Prof.Dr. Miço Papadhopulli: Ja defektet e futbollit shqiptar

910
Sigal

Ish-mbrojtësi i famshëm i Partizanit dhe Presidenti i Nderit i FSHF-së: “Problemet nisin qysh me klubet”

Prof.Dr. Miço Papapadhopulli është një nga figurat më të dashura sportive dhe një nga specialistët më të njohur në vendin tonë. Presidenti i Nderit i Federatës Shqiptare të Futbollit në analizën e tij për gazetën “Telegraf” synon t’i vendosë pikat mbi “i” të gjithë problematikës së futbollit tonë. Ish-mbrojtësi i shquar i Partizanit, kampion dhe fitues kupe me të kuqtë, tha se, defektet e futbollit shqiptar e kanë rrënjën në bazën e tij, pra te klubi, dhe jo te Federata, pasi sipas tij, kjo e fundit është vetëm organizatore e aktiviteteve futbollistike. Bashkëkohësi i Panajot Panos dhe Refik Resmjes e vlerësoi punën e bërë nga trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, duke e konsiderua të shkëlqyer ecurinë e kuqezinjve, teksa pret një tjetër paraqitje dinjitoze të Përfaqësueses në ballafaqimin me Norvegjinë, më 7 qershor në “Qemal Stafa”. “Daja”, sot 80 vjeç, mban dhe titullin “Mjeshtër i Madh”.

 – Zoti Papadhopulli, kampionatet e Kategorisë Superiore dhe të Parë, mbyllën siparin e tyre me Skënderbeun dhe Lushnjën, kampionë në kompeticionet respektive. Në këndvështrimin tuaj si specialist, si i keni parë këtë sezon futbollistik?

– Si ish-futbollist por, edhe si ish-president i Federatës Shqiptare të Futbollit, e kam paksa të vështirë të bëj një analizë të hollësishme të kompeticioneve. Ky sezon më bëri përshtypje për dy gjëra shumë të rëndishme dhe në kontrast me njëra-tjetrën. Fitimi i titullit kampion nga Skënderbeu dhe dalja e Kukësit nënkampion të vendit, më pëlqen, është një gjë shumë e bukur. Por, nuk jam i kënaqur se ku është Tirana, Partizani apo Dinamo, ekipe që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar. Tirana sërish doli pa trofe, ndërsa Partizani u ngjit në Superligë pas një mungesë prej disa vitesh. Dinamo vazhdon të jetë në Kategorinë e Parë. Nuk ka kuptim që, Tirana, një qytet me 1 milion banorë të mos ketë mundësi të nxjerrë tre njëmbëdhjetësh cilësore. Kur Tirana ka qenë shumë më e vogël para viteve 1990, të gjithë lojtarët e Kombëtares ishin nga Partizani, Tirana dhe Dinamo, ndërkohë që tani nuk shohim asnjë lojtar të tyre në Përfaqësuese. Janë dy ekstreme midis rretheve dhe kryeqytetit. Futbolli nuk duhet t’i lihet spotanitetit.

– Partizani, me të cilin ju keni shpenzuar të gjithë vitet e karrierës suaj si lojtar, por dhe si drejtues, u rikthye në Superligë pas një mungesë katërvjeçare. Si do të vlerësonit?

– Është një lajm shumë i bukur për të gjithë, jo vetëm për ne që kemi qenë pjesë e tij. Konstatoj se drejtuesit aktualë të klubit e kanë marrë seriozisht dhe kjo që më pëlqen. Dua të ritheksoj se, rezultati i Partizanit erdhi si pasojë e organizimit të ekipeve zinxhir. Futbolli nuk ka të bëjë vetëm me skuadrën, por dhe me administrimin, financimin, ndërtimin e një grupi solid lojtarësh, të shoqëruar këto me një drejtim efikas.

– Përse nuk ngrihet në cilësi futbolli ynë, cilat janë defektet e tij?

