Sigal

PSG po përdor kampionatin francez thjesht për t’u përgatitur për Ligën e Kampioneve pasi diferenca në cilësi e parisienëve me pjesën tjetër të skuadrave është jashtëzakonisht e madhe. Kjo i ka mundësuar skuadrës së Tuhel që të marshojë e pashqetësuar dhe sot ka regjistruar fitoren e 12 në kampionat, në po aq ndeshje të luajtura, duke mundur 2-1 Lilën.

Protagonistët kanë qenë të zakonshmit, Mbape dhe Nejmar, që kanë treguar me kombinimet mes tyre se tani kanë filluar të mirëkuptohen më shumë në fushën e lojës, një sinjal i mirë para ndeshjes shumë të rëndësishme të Ligës së Kampioneve ndaj Napolit në mesjavë.

Goli i parë i Mbape ishte spekatakolar, ai përfitoi nga një pasim i devijuar i Nejmar për të dërguar sferën në rrjetë me një gjuajtje të kalibruar nga jashtë zonës kur shënohej minuta e 70 e takimit. Në minutën e 84-t, pas një tjetër kombinimi të të dyve, erdhi goli i Nejmar, me një shpërthim të shkëlqyer të brazilianit i cili gjithashtu realizoi me goditjen e tij në hyrje të zonës. Lila shkurtoi diferencën vetëm në fund të ndeshjes, në minutat shtesë, falë penalltisë së Pepe, por nuk mundi të bënte më shumë përballë skuadrës e cila duket se ka mbyllur çdo diskutim me kampionatin dhe po e përdor thjesht për të vendosur rekorde të njëpasnjëshme.