Prof. Dr. Mehmet Spahiu: Dje është mbyllur një mbrëmje shqiptare, ndërsa Nigeria “kopjoi” Brazilin e vitit ’1982

591
Sigal

Nga Agron KAJA

Nigeria e hapi lojën e renditjes në Grupin D, Brazili arriti një fitore në minutat shtesë ndaj Kosta Rikës, sfida e mbrëmjes bëri diferencën e ditës, ja këndvështrimi i specialistit të futbollit

Veç rezultatet që u arritën në ndeshjet e ditës së tetë, çfarë treguan skuadrat që u kualifikuan apo u eliminuan?

Mendoj se dje të gjitha skuadrat kanë treguar v;lerat e tyre më të mira të mundshme. Nigeria spikati në të gjithë treguesit, madje unë do ta krahasoja me Brazilin e vitit 1982, për nga spektakli që shijuam prej saj gjatë ndeshjes. Dje nuk kishte surpriza, por nuk kishte edhe lojë monotone.

Mund të themi se ndeshja e mbrëmjes Serbi-Zvicër 1-2 ishte më e veçanta e ditës?

Patjetër që kjo ndeshje ishte më e veçanta e ditës së djeshme, jo vetëm se fitoi Zvicra me meritë, por se ajo fitore u kthye në një mbrëmje të shqiptarëve. Xhaka e Shaqiri, jo vetëm që shënuan, por spektakli në shënimin e golave të tyre kishte shumë klas e bukuri.

Në këtë ndeshje, kishte ndikim politik e homofob, kryesisht nga skuadra serbe?

Serbët janë mësuar që të bëjnë “zhurmë” në çdo takim kur kanë shqiptarë përballë. Jo vetëm për homofobi, por edhe pse e dinë që përballë shqiptarëve kanë vështirësi. Gjithsesi, në fushë kishte rivalitet, që nuk i kaloi caqet, ndërsa Zvicra u tregua shumë korrekte.

Nga të tria ndeshjet e djeshme, kishte nivel në lojë, apo veçohen vetëm rezultatet që u arritën?

Te Brazil-Kosta Rika, brazilianët vetëm në 10 minutat e fundit treguan diçka nga portreti i tyre, ndërsa pjesa tjetër e këtij takimi nuk kishte ndonjë nivel të dukshëm për tu veçuar. Ndërsa sfida Serbi-Zvicër, kishte shumë elementë pozitivë brenda saj dhe mbetet e veçanta e ditës.

Brazili gjeti fitoren e parë, por ka akuza se Nejmar ka kërcënuar arbitrin, mbetet ky një moment që e favorizoi ndaj Kosta Rikës?

Natyrisht që përpos fitores, Brazilit i duhet të merret edhe me edukimin e lojtarëve. Rasti i Nejmar nuk besoj se i ka shpëtuar FIFA-s, dhe besoj se do të ketë ndëshkim disiplinor për të. Por, fitorja ishte e merituar, madje ndaj një kundërshtari jo modest me lojën e mirë që zhvilloi.

Grupet D dhe E dje i formatuan renditjet, si i mendoni ndeshjet e fundit në këto grupe?

Do të jenë të vështira për të gjitha skuadrat. Natyrisht që Serbi-Brazil do të ketë më shumë vështirësi për të dyja skuadrat, ndërkohë që për Zvicrën unë them se do të jetë skuadër e kualifikuar në Grupin E.

Në tre ndeshjet e djeshme, kishte momente delikate për gjykimin?

Vetëm në rastin e diskutueshëm në ndeshjen Serbi-Zvicër kishte një moment ku arbitri duhet të ishte më i vëmendshëm, ndërsa në të ndeshjet e tjera arbitrat ishin në ritmin e lojës.

Sot do të luhen dy ndeshjet e radhës në Grupin F, dhe një ndeshje në Grupin G, cilat skuadra i mendoni favorite?