– Futbolli ka shumë komponentë brenda tij edhe unë e gjykoj si të vështirë, dhënien e një mendimi pa marrë në konsideratë të gjithë faktorët. Gjithsesi, futbollin e rregullon baza. Futbolli nis nga klubi, shoqëria. Të vjen keq që, ka shumë pak futbollistë të rinj që hyjnë në Kategorinë Superiore. Për mua defekti kryesor i futbollit shqiptar është klubi. Organizimi masiv i ekipeve zinxhir. Futbolli i moshave nuk kërkon shumë investime, por interesim dhe dije. Për arsye se, që të gjithë fëmijët që duan ë luajnë futboll paguajnë.

– Ju keni qenë Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që tani jeni Presidenti i Nderit të saj. Sa përgjegjësi ka federata?

– Të gjithë duhet të jemi të qartë se, Federata nuk krijon futbollistë, ato i bëjnë klubet. Ajo për veten e saj është përgjegjëse për organizimin e kampionateve dhe, sipas gjykimi tim e ka bërë shumë mirë. Unë mendoj se, nëse ne nuk shënojmë një reformë të madhe në organizimin masiv të bazës, futbolli ynë do të ketë gjithmonë defekte. Të gjithë e shikojnë se ka rënë niveli, mungon spektatori. Kanë një arsye këto.

– Këtë vit ranë katër skuadra nga Superliga, një skemë që do të përsëritet edhe sezonin tjetër, ku do të bien sërish po katër ekipe, për të mbetur 10 të tilla në sezonin 2004-2015. Në gjykimin tuaj, a e rrit ky numër i vogël skuadrash cilësinë?

– Një skemë do studim përpara se, ajo të vendoset. Nuk mund të kesh një herë 12 skuadra, më pas 14, pastaj sërish 12 dhe 10, apo 16. Ajo do një studim të mirëfilltë. Duhet të ulesh. Nuk mund të marrësh klishe skemat e një kampionati të huaj. Shikoni sesa pak ndeshje luan një ekip te ne, në raport me 60-70 ndeshje që luan një ekip europian.

– Ekipet tona gjithmonë nga kanë zhgënjyer në ballafaqimet ndërkombëtare. Përse ndodh kjo?

– Futbolli ynë është ende i papërgatitur. Ekipet tona duhet të zhvillojnë ndeshje testuese ndërkombëtare të shumta. Ato duhet të luajnë ndeshje miqësore me skuadra nga Mali i Zi, Kosova, Greqia apo Maqedonia, vendet fqinjë. Kjo mund të bëhet praktikë punë për ndeshjet testuese të mesjavës. Kështu, lojtarët fitojnë edhe eksperiencë ndërkombëtare. Sa ndeshje ndërkombëtare kemi bërë me Partizanin në kohën tonë, këtë mund ta bëjnë skuadrat tani. E kanë më të lehtë, por duhet vullnet dhe organizim.

– Pas 25 ditësh ditësh, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Norvegjinë, në një ndeshje kyçe për ecurinë tonë në eliminatoret e Botërorit. Si e vlerësoni takimin?

– Për mendimin tim, Kombëtarja dhe në veçanti trajneri Xhani De Biazi meriton respektin maksimal për atë që ka bërë deri tani. De Biazi ka ndërtuar një formacion që, të ketë sukses dhe ai ia arritur atë.

– A mund të ëndërrojmë finalet e Botërorit të Brazilit?

– Shikoni, ne ndodhemi në një grup shumë të ekuilibruar, ku të gjitha skuadrat kanë shanset e tyre. Kemi një grup konkurrues, pasi të gjitha ekipet janë afërsisht të barabarta.

  “Daja” i gjashtë titujve kampionë

 Miço Papadhopulli mund të konsiderohet pa frikë si një nga lojtarët më të mirë të historisë së Partizanit dhe futbollit shqiptar. Ai ka qenë pjesë e skuadrës së kuqe gjate periudhës së suksesshme në vitet 1950-60 dhe ka në emrin e tij plot gjashtë kampionate te fituara si mbrojtës me Partizanin në vitet 1957, 1958, 1959, 1961, 1963 dhe 1964. Prof. Dr. Miço Papadhopulli ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Partizani gjate kesaj periudhe, kur thirrej thjesht “Daja”. Miço Papadhopulli, me Partizanin e lavdishëm të asaj kohe, fitoi medaljen e argjendtë në turneun ndërkombëtar të ekipeve ushtarake të vendeve lindore në Laipcig të Gjermanisë (1958) dhe në Hanoi të Vietnamit (1963).

