Prof. Dr. Mehmet Spahiu: Spanja nën “urdhrat” e Kristiano Ronaldos, një tripletë për një barazim të “çmendur” në gola

852
Sigal

Nga Agron KAJA

Në ndeshjet finale të ditës së dytë në Kupën së Botës “Rusi 2018”, në Soçi u përplasën ish-Kampionia e Botës me ish-Kampionen e Evropës, një mbrëmje në lartësinë e eventit, Irani shkroi historinë

Në gjithë hapësirën e dy ditëve të Botërorit “Rusi 2018”, çfarë keni veçuar më shumë?

Mendoj se ndeshja e mbrëmjes së djeshme Portugali-Spanjë 3-3, arriti kulmin e një ndeshje të skuadrave elitare në këtë Kampionat Botëror. Do të jetë një ndeshje e cila do të mbahet mend gjatë, deri sa të shohim një tjetër të tillë, ndoshta edhe në këtë Botëror.

Në tre ndeshjet e ditës së djeshme, ju cilën do të veçoni si më të mirën?

Edhe në këtë drejtim, kjo është ndeshja më e mirë në këto dy ditë të takimeve në grupet A dhe B. Sepse ishte një takim me disiplinë taktike, kishte spektakël nga kualitetet, ndërsa Kristiano Ronaldo, për mua mbetet “Mbreti” i mbrëmjes në Soçi.

Po ndeshja më e dobët, cila ka qenë në këto dy ditët e para?

Ndeshja më e dobët ishte ajo mes Rusisë dhe Arabisë Saudite. Edhe pse rusët fituan thellë 5-0, rezultati ishte mbi parashikimet, dhe më shumë u duk si një ndeshje për formalitet zyrtar. Ndoshta në ndeshjet e radhës të këtij grupi mund të kemi edhe ndonjë surprizë.

Në Portugali-Spanjë, mund të themi se pamë një ndeshje kampionësh apo një ndeshje emocionesh?

Gjithmonë kampionët prodhojnë emocione, madje edhe kur janë në ditën më të dobët të tyre. Mbrëmë ata ishin të gjithë kampionë, dhanë gjithçka të mirë, duke lënë shenjën më pozitive në këtë event të madh botëror.

Çfarë mund të veçojmë më shumë në ndeshjen Portugali-Spanjë: Yjet e skuadrave apo rezultatin e saj?

Pikërisht ishin yjet e të dy këtyre skuadrave të mëdha, por edhe rezultati që u prodhua në fushën e lojës, të cilët bashkuan emocionet gjatë gjithë 90 minutave. Jo vetëm Kristiano Ronaldo, por edhe kualitetet e tjerë bënë diferencën tek të dyja skuadrat.

Me këtë rezultat, mund të themi se Portugalia e Spanja treguan se do të jenë të tilla deri në gjysmëfinale?

Them se, si Portugalia, ashtu edhe Spanja, do të jenë dy skuadra pretendente deri në gjysmëfinale. Nuk mendoj se do të gabojnë gjatë rrugës, kryesisht në dy ndeshjet e tjera që kanë në grup. Enigmë këtu do të mbetet kush do të jetë e para e këtij grupi.

Po gjykimi i italianit Roki, ishte në sinkron me lojën e dy skuadrave?

Unë mendoj se, arti i gjykimit nga italiani Xhanluka Roki, ishte pjesë e spektaklit në këtë ndeshje. Së bashku me asistentët e tij, ai u bë pjesë e lojës, e ritmit të saj. Me vendimet e tij tregoi maturi e pjekuri në gjykim.

Sot luhen 4 ndeshjet në dy grupet e tjerë, do të jetë ngarkesë kjo për ndjekshmërinë e tyre?

Me katër ndeshje në një ditë, e ngarkuar është, por duke qenë se kjo është një formulë e paracaktuar nga FIFA, nuk mbetet gjë tjetër veçse ti shohim ato me kuriozitetin për lojën, golat e të veçanta të tjera që ndeshje në evente të tilla i kanë prodhuar.

Ndeshja Francë-Australi në Grupin C, dhe Argjentinë-Islandë në Grupin D, mbeten interesante si sfida?

Ndodh që emra të mëdhenj mund të zhgënjejnë në Botëror, por ndodh që edhe emra të vegjël të surprizojnë. Këtë edhe mund ta prekim me ndeshjet në dy grupet, C dhe D, por prioritet edhe këtu do të kenë Franca me Argjentinën. Do të jenë ndeshje me llogari.

Nga këto dy ditë të para, çfarë mendoni se do të shohim ndryshe në ndeshjet e tjera në këtë Botëror?

Përjetuam një mbrëmje në lartësitë që kërkon një Kampionat Botëror. E përmenda më sipër, se në vazhdimësi të këtyre finaleve, dhe deri në fund, të shohim sa më shumë ndeshje si Portugali-Spanjë 3-3.

