Sigal

Në krye të herës do të them se është një klasifikim e një vend i merituar, Kampion dimri me kundërshtar të pafund. Po, po, madje KF Partizani lufton i vetëm, me të gjithë kundër dhe me impenjim maksimal. Mjafton të kujtoj atë ndeshje në Fushë Krujë, kur impenjimi i KS Kastriotit ishte 200% dhe shumë mirë bëri, që ta ritheksoj: Po, por KF Partizani dhe i vetëm trim në luftë! Natyrisht, që këtë vit nuk ka gjyqtarët kundra, ata kanë ndikuar pothuaj pak në rezultatet e tij.

Ja, përse dhe i vetëm trim në luftë:

Së pari, kush e njeh Presidentin Gazmend Demin dhe Zv/Presidentin Cakja e kupton, se nuk mund të ndërhynë në blerje arbitrash, blerje lojtarësh, në allishverishe apo impenjim e mos/impenjim të kundërshtarëve. z. Gaz Demi asnjëherë nuk është përmendur apo akuzuar se ka bërë këtë apo atë marrëveshje në dem të Fair Play-it. Sepse ai nuk cenon biznesin e të tjerëve, sepse ai do futbollin dhe garën. Por ai dhe Cakja nuk flasin e bërtasin, por thjesht kërkojnë impenjim maksimal nga skuadra.

Së dyti, roli i Olsi Ramës si drejtor ka ndryshuar shumë faktorë si në strukturë dhe përmbajtje të Klubit Partizani duke i veshur mantelin e një klubi evropian, ku secili bën punën e vet,duke kryer detyrat dhe respektuar maksimalisht hierarkinë. Drejtor Olsi ka krijuar dhe një model të ri të Fk Partizanit edhe në raport të komunikimit me FSHF-ë, fansat, median etj., që më rezulton mjaft i suksesshëm në rritjen e imazhit të FK Partizanit. Theksoj se presidenca dhe drejtori sportiv janë shumë më serioz në raport edhe me gjyqtarët dhe kolegët e tyre.

Së treti, trajneri Skënder Gega profesionist, edukator, psikolog, bashkëpunëtor, prind, shok, i drejtë, i paanshëm, vlerëson këdo në fushë e stërvitje, ka rregulluar të gjitha raportet që kërkon një skuadër futbolli. Në skuadër nuk ka grupazhe, nuk ka qejf-mbetje, të gjithë e dinë se Misteri punon shumë dhe i respekton të gjithë njësoj, sepse i intereson rezultati edhe grupi, grupi i bashkuar dhe i mobilizuar, grupi; një për të gjithë dhe të gjithë për një. Besoj se ky është edhe çelësi i fitores tek Kf Partizani.

Skuadra e mobilizuar, e impenjuar, larg kumarxhinjve dhe të huajve të paaftë, larg zhurmuesve kemi një kombinim mes pjekurisë dhe moshës nga Alban Hoxha, Telushi, Kalari, Belica, Atanda, Hila, Ibrahimi, Trashi, janë të rinjtë plot vrull, teknikë e rendiment Bardhi, Hasani, Malaj, Kote, Hebaj, të cilët kanë me vete në çdo moment jo vetëm stafin, por edhe Guerrilsat.

“Guerrilsat” të parët, të vërtetët, heroikët që kurë nuk e lenë vetëm Kf Partizanin, zemrën dhe stimulin që si finale kanë atë dizajn të përballjes me fansat e Tironës. Ata janë besnikë dhe kurrë nuk kërkojnë të jenë pjesë e zgjidhjeve teknike të trajnerit apo klubit, kjo falë edhe Gazit, Arjanit, Olsit.

Nuk i lashë në fund kot edhe Olsi Ranxhin e stafin administrativ, por kolegu ynë, përtej përgjegjësive, do mbahet mend si një zëdhënës shtypi korrekt dhe institucional, tifoz por edhe zyrtar, serioz por edhe hokatar, ai ka meritën për kushtet që krijon për gazetarët dhe raport klub-media.

Po ky Partizan a ka nevojë për disa rregullime, së pari në mbrojtje?! Këtu përjashtohet portieri Hoxha, thjesht i shkëlqyer dhe trajner në fushë. Qendra e mbrojtjes, e cila ka qenë fajtore në sa e sa gola, është rritur shumë këtë vit, por përsëri ka probleme, mjafton të kujtojmë golin me Tiranën nga Halili dhe atë në Gjirokastër që të tregojë se dobësi ka, madje edhe pasiguri.

