Pse duhet zgjedhur sporti si profesion?

1195
Nga Prof. Dr. Artan Shyti
OPINION/ Ja pse argumentet janë shumë më tepër se sa duhen, për të bindur një vajzë apo djalë, që e njeh, vlerëson dhe ndjek sportin si aktivitet
Në një moment të vitit kur mijëra maturantë po vendosin për të ardhmen e tyre profesionale, është plotësisht e argumentuar ftesa për të zgjedhur sportin si profesion. Dhe argumentet janë shumë më tepër se sa duhen, për të bindur një vajzë apo djalë, që e njeh, vlerëson dhe ndjek sportin si aktivitet.

Po rreshtoj vetëm disa prej tyre:
1. Sporti është një nga aktivitetet më popullore në botë. Ai është dhe do të bëhet gjithnjë e më shumë vendi ku të gjithë do të vijnë: si ushtrues, spektatorë apo konsumatorë. E, natyrshëm, do të ketë gjithnjë e më shumë mundësi punësimi si specialistë, trajnerë, instruktorë, administratorë. Shifrat e sportit janë impresionuese: 15 milion njerëz të punësuar vetëm në 27 vendet e Bashkimit Evropian me një GDP prej 45 miliard eurosh, ose 4.5% e GDP së përgjithshme të vendeve të BE.

2. Sporti, në format e larmishme të ushtrimit të tij: si sport shkollor, rekreativ, elitar apo si aktivitet fizik rehabilitues, krijon mundësinë e përfshirjes së të gjithëve, nga fëmijët e vegjël deri tek mosha e tretë. Sot ka sport që mund ta bëjë një 6 vjeçar (bebi basket apo minibasket në sportin e basketbollit, p.sh), ashtu siç shikon 80 vjeçarë që marrin pjesë aktive në aktivitete sportive agonistike për moshën e tyre.

3. Shoqëria moderne po vuan gjithnjë e më tepër pasojat e jetës sedentare dhe mungesës së aktivitetit fizik. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar përfundimin e saj që, nga 10 persona që vdesin nga sëmundje joinfektive, 6 vdesin nga sëmundje që lidhen drejt për drejt me mungesën e aktivitetit fizik. Kjo ka tingëlluar fuqishëm si kambanë alarmi për qeveritë botërore, ndaj zhvillimi i sportit është mbështetur e do të mbështetet gjithnjë e më aktivisht nga qeveritë e gjithë botës.

4. Njerëzimi po jeton gjithnjë e më gjatë, natyrshëm që edhe shqiptarët po ashtu, dhe ky aspekt pozitiv shoqërohet edhe me problemet përkatëse. Moshat e treta dhe të katërta, kanë nevojë shumë të madhe të lëvizjes, jetë aktive, shoqërizim. Sporti është pa dyshim mjeti më efikas për këtë, natyrisht i organizuar dhe zhvilluar në përputhje me veçoritë e moshës dhe kërkesat ndaj tij. Dhe këtë zhvillim mund e duhet ta bëjnë vetëm specialistë të kualifikuar.

5. Në Shqipëri, me gjithë përmirësimet e vazhdueshme, përfshirja e njerëzve, veçanërisht e fëmijëve në sport, është shumë e ulët. Kjo dukuri negative ka, sidoqoftë, edhe aspektin e vet pozitiv. Rritja e pashmangshme e numrit dhe gamës së pjesëmarrësve në aktivitetin fizik e sportiv, do të rrisë kërkesën për specialistë të kualifikuar në fushën e sportit, ndaj duhet menduar që sot që ky profesion të zgjidhet si alternativë. 

Për sa më sipër, por edhe për shumë arsye të tjera, të studiosh për tu bërë një specialist sporti, është sot, dhe do të bëhet edhe më shumë në të ardhmen, një zgjedhje inteligjente profesionale.

Shqipëria është akoma në fillimet e zhvillimit normal të sportit në gamën e përgjithshme të zhvillimit të tij. Disa fusha tradicionale, si mësimi i edukimit fizik, janë të konsoliduara si profesione dhe të rregulluara me ligj. Fusha të tjera si fitnesi, trajningu sportiv, etj., janë akoma të parregulluara me ligj dhe nuk garantojnë vlefshmërinë ligjore të diplomës, dhe prioritet institucional të punësimit për zotëruesin e një diplome të tillë, me gjithë se ekzistojnë si fusha punësimi. Ndaj zgjedhja inteligjente është ai program studimi që mundëson një gamë të madhe hapësirash punësimi me të njëjtën diplomë. Ne të Universitetit “Marin Barleti”, jemi të bindur se alternativa që duhet të ofrojmë në fushën e edukimit fizik e sportit, është një diplomë e vetme që mundëson një përgatitje të gjithanshme si mësues, trajner, instruktor fitnesi e rekreacioni, guidë turistike e personal trajner. Kjo nënkupton kohë të fituar e shumë më pak shpenzime për studentin. Dhe jemi në rrugë të mbarë për ta realizuar këtë objektiv.

Në Shqipëri, me gjithë përmirësimet e vazhdueshme, përfshirja e njerëzve, veçanërisht e fëmijëve në sport, është shumë e ulët. Kjo dukuri negative ka, sidoqoftë, edhe aspektin e vet pozitiv
*Pro Rektor 
Universiteti “Marin Barleti”