E premte 15 qershor 2018, ora 20:00 në stadiumin e Soçit, ndeshja e dytë e Grupit B

PORTUGALI-SPANJË 3-3

Shënues: K. Ronaldo (p) 4’, 44’, 88’/ D. Kosta 24’, 55’, Natçho 58’

Formacionet

Portugalia (1-4-4-2): Rui Patrisio; Kedriç, Pepe, Fonte, Guerrero; B. Silva (Kuaresma 69’), Moutinjo, Karvalho, Fernandez (Zhoao Mario 68’); Guedes (Andre Silva 80’), Ronaldo. Trajner:

Spanja (1-4-1-4-1): De Gea; Naçho, Pike, Ramos, Alba; Buskets; D. Silva (Lukas 85’), Tiago, Iniesta (Alkantara 70’), Isko; Diego Kosta (Aspas 77’). Trajner: Fernando Hierro

Gjyqtarët: Kryesor Xhanluka Roki, Asistentë Elenito Liberatore, Mauro Tonolini (Itali)

Kartonët: KV Fernandez/ Buskets

MINUTAT E GOLAVE

4’ GOL 1-0/ Kristiano Ronaldo pengohet në zonën spanjolle dhe fiton penallti, të cilën e ka marrë përsipër vetë duke realizuar.

24’ GOL 1-1/ Një top i gjatë përfundoi te Diego Kosta në zonë, dhe ai pasi e kontrolloi shkëlqyeshëm, shmangu dy portugezë dhe me një gjuajtje të fortë mposhti portierin portugez. 44’ GOL 2-1/ Kristiano Ronaldo është përsëri protagonist, por këtë herë me bashkëpunimin e portierit spanjoll, De Gea, i cili e kontrollon keq topin, duke e lënë të përfundojë në rrjetë.

55’ GOL 2-2/ Është përsëri Serxhi Buskets që kroson një top në zonë, dhe Diego Kosta me një të fuqishëm në zonë, shënon golin e barazimin, të dytin për të në këtë sfidë.

58’ GOL 2-3/ I duhej të shlyente gabimin në rastin e penalltisë, dhe këtë Naçho e bëri me një gjuajtje predhë nga distanca, për ti dhënë avantazhin Spanjës.

88’ GOL 3-3/ Një goditje perfekte e Kristiano Ronaldos jashtë zone, topi përcillet direkt në rrjetën e portës së De Geas, dhe barazim.

GRUPI A

NDESHJET NË GRUP

Moskë/ Datë 14.06.2018

Rusi-Arabia Saudite    5-0

Ekaterinb./ Dje, 15.06.2018

Egjipt-Uruguai            0-1

Shën Petersburg/ 19.06.2018

Rusi-Egjipt                  20:00

Rostov/ 20.06.2018

Uruguai-Arabia S        17:00

Samara/ 25.06.2018

Uruguai-Rusi               16:00

Volgograd/ 25.06.2018

Arabia S-Egjipt           16:00

RENDITJA

Skuadrat          Nd       P

1.Rusia            1          3

2.Uruguai        1          3

3.Egjipti          1          0

4.Arabia S       1          0

 

NDESHJET NË GRUP

Shën Petersb/ Dje, 15.06.2018

Marok-Iran                  0-1

Soçi/ Dje, 15.06.2018

Portugali-Spanjë

Moskë/ 20.06.2018

Portugali-Marok          14:00

Kazan/ 20.06.2018

Iran-Spanjë                  20:00

Saransk/ 25.06.2018

Iran-Portugali              20:00

Kaliningrad/ 25.06.2018

Spanjë-Marok              20:00

RENDITJA

Skuadrat          Nd       P

1.Irani              1          3

2.Portugalia     1          1

3.Spanja          1          1

4.Maroku         1          0

 

GRUPI C/ SKUADRAT

Francë

Australi

Peru

Danimarkë

NDESHJET NË GRUP

Kazan/ Sot, 16.06.2018

Francë-Australi           12:00

Saransk/ Sot, 16.06.2018

Peru-Danimarkë          18:00

Samara/ 21.06.2018

Danimarkë-Australi     14:00

Ekaterinburg/ 21.06.2018

Francë-Peru                 17:00

Moskë/ 26.06.2018

Danimarkë-Francë       16:00

Soçi/ 26.06.2018

Australi-Peru               16:00

Përsëri Suarez me gjest antisportiv, e prek kundërshtarin në mesin e trupit

Në minutat e fundit të ndeshjes Egjipt-Uruguaj, kamerat dhe aparatet e të pranishmëve kanë kapur edhe një moment të veçantë. Sulmuesi Luis Suarez i Uruguajit, gjatë një dyluftimi rrëshqiti dhe u shtri në tokë, por për të vonuar lojën në ruajtje të rezultatit, ai shkoi te lojtari egjiptian që ishte pranë topit, duke iu kapur në mesin e trupit, duke rrezikuar kështu ndëshkim nga arbitri.