Prof. Dr. Mehmet Spahiu: Edhe pse Belgjika dhe Anglia fituan, ekipet modeste po e bëjnë një kampionat të “çudirave” këtë Botëror

671
Sigal

Nga Agron KAJA

Vazhdojnë sfidat në Kupën së Botës “Rusi 2018”, dje luajtën dy pretendentet evropiane për trofeun, ja si i përshkruan në gazetën “Telegraf” specialisti i futbollit të gjitha momentet në tre sfidat

Në gjithë hapësirën e ditës së pestë të Botërorit “Rusi 2018”, ju çfarë keni veçuar më shumë?

Deri dje, pavarësisht se Anglia realizoi golin e fitores në ekstremin e ndeshjes me Tunizinë, mendoj se ky po quhet kampionat i çudirave, sepse emrat e mëdhenj po sfumohen nga skuadra modeste. Tek kjo ndeshje, barazimi mund të ishte rezultati më i drejtë, Anglia ishte me fat.

Dje u luajtën tre ndeshje, cilën do të veçoni si më të mirën në të gjithë treguesit e saj?

Suedi-Koreja e Jugut mendoj se duhet të veçohet, pavarësisht se si erdhën rrethanat gjatë lojës. Por, duke pasur parasysh se Suedia eliminoi Italinë në Play-off, tregoi se edhe dje grupin e ka të konsoliduar dhe do të përballojë me sukses edhe Gjermaninë.

Po ndeshje të dobët, kishte dita e pestë e Botërorit?

Ndoshta ajo mes Belgjikës e Panamasë, pa ia hequr asnjëherë meritën fitores së belgëve. Por, duke iu referuar kronikës së kësaj ndeshjeje, Belgjika në pjesën më të madhe të saj u duk se po luante pa kundërshtar.

Çfarë mund të veçojmë më shumë në ndeshjen Belgjikë-Panama, yjet belgë apo rezultatin e saj?

Pse jo, edhe të dyja bashkë. Sepse në këtë ndeshje diferencën e bënë kualitetet e Belgjikës, edhe pse po e ritheksoj, se dje kishin një kundërshtar modest në raport me veten. Gjithsesi, Lukaku mendoj se do të tregojë protagonizëm në dy ndeshjet e tjera, sikundër edhe Kejn i Anglisë.

Me këtë rezultat, mund të themi se Belgjika po tregon se e meriton renditjen në TOP 10 të FIFA-s?

Natyrisht që po, ndryshe Belgjika nuk mund të vinte në këtë Kampionat si një skuadër që e kryesoi grupin eliminator pa asnjë problem. Duke shtuar edhe detajet që i përmenda më sipër, Belgjika e ka merituar renditjen në Top 10 të FIFA-s.

Anglia e zgjati vetëm 12 minuta shënimin e golit, mund të themi se Kejn me dy golat do të jetë protagonist në sfidat e tjera?

Golat e Anglisë më shumë ishin spontanë, dhe në këndvështrimin tim ato nuk përbëjnë ndonjë garanci për protagonizmin e Kejn. Gjithsesi, Anglia vjen nga një kampionat që është nga më të fortit në Botë, dhe në ndeshjen e dytë me Panamanë ndoshta do të tregojë më shumë vlera.

Po gjykimi, si ishte në tre ndeshjet që u luajtën dje?

Deri tani, gjykimi më duket korrekt, pa harruar edhe ndonjë detaj të vogël që nuk ka ndikuar në rezultat. Arbitrat deri tani i kanë shërbyer bukurisë së këtij Botërori.

Sot luhen ndeshjet e para të Grupit H, dhe ndeshjet e dyta në Grupin A me sfidën Rusi-Egjipt, çfarë mendoni se do të shohim ndryshe në këto sfida?

Mua më shumë më tërheq ndeshja e Grupit A, Rusi-Egjipt, sepse të dyja skuadrat i kemi parë në ndeshjet e para. E duke i analizuar në këtë aspekt, mund të jetë një ndeshje e veçantë, por edhe Polonia në Grupin H, pritet të sjellë një ndeshje të mirë kundër Senegalit.