Ndeshja Gjermani-Suedi do të jetë më e veçanta e ditës së sotme në Grupin F, jo vetëm për pozicionin që kanë gjermanët pas humbjes në ndeshjen e parë, por edhe për formën e mirë që ka skuadra suedeze. Mos harrojmë se ajo erdhi në këtë Botëror pasi eliminoi në Play-off Italinë.

E premte 22 qershor 2018, ora 20:00 në stadiumin e Kaliningradit, ndeshja e tretë Grupi E

SERBI-ZVICËR 1-2

Shënues: Mitroviç 5’/ G. Xhaka 52’, Shaqiri 90’

FORMACIONET

Serbia (1-4-2-3-1): Stojkoviç; Ivanoviç, Milenkoviç, Tosiç, Kolarov; Matiç, Milivojeviç (Radonjiç 81’); Tadiç, Sergej, Kostiç (Ljajiç 64’); Mitroviç. Trajner: Mllade Krstajiç

Zvicra (1-4-2-3-1): Somer; Lihtshteiner, Shaar, Akanji, Rodriguez; Behrami, Xhaka; Shaqiri, Xhemaili (Embolo 73’), Zuber (Drmiç 90+4’): Seferoviç (Gavranoviç 46’). Trajner: Vladimir Petkoviç

Gjyqtarët: Kryesor, Feliks Bryzh; Asistentë, Mark Borsh dhe Stefan Lup (Nga Gjermania); Zyrtar i katërt Navaf Shukrralla (Bahrein)

Kartonë të verdhë: Sergej, Milivojeviç, Matiç, Mitroviç/ Shaqiri

 

 

Poshtë formacioneve

 

Dhelpra serbe Romel konsumoi në pjatën e “saj”, por i doli e “pangopur” me rezultatin

Tashmë po bëhet e modës, që kafshët të bëhen edhe orakull parashikues për ndeshjet e futbollit. Pas maces Akil, dje ka dalë në skenë një dhelpër nga Beogradi, e cila ka dhënë parashikim e sfidës se djeshme Serbi-Zvicër. Dhelpra Romel u ndodh para dy taseve me ushqim, me logot e të dyja skuadrave, dhe ajo nuk i ka zhgënjyer serbët, sepse konsumoi ushqimin që ndodhej në tasin me logon e Serbisë. Sfida u luajt dje në mbrëmje dhe përfundoi me rezultatin 2-1 për Zvicrën, ndoshta ushqimi që hëngri nga tasi me logon e Serbisë, do të ketë qenë me “provokacija”.

Para dhe gjatë ndeshjes Serbi-Zvicër, situatë e nxehtë me flamuj e kostume kombëtare

Kosovë, ku flamuj zviceranë janë parë nëpër rrugët e fshatit Zhegër, vendlindja e Xherdan Shaqirit që luan me Zvicrën. Kjo ka “egërsuar” shumë mediat serbe, të cilat nuk durojnë shumë në të tilla “provokacija:, ku disa nga titujt e mediave në Serbi e quajnë provokuese. “Pamje shokuese në fshatin e lindjes së Shaqirit në Kosovë! Shqiptarët provokojnë ashpër serbët, në prag të ndeshjes me Zvicrën”, shkruante “Kurir”, ndërsa më tej thuhej se: “Banorët vendës të këtij fshati e kanë bërë të qartë se sonte (mbrëmë), do të anojnë me zjarr kundër Serbisë”. Po dje, media serbe “Alo.rs” ka postuar një foto me Xherdan Sahaqirin e Valon Behramin, të cilët i paraqesin të veshur me kostumin kombëtar të Serbisë.

BRAZIL-KOSTA RIKA 2-0

Shënues: Koutinjo 90+1’, Nejmar 90+7’

