninë. Në tetor të vitit 2012, në Vlorë dhe në Fier, u zhvilluan kualifikueset e U-19, ku përveç kuqezinjve të Foto Strakoshës ishin dhe Belgjika, Italia dhe Bjellorusia.

  De Biazi shijon suksesin “live”

 Trajneri i ri dhe i vjetër i Kombëtares sonë, Xhani De Biazi, e shtyu hedhjen e firmës në kontratën e tij të re për ditën e sotme, duke preferuar që të ndiqte në aksion ndeshjen e Kombëtares U-17 ndaj Finlandës (0-0), që solli më pas edhe kualifikimin historik të Shqipërisë për në “Elite Round”. Një sukses i shijuar “live”, dhe që ndoshta mund ta ketë venë De Biazin në mendime, pasi dhe ai është përballë një vit më pas në fushatën e Euro 2016, por me ekipin A. Sot, ai do të firmosë edhe për dy vite të tjera.

Shkon në pesë numri i lojtarëve kolonjarë të dëbuar nga futbolli, për shkak të dhunës

 Gramozi, klubi i përjashtimeve përjetë

 Gramozi ka hyrë në historinë e futbollit tonë, si ekipi i vetëm

që ka mundur të zhvillojë një ndeshje miqësore me klubin më të pasur në Botë, Realin e Madridit, me Kristiano Ronaldon, Kakanë dhe Kazijasin që luajtën në “Qemal Stafa”, madje në një ndeshje ku pushimi midis pjesëve zgjati jo 15 minuta, por 100 të tilla, për shkak të ikjes së energjisë në impiantin e degraduar të kryeqytetit. Por, tani skuadra kolonjare hyn në histori si klubi i vetëm futbollistik të cilit i janë përjashtuar përjetë jo pak, por pesë lojtarë. Saimir Hymeri është lojtari i radhës, i cili u përjashtua përjetë për goditje një prej gjyqtarëve të takimit në humbjen 2-0 me Gramshin (në javën e 4-të të Kategorisë së Dytë, grupi B). Për pasojë, 18- vjeçari u pezullua nga ekipi, masë e marrë nga stafi drejtues pa mbërritur ende në Ersekë. Dje erdhi edhe vendimi zyrtar i Komisionit të Disiplinës. Një vit më parë (tetor 2012) katër lojtarë: Ervis Peçi (trajner), Renato Saliko, Hyserion Shupe dhe Efiliano Lico (po të Gramozit) u përjashtuan përjetë për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit gjirokastrit Gentina Nora pas përfundimit të ndeshjes Gramozi-Memaliaj (2-2). Donald Harizi, futbollist i ekipit të Memaliajt, goditi anësorin në ndeshjen Skrapari-Memaliaj (tetorin e kaluar), madje u shoqërua për pak orë edhe policia e Kuçovës për shkak të dhunës së ushtruar. Më pas, edhe 22-vjeçari u përjashtua përjetë nga Disiplina. Me pezullime të përjetshëm është dhe Dritan Pica i Besëlidhjes U-19, i cili u tregoi thikën kundërshtarëve dhe gjyqtarit gjatë një ndeshje me Flamurtarin e asaj moshe sezonin e kaluar.

  Gjobiten Skënderbeu dhe Teuta

 Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit gjobit me nga 50 mijë lekë Skënderbeun dhe Teutën, dy bashkëkryeset e Kategorisë Superirore, për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve korçarë dhe ata durrsakë. Deri tani janë dënuar me gjobë nëntë klube: pesë nga Kategoria Superiore, përkatësisht Vllaznia (50 mijë lekë), Laçi (50 mijë lekë) dhe Tirana (50 mijë lekë), Skënderbeu (50 mijë lekë) dhe Teuta (50 mijë lekë). Nga Kategoria e Parë janë gjobitur tri skuadra: Luftëtari (50 mijë lekë), Burreli (50 mijë lekë) dhe Iliria (20 mijë lekë) si dhe një nga Kategoria e Dytë: Përmeti (50 mijë lekë). Kryesisht gjobat janë me nga 50 mijë dhe 20 mijë lekë të rinj. Motivet janë për mospërmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësisë për organizimin e një ndeshje futbolli, kore fyese të tifozëve ndaj gjyqtarëve, por dhe për hedhje të hedhje të sendeve të forta, duke goditur zyrtarin e ndeshjes.

  Gjashtë dënime te inferiorët

 Disiplina u tregua dorërëndë edhe me lojtarët e skaudrave të Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Kështu, u dënua me 6 ndeshje Henri Mata i Burrelit, për pështyrje ndaj lojtarit kundërshtar. Në Kategorinë e Dytë me nga 5 ndeshje u ndëshkuan Renaldo Gjondeda (Egnatia) dhe Enri Cepa (Luzi 2008); me katër ndeshje Aligert Brahasani (Korabi) dhe me një ndeshje Antoni Okoronko (Bilisht Sport). Me dënim të përjetshëm u dënuar Saimir Hymeri i Gramozit.