Prof. Xhevdet Zekaj: Të pranosh dhunën në futboll!

663
Sigal

I patë, falë kësaj zhurme, shumë mrehën lapsin për të akuzuar FSHF-në

Prof.As.Dr. Xhevdet ZEKAJ

Ditën e shtunë, sapo mora njoftimin për dhunën në Fushë Krujë, bëra një apel kundër saj, si një akt i shëmtuar, skandaloz, i urryer, anti sportiv, huligan dhe, që FSHF të ndalet seriozisht. Në fakt, dhunën e anatemova që javën e kaluar, duke parë se çfarë ndodhte në ndeshjen Skënderbeu-Partizani, kur në shumë raste e shumë minuta topat e borës nuk lejonin futbollistët e Partizanit të gjuanin kornerët, të hidhnin goditjet anësore etj.

Po ç’na thua, do të thotë ndonjë shkencëtar sporti, kapur nga interesat keqazi, përse topat e borës dhunë janë? Përpara se të shkruajmë i rikujtoj se sipas fjalorit të Gjuhës Shqipe:

DHUNË f. Përdorimi forcës fizike, i shtrëngimit fizik ose psikik, i mjeteve e i metodave të vrazhda ndaj dikujt për ta detyruar të bëjë diçka jashtë vullnetit e dëshirës së tij, për ta nënshtruar e për ta shtypur dikë, për të kufizuar veprimet e dikujt etj.; detyrim a shtypje me anë të forcës. Dhunë revolucionare (kundërrevolucionare). Dhunë policore. Dhuna mbi personin. Akt dhune. Metodë dhune. Me anë të dhunës. Përdor (kundërshtoj) dhunën. Marr (fitoj) me dhunë.Shndërrim, poshtërim a turp i madh që i bëhet dikujt, cenim i rëndë i nderit të dikujt me vepra a me fjalë; fyerje e rëndë që i bëhet dikujt. I bëj dhunë dikujt e turpëroj a e poshtëroj dikë; përdhunoj a shndërroj dikë. I vuri dhunë shtëpisë. 

Nuk e di ku jemi në realitet në Fushë Krujë, sepse personalisht asnjë burim i korçarëve nuk solli asnjë provë, asnjë.

Kaq si fillim, tani çfarë ndodhi të shtunën në Fushë Krujë? Dhuna ndaj Skënderbeut apo dhunë fantazmë? Të gjithë u solidarizuan me një dhunë të tmerrshme pa asnjë pasojë, nxirje, thyerje, dëmtime fizike, ambulanca, polici, përleshje në grup! Asgjë nga këto! Por, pyetjet që lindin janë shumë.

Së pari, nuk dimë ende, nëse lojtarët korçarë janë dhunuar në stadium apo jashtë tij, pavarësisht se korçarët thonë në stadium brenda, 2 orë përpara fillimit të ndeshjes.

Së dyti, a kishte të deleguar dhe polici private? A kishte përfaqësues të klubit vendas? Nëse jo, drejtuesit e Skënderbeut përse nuk zbatuan rregulloren? Pra, pa zyrtarë të FSHF-së, polici private, polici shteti dhe përfaqësues të Kastriotit, të mos dilnin në fushë, të bojkotonin, sepse kështu zbatonin rregulloret e garës!

Sa persona dhunues ishin, një i tillë, sipas krutanëve, apo rreth 25 vetë, sipas korçarëve? Si nuk e filmoi dhe e denoncoi me pamje asnjë gazetar, qytetar apo zyrtar rastin? Nëse u dhunuan futbollistët, përse nuk e bojkotoi klubi korçar ndeshjen? Kjo është e drejta minimale e tij, në bazë të rregullores. Po flas për dhunë fizike, jo për kërcënime e fyerje verbale, sepse nga këto të fundit mund të konstatosh në çdo stadium tonin, por edhe jashtë vendit.

Çfarë thanë zyrtarët e FSHF-së në raportet e tyre? Si e paraqitën ankesën apo deklaratat e FK Skënderbeut? Apo dhe për ata ka vetëm deklarata dhe ankesa, por asnjë fakt, asnjë pamje filmike, a thua se luhej në majë të malit, ku nuk kishte asnjë gazetar e kameraman!

Përse palët, pa fakte konkrete, hedhin baltë mbi produktin – futboll të Superiores, duke i bërë pis të gjithë? Po për prishjen e imazhit të Partizanit, se gjoja dhunuesit paskan qenë tifozë të kuq, kush e mban përgjegjësinë? Jemi në një rrëmujë, sa edhe ne nuk dimë në këtë mjegullnajë të gjërave, kë të besojmë: Zyrtarët e Skënderbeut, të Kastriotit apo të FSHF-së, apo tifozët e dhjetëshes?

