Prof. Dr. Mehmet Spahiu: Në ndeshjet dje pamë spektakël, në orën 20:00 “filloi” Kampionati Botëror i vërtetë

706
Sigal

Nga Agron KAJA

U përcaktuan dje dy çiftet e para në 1/16, në Grupin A, uruguajanët nuk falin të zotët e shtëpisë, Arabia Saudite merr fitoren e nderit ndaj Egjiptit, në Grupin B

Duke qenë se dje u luajtën ndeshjet e fundit në dy Grupet A dhe B, çfarë veçoni në katër sfidat?

Në këto ndeshje, kryesisht ato që u luajtën në orën 20:00, pamë spektakël. Unë do të thosha se nga dje në këtë orë ka nisur Kampionati Botëror i vërtetë. Të dyja kanë qenë ndeshje të luajtura, gara me nivel dhe të denja për të gjitha skuadrat.

Në Grupin A, Uruguaji e uli me këmbë në tokë Rusinë, ishte kjo një ndeshje për tu veçuar në këtë grup?

Edhe kjo ishte një ndeshje e pëlqyeshme, por i mungoi spektakli sepse Uruguaji tregoi diferenca në kualitete. Rusia tregoi se deri këtu e ka forcën e saj, nivelin maksimal në këtë Botëror. Por unë i qëndroj gjithmonë idesë se jemi në një event ku surprizat janë të pritshme.

Kristiano Ronaldo humbi një penallti dje me Iranin, ishte nën presion ai në këtë sfidë?

Natyrisht që ishte nën presion, sepse te Portugalia të gjitha shpresat tek ai mendoheshin. Por, disa lojtarë të mëdhenj i kanë humbur më parë penalltitë, dhe dje Ronaldo ju bashkua këtij grupi. Gjithsesi, ka ndeshjen e radhës me Uruguajin, ku mund të tregoi formë më të mirë se so (dje).

Po barazimi me Marokun, e bën Spanjën më pak pretendente për turet e tjerë të këtij Botërori?

Spanja mbetet pretendente edhe me këtë barazim që arriti me Marokun. Skuadrat e mëdha në këtë Botëror kanë pasur momente krize si Gjermania e Argjentina, por spanjollët mendoj se do të tregojnë më shumë nivel e klas në ndeshjet e tjera, që nga ajo me Rusinë më 1 korrik.

Dje u formuan dy çiftet e para të turit të 1/16: Uruguaj-Portugali dhe Spanjë-Rusi, si do t’i përshkruani?

Nga mënyra e paraqitjes në tre ndeshjet e para në grup, Uruguajin e mendoj se do ta kalojë Portugalinë, ndërsa Spanja mbetet superiore ndaj Rusisë. Nëse më duhet të përdor “frenat e dorës”, në kuptimin e surprizave, mundet te Portugalia të ndodhë ndonjë e veçantë.

Çfarë mendoni se do të shohim sot në katër sfidat e Grupeve C dhe D?

Ndeshja e Grupit D, Nigeri-Argjentinë, mendoj se do të jetë luftë për ekzistencë. Argjentina do të kërkojë me çdo kusht fitoren, ndërsa Nigeria do tregoi si deri tani, nivel të lartë. Në ndeshjet e Grupit C, Danimarkë-Francë do të jetë sfidë për kreun, Australi-Peru, thjesht sfidë zyrtare.

FIFA dje ka dhënë ndëshkime për shqiptarët e Zvicrës, Xhaka e Shaqiri, janë këto gjoba vetëm sa për t’iu përulur serbëve?

Mendoj se FIFA dje justifikoi vetëm atë “tronditje” mediatike që i kishte krijuar Serbisë gjesti i Xhakës e Shaqirit me shqiponjën. Unë ruaj bindjen se gjesti i tyre ishte thjesht sportiv, dhe nuk ka asnjë nuancë politikë. Përkundrazi, gjestet e serbëve edhe më parë kanë qenë të tillë.

IRAN-PORTUGALI 1-1

Shënues: Ansanifar (p) 90+3’/ Kuaresma 45’

Ronaldo drithëron Portugalinë, Kuaresma i shpëton nderin

Për futbollistin më të mirë në Botë, Kristiano Ronaldon, sfida e djeshme ndaj Iranit nuk ka qenë shumë e mirë. Sepse ka humbur një penallti dhe u ndëshkua me karton të verdhë, tregues këto që e veçojnë në këtë ndeshje në nivelin mesatar, ndërsa mendohej që dje do të shënonte “bollëk” me gola. Gjithsesi, ishte Kuaresma që në minutën e 45-të shënoi golin e fitores për Portugalinë, i cili veç tri pikëve dhe kryesimit në Grupin B, ia shpëtoi nderin skuadrës dhe vetë Ronaldos. Ndoshta fitorja e Portugalisë dukej e lehtë, pasi deri në pushim kryesonte ndaj Iranit. Nuk e menduan se Ronaldo kishte ditën e tij më të keqe në “Rusi 2018”, dhe se penalltia e Ansanifar në minutën e tretë shtesë do të drithëronte Kampionët e Evropës. Një mbrëmje për t’u mbajtur mend kjo, sepse më 30 qershor, Ronaldo me shokë do të jenë përballë Rusisë vendase.