Dy anulime dhe dy gola, dje Brazili “njohu” Nejmarin që kërcënoi arbitrin

Vetëm në minutat shtesë të sfidës me Kosta Rikën, Brazili ka arritur të fitojë një ndeshje të vuajtur, duke marrë kështu edhe tri pikët e para në sfidat në grup. Koutinjo e shpëtoi Brazilin nga një situatë pa gol, duke shënuar avantazhin në minutën e parë shtesë, ndaj Kosta Rikës të mirë-organizuar, e cila përdori çdo “dredhi” gjatë gjithë 91 minutave për të mbajtur një barazim të bardhë 0-0. Por pas golit, kostarikanët thuajse e lëshuan lojën në minutat e tjera shtesë, duke i dhënë mundësi Nejmarit që të shënonte edhe golin e dytë në minutën e 97-të. Protagonist në këtë takim u bë edhe gjyqtari anglez Bjorn Kuipers, i cili anuloi një gol Brazilit me sistemin VAR, ndërkohë që akordoi një penallti po për Brazilin, por pas konfirmimit në VAR, ai e anuloi sërish. Në pushimin e pjesës së parë, Nejmar e ka pritur në dhomat e zhveshjes arbitrin Kuipers, ku nga mediat e pranishme raportohet se ai e ka kërcënuar dhe ka ushtruar presion ndaj tij.

“The Simpsons” bën orakullin, finalja e Botërorit 2018 parashikohet Meksikë-Portugali

Cilido që i ka ndjekur episodet e famshme të “The Simpsons”, ndoshta nuk i ka shpëtuar më e fundit, e cila bën fjalë për finalen e Kupës së Botës “Rusi 2018”. Personazhet e serialit shkojnë në stadium për të ndjekur finalen e madhe të Kupës së Botës, por që aty finalistët nuk janë emra të mëdhenj, sepse në këtë fillim Botërori ato nuk kanë treguar një formë të mirë. Dhe aty bëhet fjalë për Meksikën që fitoi me Gjermaninë më 17 qershor, në ndeshjen hapëse të Grupit F, dhe për Portugalinë, Kampione e Evropës në fuqi. Se sa do të arrijë ta parashikojë “The Simpsons” këtë finale, kjo mbetet për t’u parë, por deri tani nuk janë të pakta gjërat që ata kanë arritur të parashikojnë saktë në serialet e tyre.

NIGERI-ISLANDË 2-0

Shënues: Musa 49’, 75’

Nigeria likuidon “Hirushen” islandeze, rrit shanset për Argjentinën

Është luajtur dje ndeshja e katërt e Grupit D, mes Nigerisë dhe Islandës. Fundi u ka buzëqeshur nigerianëve, të cilët me dopietën e Musa në minutat 49 e 75, kanë hedhur një hap për të synuar kualifikimin për 1/16 e finaleve. Afrikanët zhvilluan një ndeshje të mirë përballë një ekipi të vështirë, që në ndeshjen e parë barazoi me Argjentinën 1-1. Në përmbledhje të kronikës së ndeshjes, Nigeria zhvilloi një lojë shumë të organizuar ndaj Islandës, duke e dominuar plotësisht takimin. Por, edhe Islanda u përgjigj me forcë e karakter, madje kishte disa raste për gol, madje pak minuta nga fundi i gjithë takimit, Sigurdson humbi një penallti në minutën e 83-të, e cila edhe mund ta kthehet rezultatin e kësaj sfide. Kështu, me këtë fitore, Nigeria e mban të hapur renditjen në Grupin D, duke i dhënë edhe një shpresë tjetër për kualifikim Argjentinës. Fitorja e Islandës i mbyllte llogaritë llogaritë e Grupit D.

Tifozeri e shfrenuar argjentinase, rusët e quajnë skandal diplomatik

Gjatë ditës së djeshme në Rusi, një tifoz argjentinas ka publikuar një video, në të cilën një vajzë 15 vjeçare ruse thotë disa fjalë vulgare në gjuhën spanjolle. Nestor Fernando Penovi, 47-vjeçari argjentinas ka shkaktuar reagim dhe përbuzje në rrjetet sociale, ndërsa një drejtues nga Ministria e Brendshme e Argjentinës ka reaguar se tifozit nuk do ti lejohet asnjëherë hyrja në stadiume. Edhe Ambasada ruse në Argjentinë ka reaguar dje me anë të një njoftimi për shtyp, ku pasi e kritikon ashpër qëndrimin e Penovit, pret që ai të kërkojë menjëherë falje publike.