Pse Presidenti i Kamzës, Naim Qarri, përfundoi në policinë që duam!

1005
Nga Agron KAJA
SPECIALE/ Pas ndeshjes me Skënderbeun, gjatë kthimit nga Korça për në Tiranë në hyrje të Elbasanit, drejtuesit kamzalinj ndalohen nga forca policore dhe ato speciale 
Debatet me Takajn në stadium gjatë ndeshjes së javës së 29-të të Superiores, Skënderbeu-Kamza, kanë sjellë një situatë të rëndë për Presidentin e Kamzës, Naim Qarri. Gjatë kthimit për në Tiranë, ai së bashku me vëllanë e tij e disa familjarë, janë ndaluar për disa orë nga policia e Elbasanit. Kësisoj, sikur të mos mjaftonte humbja që Skënderbeu i shkaktoi Kamzës në fushën e lojës, jashtë fushe, situata ka qenë edhe më e rëndë, e në të tilla raste kjo mund të thuhet edhe si skenë e ngritur prapa krahëve.

Çfarë ndodhi mes Qarrit e Takajt
Në pushim të ndeshjes mes Skënderbeut dhe Kamzës, siç është thuajse e zakontë, drejtuesit e klubeve zbresin në korridoret e stadiumit, të cilët të lidhin edhe me dhomat e zhveshjeve. Mirë- po, kjo pikëtakimi, ka shërbyer që mes njërit prej pjesëtarëve të stafit të Kamzës dhe presidentit Takaj të ketë një konflikt verbal. Gjithçka ka ndodhur, është reflektuar edhe në qëndrimin që ka mbajtur numri një i korçarëve, pasi ai nuk ka preferuar të shfaqet më në shkallët e tribunës për pjesën e dytë. Megjithatë, asgjë nuk ka mbaruar në korridoret dhe ambientet e stadiumit “Skënderbeu”, sepse nga drejtuesit korçarë (në këtë rast Takaj), ka pasur një kallëzim në polici për Naim Qarrin, i cili bashkë me disa familjarë dhe miqtë e tij janë ndaluar nga forca të shumta policore në hyrje të Elbasanit. Gjithçka, për llogari të ngjarjes në stadiumin “Skënderbeu”. 

Si u bë ndalimi nga policia e Elbasanit
Humbja e Kamzës në Korçë është shoqëruar me tension edhe në tribunën qendrore të stadiumit “Skënderbeu”. Presidenti i Kamzës, Naim Qarri, ka debatuar me drejtues të Skënderbeut në pushim, kolegun Takaj dhe të tjerë, por edhe me delegatin e FSHF-së pas ndeshjes. Por asgjë nga ato debate nuk është lënë e mbyllur aty në stadium, sepse pas përfundimit të ndeshjes, presidenti i kryeqytetasve, së bashku me familjen dhe ata që e kanë shoqëruar për në stadium, kur janë kthyer për në Tiranë, në hyrje të Elbasanit makina e tyre është ndaluar nga forca të policisë e nga forca speciale, dhe janë shoqëruar në ambientet e policisë deri në orët e para të mëngjesit të së dielës. Ndalimi është bërë, sepse ka pasur një kallëzim në polici nga drejtuesit e Skënderbeut, për atë çfarë ndodhi në stadium me presidentin Qarrin dhe bashkëpunëtorët e tij. 