  Memelli, fitues i “Këpucës së Artë”

 “Këpucën e Artë” të Superiores e fiton sulmuesi i Flamurtarit, Migen Memelli me 19 gola, i ndjekur nga Popovic, serbi i nënkampionëve të vendit, me 16 gola. Për Memellin kjo ishte hera e dytë, që ai fiton këtë trofe individual pas atij me Tiranën, në sezonin 2008-2009. Në kampionatin e Superiores janë shënuar në total 427 gola, nga të cilët 41 me penallti. Më shumë se të tjerët, gjashtë 11-metërsha i ka shndërruar në gol Igli Allmuca i Kukësit, ndërsa pesë të tilla kanë autorësinë e Migen Memellit të Flamurtarit.

VERDIKTET E SEZONIT

KATEGORIA SUPERIORE

Skënderbeu – Kampion (pjesëmarrës në Ligën e Kampioneve)

Kukësi dhe Teuta – Liga e Europës

Bien nga Kategoria – Shkumbini, Tomori, Luftëtari dhe Apolonia

Kupa–Bylis-Laçi (17 maj 2013)

KATEGORIA E PARË

Lushnja – Kampion

Lushnja dhe Partizani – Ngjiten në Superiore

Bien në Kategori të Dytë – Naftëtari, Gramshi, Besëlidhja dhe Iliria

KATEGORIA E DYTË

Albpetroli – Kampion

Albpetroli dhe Veleçiku – Ngjiten në Kategori të Parë

Bien nga kategoria – Skrapari dhe Egnatia

  Meha mungon ndaj Norvegjisë

 Edhe pse u raportua si një lëndim që nuk do të ketë shumë pasoja, ekzaminimet e kryera me “MRI Scan” ditën e hënë kanë dhënë lajme të këqija për mesfushorin shqiptar Alban Meha. Mësohet se futbollisti shqiptar ka pësuar një lëndim të rëndë në meniskun e gjurit të majtë, për të cilin thuhet se brenda javës do të kryej një ndërhyrje kirurgjikale. Lajmi është publikuar edhe në faqen zyrtare të klubit gjerman. “Mbyllet sezoni për Mehën, kthehet në fazën përgatitore” thuhet në faqen e Paderbornit. Ky është një lajm i keq për trajnerin italian De Biazi i cili llogariste në shërbimet e mesfushorit për ndeshjen e rëndësishme të 7 qershorit kundër Norvegjisë. Kujtojmë se Alban Meha pasditen e djeshme është dëmtuar në minutën e 23-të të sfidës që Paderborni i tij fitoi 2-0 kundër Mynih 1860. Kështu Meha, bëhet lojtari i 4-të pas Canës, Roshit e Lilës që do të mungojë në ndeshjen kundër Norvegjisë.

 Migjen Basha: “Kam disa oferta”

 Skuadra e Torinos e ka siguruar mbijetesën në Serie A, kur ka mbetur edhe një javë deri në përfundim të kampionatit. Mesfushori Migjen Basha tha se, ndihet jashtëzakonisht i lumtur për këtë fakt: “Jam shumë i gëzuar, sepse kemi patur shumë kritika dhe ja kemi mbyll gojën të gjithëve”. Më pas kosovari ka folur edhe për transferimin e tij të mundshëm në verë, por ai thotë se akoma nuk është i sigurt nëse do të qëndrojë ose do të lëviz gjatë merkatos. “Nuk e di a do të lëviz apo jo, edhe pse kam disa oferta, por tani për tani nuk kam kohë të mendoj për merkaton, pasi pres me padurim ndeshjen vendimtare të 7 qershorit me kombëtaren”, përfundoi Basha. 26-vjeçari që mbron ngjyrat e kombëtares shqiptare ka luajtur në 20 nga 37 ndeshjet e zhvilluara deri tani, duke shënuar një gol.