SPANJË-MAROK 2-2

Shënues: Isko 19’, Aspas 90+3’/ Boutaib 14’, En Nesyri 81’

Një Spanjë jo në pritshmëritë e saj, por është vendi i parë në grup

Në ndeshjen e djeshme ndaj Marokut, Spanjën e kuotonin favorite të gjitha kompanitë e basteve në Botë, madje me koeficientë të frikshëm në favor të spanjollëve. Dhe pse nuk doli kështu, këtu është merita e Marokut, i cili e respektoi Kampionatin Botëror deri në fund, respektoi fanellën e tij, por edhe emrin e madh të Spanjës. Goli i Boutaib në minutën e 14-të tregoi se Spanja ishte e pa orientuar drejt portës marokene. Por, Isko bëri diferencën me golin e barazimit, duke i mbyllur 45 minutat e para të barabarta. Pjesa e dytë ishte edhe më e bukur, një sfidë që do të kujtohet jo vetëm për rezultatin, por edhe për mënyrën e lojës të Marokut. Në minutën e 81-të En Nesyri ndoshta e “ktheu përmbys” Botërorin me golin e avantazhit, por Aspas barazoi, për të treguar se Spanja është e mbështetur te eksperienca dhe te të rinjtë. Një barazim që gjithsesi, Spanjës i dha kryesimin në Grupin B.

E hënë 25 qershor 2018, ora 16:00 në stadiumin “Samara Arena”, ndeshja e tretë në Grupin A

URUGUAJ-RUSI 3-0

Shënues: / L. Suarez 10’, Çerishev (aut) 23’, Kavani 90’

FORMACIONET

Uruguaji (1-3-5-2): Muslera; Coates, Godin, Kaseres; Nandez (Rodriguez 73’), Veçino, Torreira, Bentakur (De Araskaeta 63’), Laxalt; Suarez, Kavani (Gomez 90+3’). Trajner: Oskar Tabarez

Rusia (1-4-2-3-1): Akinfejev; Smolnikov, Kupetov, Ignjasheviç, Kudriashov; Gazinski (Kuziaev 46’), Zobnin; Samedov, Mirançuk (Smolov 60’), Çerishev (Fernandez 38’); Dzuba. Trajner: Stanisllav Çerçesov

Gjyqtarët: Kryesor, Malang Diedhiou; Asistentë, Xhibril Kamara dhe El Hadji Samba (Nga Senegali); Zyrtar i katërt Balamak Tesema (Nga Etiopia)

Kartonë të verdhë: Bentakur/ Gazinski, Smolnikov (2kv)

Karton i kuq: Smolnikov

ARABIA SAUDITE-EGJIPT 2-1

Shënues: Al Faray (p) 45+6’, Salem 90+5’/ Salah 22’

Fitore në ekstrem të sauditëve, Salah “ngushëllohet” vetëm me golin

Ndeshja e djeshme e Grupit A, Arabia Saudite-Egjipt (2-1), u luajt vetë për statistikë, pasi të dyja skuadrat ishin të eliminuara për turin tjetër. Këtë sfidë arriti ta fitonte Arabia Saudite, e cila dje mori tre pikët e para dhe të vetmet në grupin A. Të dy golat u shënuan në ekstremet e kohëve në të dyja pjesët, duke treguar se këtë e kishin takimin “jetik” për ngjyrat e tyre të përfaqësimit kombëtar. Të parët kaluan në avantazh egjiptianët me anë të Salah në minutën e 22-të, por kaq për ta, sepse sauditët besuan deri në fund për fitore. Në minutën e 41-të, portieri egjiptian priti një penallti të gjuajtur nga Al Muvallad i Arabisë, por disa minuta më vonë, në sekondat shtesë, arabët barazuan po me penallti, këtë herë me Al Fary. Sauditët ishin më kërkues në portën egjiptiane, dhe golin e fitores e gjetën pikërisht në ekstrem, në minutën e 5-të shtesë.