Deklarata e Presidentit të Kamzës
Vetë presidenti Qarri është shprehur shumë i indinjuar me ndalimin nga policia. Madje, ai ka shprehur habi, duke thënë se në Korçë nuk kishte ndodhur asgjë. Por tensioni i drejtuesve të Kamzës në Korçë ishte i dukshëm, dhe ata e kanë me FSHF-në, e cila sipas tyre, po e lufton skuadrën e Kamzës me anë të gjyqtarëve. Për këtë arsye, ditën e diel ata i janë drejtuar me një letër të hapur Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, me anë të së cilës i bëjnë thirrje të marrë masa për gjykimin. “Me këtë rast të paprecedent, ndihemi të keqtrajtuar dhe të përbuzur nga instancat dhe autoritetet e shtetit. Më vjen keq, pasi kam qenë i shoqëruar edhe nga fëmijët e mi, të cilët u terrorizuan nga sjellja e forcave të policisë. Mbi të gjitha, edhe për faktin se nuk ndodhi asgjë në Korçë për të bërë këtë gjë kaq të turpshme”, kështu ka deklaruar Presidenti i Kamzës për ndalimin nga policia e Elbasanit.
Pjesë nga debati në stadiumin “Skënderbeu”
Ja disa nga fjalët që Presidenti i Kamzës iu ka drejtuar pas ndeshjes, të pranishmëve në tribunën e stadiumit, në korridore por edhe delegatit të kësaj sfide, si dhe një punonjësi të policisë. “Kjo nuk është hera e parë që arbitrat na penalizojnë. Le të dalin nga dhoma këta (arbitrat) e të thonë se për këtë arbitrim sot (të dielën), na tha Duka apo Shulku. Nuk tallen dot me 40 burra këta, me shpenzimet tona, me lekët e fëmijëve të mi. Ça është Armando, ça është Shulku….?! Doni të mbani Teutën, mbajeni, por mos na dëmtoni ne me këta arbitra, se janë lekë djerse këto që po hedh, janë lekët e fëmijëve të mi. Duka nuk ka për ta hedhur poshtë këtë ekip, unë kam 11 vjet në futboll… Unë do të akuzoj hapur, edhe në UEFA do të çoj shkresa me fakte, se kështu doni ju… Unë nuk kam punë me ju të policisë, sepse po pres ekipin tim të dalë, dhe do largohem. Me komandime i bëni të gjitha gjërat ju? Kape telefonin e delegatit me kë ka folur ai gjatë ndeshjes, mos i mbroni këta hajdutë…”, janë këto disa nga fjalët e Naim Qarrit, në ikje e sipër nga stadiumi “Skënderbeu”.
PRETENDIMET PËR NDESHJEN
Humbja me shifrat 3-2 kundër Skënderbeut ka irrituar në maksimum presidentin e Kamzës, Naim Qarri, i cili në përfundim të ndeshjes ka shpërthyer kundër delegatit të ndeshjes, Denis Bastari, për shkak të vendimeve të kontestuara të arbitrit. Ja si janë trajtuar teknikisht dy raste në moviolë: 1)Penalltia që u dha në favor të Skënderbeut në minutën e 27-të dhe Soue e ktheu në gol, sipas Qarrit ishte e padrejtë. Por, moviola e ka quajtur si të drejtë. 2)Në minutën e 86-të, Sebino Plaku i Kamzës gjuan brenda zonës së Skënderbeut, por topi preket me dorë nga Aliti. Këtë rast e ka kontestuar fort Qarri, por moviola e tij tregoi se arbitri ka gabuar, pasi ajo ka qenë një penallti e pastër në favor të Kamzës.
KATEGORIA SUPERIORE
Situata e Kamzës drejt mbijetesës, ndoshta një skenar për zbritje në të Parën
Në këtë fundjavë, Kategoria Superiore rikthehet për të zhvilluar ndeshjet e javës së 30-të, dhe skuadra e Kamzës do të presë të shtunën në fushën e saj Lushnjen, e cila për këtë sezon i ka mbyllur llogaritë me Kategorinë Superiore. Kamzalinjtë janë në situatë të vështirë, pasi ndodhen vetëm 1 pikë larg dy skuadrave të tjera që rrezikojnë mbijetesën, Teutën e Vllazninë. Por, duke iu referuar rastit që ndodhi të dielën me Presidentin e kësaj skuadre, Naim Qarrin, njëherësh edhe aleancave që mundet të shfaqen, “mbyllja e gojës” për të duket si një skenar për ta rikthyer Kamzën në Kategorinë e Parë, prej nga erdhi në këtë sezon të Superiores.
Ndeshjet-Java e 30-të
Datë 21 prill 2018 
Kamza-Lushnja 16:00
Vllaznia-Luftëtari 16:00 
Datë 22 prill 2018 
Laçi-Kukësi 16:00
Flamurtari-Teuta 19:00
Datë 23 prill 2018 
Partizani-Skënderbeu 19:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 29 66
2. Kukësi 29 54
3. Partizani 29 45
4. Luftëtari 29 44
5. Laçi 29 42
6. Flamurtari 29 40
7. Kamza 29 34
8. Teuta 29 33
9. Vllaznia 29 33
10. Lushnja 29 10
Kalendari i Kamzës në 7 ndeshjet e fundit
Java e 30-të
Kamza-Lushnja
Java e 31-të
Teuta-Kamza
Java e 32-të
Kamza-Luftëtari
Java e 33-të
Vllaznia-Kamza
Java e 34-t
Kamza-Flamurtari
Java e 35-të
Kamza-Laçi
Java e 36-të
Partizani-Kamza
Sigal