Trashi, do të ishte më efektiv në mesfushë se sa si mbrojtës, sepse në situatat ofensive, detyron Malajn të gabojë e të lodhet shumë, të harxhojë energji për të mbyllur hapësirat e Trashit, për të bërë shumë herë lojë defensive në vend të ofensives, sulmit. Por ko ka bërë që edhe Trashi disa herë i mbingarkuar në luftë për fitoren, me krose e depërtime të bëhet nervoz, apo t’i dalë vetja jashtë kontrollit. Kalari mund të luajë dhe skuadra bëhet më sulmuese dhe më efektive, por duhet një mbrojtës i majtë.

Ibrahimi një djalë i shkëlqyer dhe sportist i përkushtuar e profesionist, por në disa raste ka ceduar keq, duke i sjellë dëme skuadrës. Ai përpiqet dhe është luftarak, është gladiator i ndershëm dhe i palodhur, por të fitosh titullin duhet të jesh kampion në radhë të parë e të zbatosh detyrat, të mos bësh gabime. sepse jo për faj të tij shpesh merr detyra më shumë se ç’mund të bëjë.

Mesfusha; falë Bruno Telushit; i ndihmuar edhe nga të tjerët ka qenë pjesë e suksesit të padiskutueshëm, qoftë në detyrat mbrojtës,e por edhe në ato raste kur sulmonte shënon. Pasimet dhe prania e Telushit është garanci edhe në pozicionin e shkatërruesit përpara mbrojtjes, ku duhet thënë se Hila ka qenë luftarak dhe i palodhur, por në disa raste i ka munguar përvojë për rezultate më të mira. Sidoqoftë, regjisori, organizatori, “DHJETA” i mungon, ai pasuesi i fundit, ai dispeçeri i mirëfillti, sepse kështu do të rriste edhe eficiencën e Telushit, dhe atë të skuadrës. Mensah, shpesh gabon shumë, sidomos në pasime dhe Kardoso ende nuk është gati. kështu duam apo jo, i prish pak punë këtij grupi

Hasani, Bardhi, Malaj dhe Hebaj e Kote janë rinia, vrulli, teknika dhe bukuria e Kf Partizanit, por u duhet punë dhe iu duhet të ruajnë veten nga kënaqësia, sepse fanella e Kf Partizanit është e rëndë dhe për titullin kanë ende shumë punë. Nuk po them ndonjë gjë të re, sepse e di dhe bufi, këtyre djemve, skuadrës, Gegës u duhet sulmuesi gol, ai që shtyn topin në rrjetë. Hebaj ka perspektivë, por ende mosha, brishtësia, nuk janë garanci për këtë vit, prandaj duhet ai dreq sulmuesi, por mos na kujtoni Canin, sepse po sollët ndonjë si ai, dreqi i mori këto fjalë të mira që thashë më lart.

Shkurt, në merkaton e dimrit është vështirë, por të themi që nuk gjejmë dot tre lojtarë për Superioren edhe shumë nuk e besoj, aq më shumë që Kf Partizani tani ka rritur imazhin dhe vlerën e tregut, por ka dalë edhe si treg për Evropën është CV për këdo futbollist që ëndërron të shkojë në Evropë.

Dhe të gjitha këto sepse Kf Partizani është dhe i vetëm e trim në luftë, i ka të gjithë kundër, përjashto seriozitetin e FSHF-së dhe fansat e tij, aq më shumë që lufta fillon aty nga mezi i fazës së tretë, apo në të katërtën ku aleancat dhe të tjera opsione do jenë hapur, kundër apo në bazë të disa personave në klube që menaxhojnë interesa të përbashkëta, apo dhe….

Dhe këto vështirësi ju bëjnë më të fortë dhe me këmbë në tokë në këtë kampionat nga më interesantët dhe plot rivalitet, por edhe me shumë ndeshje pa tifozë, kur FSHF duhet të heq dorë nga dënimet kolektive.

Gëzuar Vitin e Ri 2019 të gjithë aktorëve e futbollit! Klube të mira do na çojnë edhe në kombëtare cilësore!

Forca Partizani, drejt një titulli që e meritoni prej vitesh!

Kur thua Partizani i Panajot Panos, Perlat Mustës, Lin Shllakut e mijëra futbollistësh të tjerë, edhe Loro Boriçt, Bejkush Birçes, Petrit Dumes, Gaz Demit – i ke thënë të tëra!

 

Xhevdet ZEKA