Pavarësisht se Anglia realizoi golin e fitores në ekstremin e ndeshjes me Tunizinë, mendoj se ky po quhet kampionat i çudirave, sepse emrat e mëdhenj po sfumohen nga skuadra modeste. Ndërsa në sfidën Belgjikë-Panama, diferencën e bënë kualitetet belgë

E hënë 18 qershor 2018, ora 20:00 në stadiumin e Volgogradit, ndeshja e dytë Grupi G

TUNIZI-ANGLI 1-2

Shënues: Sasi (p) 35’/ Kejn 11’, 90+1’

FORMACIONET

Tunizia (1-4-3-3): Hasen (Mustafa 15’); Maloul, Bron, Jozef, Meriah; Sasi, Badri, Skhiri; Sliti (Ben Amor 74’), Khazri (Khalifa 85’), Ben Jozef. Trajner: Nabil Maloul

Anglia (1-3-5-2): Pikford; Uollker, Stones, Maguire; Tripier, Delle Alli (Loftur-Çhek 80’), Henderson, Lingard, Jang; Stërling (Rashford 68’), Kejn. Trajner: Gareth Sauthgejt

Gjyqtarët: Kryesor Vilman Rodar, Asistentë: Aleksandër Guzman, Kristian De La Kruz, Asistent i katërt, Rikardo Montero (Nga Kolumbia)

Mot i vrejtur/ Temperatura 22 gradë

Kartonët: KV / Uollker

Kantona tallet me brazilianin, vendos makarona spageti për flokët e Nejmar

Pas barazimit 1-1 me Zvicrën, ylli i Brazilit, Nejmar, po masakrohet edhe në rrjetet sociale, kryesisht për modelin e flokëve. Dhe nuk ka munguar edhe ish-sulmuesi i Mançesterit dhe Francës, Erik Kantona, i cili ka zgjedhur një mënyrë origjinale për ta bërë diçka të tillë, pasi ka hedhur mbi kokë makaronat dhe në duar mban një foto Nejmar gjatë ndeshjes me Zvicrën. “Nejmar në stilin “spageti al dente!”. Përveçse nuk shkëlqeu në fushë dhe nuk arriti të merrte më shumë se një pikë në ndeshjen e parë të Botërorit të Rusisë, Nejmar duhet të përballojë tashmë edhe këto “humore” për lukun e tij.

BELGJIKË-PANAMA 3-0

Shënues: Mertens 47’, Lukaku 69’, 72’

Spektakël në lojë dhe 3 gola, Belgjika i “mbylli” kanalin Panamasë

Ndeshja e djeshme mes Belgjikës e Panamasë që u luajt në stadiumin e Soçit, pritej me kuriozitet për diferencat e kualiteteve. Duke qenë se Panamaja nuk është skuadër me eksperiencë ndërkombëtare, prania e saj në Kupën e Botës mbetet sukses, edhe pas humbjes së djeshme 0-3 me Belgjikën, nuk solli ndonjë problem të madh, pasi dihet forca dhe talenti i belgëve. Takimi i vlefshëm për Grupin G, tregoi se evropianët ishin shumë të fortë për ekipin më pak favorit në këtë Kupë Bote. Në 2 gola Lukaku dhe 1 gol nga Mertens, këta ishin autorët e golave dhe të tri pikëve, duke u konfirmuar si pretendentë në grup. Panamaja bëri qëndresë në pjesën e parë, e cila u mbyll e bardhë 0-0, ndërsa në pjesën e dytë nuk mundi ti rezistojë presionit dhe epërsisë së Belgjikës, e cila nga ana e saj tregoi edhe luhatje në repartet e saj në fushë. Belgët marrin kreun e grupit, edhe pas ndeshjes së Anglisë me atë fitore në ekstrem ndaj Tunizisë.

SUEDI-KOREA E JUGUT 1-0

Shënues: Granqvist 65’

Fitore me sistemin VAR për Suedinë, por Koreja ishte e dobët në sulm

Në sfidën e djeshme të Grupit F, sistemi VAR i erdhi në ndihmë Suedisë, për ta mposhtur minimalisht 1-0 Korenë e Jugut, me një penallti të shndërruar në gol nga Granqvist në minutën e 65-të. Në fakt, ky ishte një gol që suedezët i gëzohen dyfish VAR-it, për penalltinë e më pas golin, duke e nxjerrë praktikisht jashtë loje Korenë e Jugut. Kjo ishte një sfidë e luftuar, dhe u duk se barazimi nuk i vlente askujt, për mënyrën e interpretimit që i bënë të dyja skuadrat. Realisht, ka qenë një kontakt i lehtë, por i mjaftueshëm për t’u konsideruar faull, dhe Suedia nuk gaboi. Më pas, u luajt një ndeshje e dominuar nga suedezët, por pa ndonjë shkëlqim të veçantë. Pas kësaj sfide, në mediat suedeze, portretet e skuadrave e quajtën Suedinë një ekip jo i bukur për t’u parë, por nëse nuk pëson gol kurrë, herët a vonë një gol edhe e shënon. Ndërsa Korenë, një ekip i dobët dhe pa cilësi në sulm, i përbërë nga lojtarë modestë.