Rrezikon sulmuesi Dagllas Kosta, gruaja e lojtarit akuzon Brazilin

Brazili rrezikon që të humbasë sulmuesin Dagllas Kosta, në prag të ndeshjes së fundit në grup, ndaj Serbisë. Kosta mund të largohet nga Botërori për shkak të një dëmtimi në kofshë, e sipas mjekëve, parashikohet që riaftësimi i tij të zgjasë 15 apo 20 ditë. Trajneri Tite ka njoftuar që Dagllas nuk do të luajë në ndeshjen e fundit të Grupit E, nesër kundër Serbisë, por ai është sulmuar nga gruaja e lojtarit. “Douglas u ankua për dhimbje pas stërvitjes, duke shpjeguar se përgatitjet te Juventusi ishin më të lehta. E dimë që ky dëmtim nuk është i rëndë si i pari, por shpresojmë që të riaftësohet për 10 ditë”

Essam El-Hadary, më “veterani” në Rusi, më i vjetri në një Botëror

Portieri i Egjiptit, El-Hadary është bërë lojtari më i vjetër që luan në një Botëror, pasi në fushë dje, në sfidën me Arabinë Saudite, ishte 45 vjeç e 161 ditë. El-Hadary luan në kampionatin e Arabisë Saudite me Tavon, dhe me Kombëtaren e Egjiptit ka luajtur në 158 ndeshje, ndërsa me Arabinë Saudite luajti sfidën e parë në një Botëror. Historikisht, debutimi i tij në kombëtare ka qenë në vitin 1996, kur ishte 23 vjeç, dhe me Egjiptin ai ka fituar 4 herë Kupën e Kombeve të Afrikës. Në ndeshjen e djeshme, El-Hadary thyen rekordin e mbajtur deri tani nga Faryd Mondragon i Kolumbisë, i cili në Botërorin 2014 ishte 43 vjeç e 3 ditë.

FIFA me dy standarde, Xhaka e Shaqiri gjobiten me 10 mijë franga

Dje, FIFA ka marrë vendimin për festimin që kanë bërë dy futbollistët shqiptarë të Zvicrës, pas golave që i shënuan Serbisë. Shqiponjat e Xhakës e Shaqirit janë gjobitur me nga 10 mijë franga zvicerane, për shkak të shkeljeve të nenit 57 të kodit disiplinor të FIFA-s, dhe sjelljeve josportive në kundërshtim me fair-play gjatë festimit të golave. Për këtë veprim ka marrë edhe kapiteni i Zvicrës, Stephan Lichsteiner, por me 5 mijë franga, ndërsa Federata Serbe e Futbollit është dënuar me 54 mijë franga dhe tërheqje të vërejtjes, për shkak të shfaqjes së flamujve me mesazhe diskriminuese dhe hedhje të objekteve në fushë nga ana e tifozëve serbë. Dy drejtuesit e Federatës, Slavisa Kokeza dhe Mladen Krstajiç, për shkak të shkeljes së kodit disiplinor, janë dënuar me nga 5 mijë franga dhe vërejtje publike. Por, FIFA vepron me dy standarde, pasi ka “harruar” që një gjest fyes me tre gishta, e ka postuar në faqen e saj për dy futbollistë serbë.

Gazetarja braziliane nuk lejon ta puthin gjatë transmetimit

Në Rusi, të veçantat nuk kanë mbetur vetëm në fushën e lojës e në shkallët e stadiumeve, por edhe jashtë tyre. Diçka e veçantë ka ndodhur të dielën në mesditë, ku një tifoz tentoi të puthte një gazetare gjatë transmetimit direkt në TV. Incidenti ndodhi jashtë stadiumit “Ekatering Arena”, para ndeshjes mes Japonisë dhe Senegalit. Momenti u kap Live, kur Julia Guimaraesh u shmang nga tifozi që tentoi ta puthte, i cili më pas kërkoi edhe ndjesë. “Mos e bëj këtë, mos e bëj më kurrë, mirë?”, kështu dëgjohet gazetarja, ndërsa tifozi u tërhoq: “Më vjen keq, në rregull!”.

Të dhëna nga ndeshjet

Ndeshje të luajtura: 36

Gola të shënuar: 85

Me penallti: 13

Penallti të humbura: 4

Autogola: 6

Goli i parë: Grupi A

Gazinski 12’ (Rusi)

Goli në ekstrem: Grupi A

Golovin 90+5’ (Rusi)

Më shumë gola: Grupi B

Angli-Panama             6-1

Më pak gola: 8 ndeshje 1-0

Barazime: Në 5 ndeshje

Kartonë të verdhë: 96

Kartonë të kuq: 2

Sançez (Kol), Sheryshev (Rusi)

Lojtarë golashënues: 37………………..

Lojtari me më shumë gola:

5 gola:Herri Kejn (Ang)

Skuadra më shumë gola

Belgjika: 10 shënuar, 1 pësuar