Përderisa nuk shohim fakte, duke qenë se asnjë nuk flet për futboll, asnjë nuk flet për fitoren e merituar të Kastriotit, por vetëm korçarët thonë se mos vallë kështu ndërtohet alibia më e mirë për të justifikuar humbjen, apo në rastin më të keq për të larguar vëmendjen nga ndonjë tolerim “alla Skënderbe”, si ajo humbja 5-1 në Korçë me Vllazninë etj., etj?!

Duke qenë shqiptarë, nëse në rastin më të keq, 25 persona sulmojnë mbi 40 të tjerë, kush mund të mbetej i dhunuar? Nuk pamë askund konfrontime verbale, jo më fizike, mes lojtarëve të Skënderbeut dhe një tifozi të vetëm, ndërkohë që me teknologjinë e ditëve të sotme, mund të provosh me pamje nga celulari edhe në “tunelin më të errët”.

Balaj, Xhaka, Cana dhe kombëtarja kuqezi në Beograd u përleshën me lojtarët, policinë, fansat dhe stjuardët serbë, në mbrojtje të shokëve nën agresion. Po këta lojtarët e Skënderbeut, çfarë bënë? Mirë që nuk i mbrojtën shokët e dhunuar, por asnjë filmim me celular nuk bënë dot?

Megjithatë, nëse fajtor me fakte, pra me pamje filmike, nuk evidentojmë dot, gishtin e akuzës mund ta drejtojmë lehtësisht nga organizatorët e garës, të kampionatit. Sa herë kemi thënë, që një stadium si ai i Fushë-Krujës nuk mund të liçensohet për ndeshje të Superiores, sepse nuk plotëson asnjë standard? Gjë që vlen jo vetëm për lojtarët, stafet e tyre, tifozët etj., por për vetë zyrtarët e FSHF-së, të deleguarit e saj në “Redi Maloku”, por mbi të gjitha për FK “Kastriotin” e Krujës që të mendoj seriozisht për një stadium tjetër, qoftë edhe në Lezhë, por përse jo në Shkodër, “Selman Stërmasi”, Durrës, Elbasan a ku ta di unë se ku.

Dhuna, të pranosh apo injorosh dhunën kjo është çështja! Po, po e dënojmë pa as më të voglin hezitim, por nuk mendoj se problemi i këtij Skënderbeu është dhuna ndaj tij në Fushë Krujë por rezultatet e dobëta, zhgënjyese, të pajustifikuara apo dhe për të ndryshuar njerëzit mentalitetin, se me ikjen dhe të Alitit, ekipi me Radasin,Vangjelin, Muzakën e ndonjë tjetër me lojtarë të dëmtuar nuk është Skënderbeu i Shehit, Lilajt, Arapit,Osmanit, Olainkës, Orelesit, Micit, Xhafës, Berishës. Pra, e futbollistëve më të mirë që luanin në Shqipëri. Tani është një skuadër pa motiv, e dënuar rëndë nga UEFA dhe, natyrisht, “dhuna” ishte alibia e shkëlqyer për të larguar vëmendjen nga mali me halle që e ka zënë. Shpresoj, sa më shpejt rikthim të FK Skënderbeut! Shpresoj shumë tek KAS! Shpresoj që edhe kjo ëndërr e kësaj dhune të harrohet, se njollos kot garën, imazhin. Forca Skënderbe, ktheu tek futbolli që dije të luaje! Kur dhe si e di klubi, i cili në Fushë Krujë, nëse kishte dhunë nuk duhej të luante! Por ndeshja ishte si ajo shprehja e famshme e Ndrek Lucës: KJO ISHTE LOJË! Dhe kjo ishte loja, përkthehet se asnjë nuk u mor me humbjen e Skënderbeut, dhe krizën e tij, apo si e gjunjëzoi Devolli e krutanët apo. apo, apo… Apo ua ka fajin media?

Vaj medet, o tolerim! Vaj medet, o popull dele! Vaj medet, o dhunë e të padhunuar! Vaj medet, o humbje, moj “humbje”! Vaj medet, Dinamo 2013!Vaj medet që kryqëzoni gazetarët se nuk flasin si duan bosët! Vaj medet, futbolli i korçarëve! Vaj medet, futbolli i zuzarëve!Vaj medet, futbolli i zullumqarëve!

Vaj medet dhe nuk keni parë gjë akoma, prandaj zgjohuni, se Korça meriton më shumë, Korça e Perëndisë, bukurisë, paqes, “Parisi” i vogël i bekuar, Korça e grupeve Evropa Legue, Korça e Serenatave, Korça që duam dhe aq shumë na fal edhe kur është plot dëborë, Korça e Pavlina Evros, Kolecit, Dunit, Vasos, Keçiçit, Xhambazit, Dhembos, Dinellës, Kaçit, Rrapos, Osmanit, Pilikës, Melkës e sa e sa yjeve dhe nderit të sportit shqiptar!

Por: Dhuna në Fushë Krujë të pranosh apo injorosh “dhunën” e 25 “kamikazëve” kjo është çështja, aq më shumë të thuash humbën nga “dhuna”!