Robi Uilliams do paguajë gjestin, me burg ose me gjobë

Gjatë ceremonisë së hapjes të Kampionatit Botëror “Rusi 2018”, këngëtari anglez Robi Uilliams bëri një gjest aspak të nevojshëm, pasi i drejtoi gishtin e mesit kamerës që kishte përballë gjatë performancës së tij. Kjo video është bërë virale tashmë, dhe Uilliams rrezikon gjobë për sjellje të pahijshme në publik, por nëse verifikohet se ai gjest është i qëllimshëm, atëherë ai mund të përfundojë edhe në burg. Nga ana tjetër, mendohet se Uilliams e ka bërë këtë veprim për shkak të kritikave që mori para startit, pse e pranoi ftesën e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për të qenë pjesë e ceremonisë hapëse të Botërorit. Ndoshta fjalën e fundit për këtë gjest, mund ta thotë edhe sistemi VAR, i cili ka dhënë sukses në momente teknike të ndeshjeve.

Trajneri Daliç tregon pse e largoi Kaliniç: Pretendonte dhimbje në shpinë

Futbollisti i Kroacisë, Nikola Kaliniç, është larguar nga kombëtarja, pa luajtur as edhe 1 minutë. Dje, në një konferencë për shtyp, trajneri Zllatko Daliç, ka treguar arsyen, e cila e bën fajtos futbollistin. “Në ndeshjen kundër Nigerisë, Kaliniç po bënte nxemjen dhe kur i kërkova të aktivizohej, më tha se kishte dhimbje në shpinë. Të njëjtën gjë më ka thënë edhe pas miqësores në Angli ndaj Brazilit, dhe po ashtu, edhe në stërvitjet e ditëve të fundit. Për këtë arsye vendosa ta nis në Kroaci, duke qenë se nuk na shërbente në këtë gjendje”, ka deklaruar Daliç.

Huliganët rusë në stërvitje intensive, ja si menduan t’i rrahin anglezët

Dje në rrjetet sociale është publikuar një video e veçantë. Huliganët rusë shfaqen duke u stërvitur si paraushtarakë, me metoda, se si do t’i rrahin tifozët anglezë. Këta janë tifozët e Spartakut të Moskës duke u përgatitur në një pyll, që u titullua: “Në pritje të ardhjes së anglezëve”. Kjo video sjell në kujtesë ngjarjet e vitit 2016 në Kampionatin Evropian në Francë, ku huliganët rusë u përplasën në një mënyrë makabër me tifozët anglezë. Dje në ndeshjen Tunizi-Angli ishin mbi 10 mijë tifozë anglezë, të cilëve iu kërkua të mos bënin asnjë veprim provokues, të qëndronin të qetë edhe nëse do të provokoheshin.

Tmerrohen arabët, përfshihet nga flakët avioni me skuadrën në bord

Dje në mbrëmje, skuadra e Arabisë Saudite ishte duke udhëtuar me avion për në Rostov, ku do të luajë nesër ndeshjen e dytë kundër Uruguajit. Por, avioni i tyre ka marrë flakë, që ka shpërthyer në njërin prej motorëve të “Russian Airlines Airbus”. “Federata e Futbollit Saudite dëshiron të sigurojë të gjithë, se lojtarët dhe anëtarët e Kombëtares janë mirë dhe të sigurt, pas një dëmtimi të vogël dhe teknik të motorit të avionit”, kështu thuhej në një deklaratë zyrtare të federatës saudite për media, pas incidentit.

 

GRUPI G

NDESHJET NË GRUP

Soçi/ Dje, 18.06.2018

Belgjikë-Panama         3-0

Volgograd/ Dje, 18.06.2018

Tunizi-Angli                1-2

Moskë/ 23.06.2018

Belgjikë-Tunizi            14:00

Novgorod/ 24.06.2018

Angli-Panama             14:00

Kaliningrad/ 28.06.2018

Angli-Belgjikë             20:00

Saransk/ 28.06.2018

Panama-Tunizi            20:00

RENDITJA

Skuadrat          Nd       P

1.Belgjika        1          3

2.Anglia          1          3

3.Tunizia         1          0

4.Panamaja      1          0