Prof. As. Dr. Edmond Tupja: Futbolli nuk i ndan, por i bashkon njerëzit, sidomos kur fiton më i miri

723
Sigal

Nga Agron KAJA

Atmosfera e finaleve të Botërorit “Rusi 2018” ka përfshirë të gjitha shtresat e kategoritë e moshave, por ja kujtohen të veçantat e historisë dhe të aktualitetit në prag të finaleve

Jeni bërë edhe ju pjesë në atmosferën e Botërorit të futbollit “Rusi 2018”?

Pa diskutim që po, sepse unë mendoj se çdo artist është i lidhur ngushtësisht me sportin, e aq më shumë me futbollin, pasi kjo ka të bëjë me daljen para publikut. Por unë jam marrë dikur me sport, dhe kjo është lidhja që më mban më pranë me futbollin.

Kur mbani mend që të keni ndjekur Botërorin e parë në jetë tuaj?

Që në fëmijëri, ndoshta nuk e kujtoj kështu si datë fikse, por ka qenë Kampionati i 6-të “Suedi 1958” që e kujtoj si në një ëndërr. Ndërsa Kampionatin që u zhvillua në “Kili 1962” e kam ndjekur, mbaj mend që Kupën e Botës atëherë e fitoi Brazili.

Në përmasat e tij, si e vlerësoni ju këtë Kampionat Botëror “Rusi 2018”?

Kampionati Botëror është një manifest sportiv e kulturor, dhe në këtë periudhë ai e zgjeron kujtesën, plotëson ditën e javën me gjithçka kanë sjellë në këtë atmosferë skuadrat e futbollistët. Shoh se ka një kujdes mediatik në prag të finaleve, shpresoj të mbahet ky ritëm mediatik.

Si e shikoni atmosferën mediatike e qytetare në Shqipëri në prag të Botërorit?

Mediat në përgjithësi, më mirë janë në prag Botërori, sepse janë të plotësuara me informacion, me rubrika, ngjarje, fakte e lajme. Ndërsa po këto media, kur i shikon gjatë gjithë vitit, më shumë duken si shterpë.

Ju për cilën skuadër do të bëni tifo në këtë Botëror?

Si dashamirës, nuk them se do të mbetem pas një ekipi, por duke qenë se kam ndjekur Ligën e Kampioneve dhe Evropa Ligën, do shëtis në gjerat më të bukura që do të shoh, më shumë për një kënaqësi shpirtërore. Kështu ka vlerë më shumë se sa të jesh një tifoz.

Mungesa e Italisë 4 herë fituese e Kupës së Botës dhe e Holandës 4 herë finaliste, do të jetë boshllëk në këto finale?

Natyrisht që po, dhe një boshllëk shumë i madh. Sepse në historinë e tyre janë skuadra të mëdha, të futbollit të bukur e të spektaklit, por që aktualiteti i ka ndëshkuar që të mos jenë në Rusi. Është një mungesë që pranohet me dhimbje, por që është e pashmangshme.

Si e mendoni rivalitetin që në ndeshjet në grupe?

Besoj se do të jetë një rivalitet shumë i fortë. Janë 32 skuadra që e pretendojnë në start trofeun, por që gjatë takimeve në grupe do të tregojnë se sa vlera kanë. Gjithsesi, unë ofroj katërshen Gjermani, Brazil, Argjentinë e Francë, por këtu mund të fut edhe Uruguain nga skuadrat e Amerikës Latine.

Po për fitimin e Kupës, mendoni se rivale do të jenë skuadrat e traditës?

Edhe fituesen e Kupës së Botës unë e pres nga këto skuadra që citova më sipër, por si finale e mendoj një Brazil-Gjermani, ose Gjermani-Argjentinë. Jam edhe për një finale Brazil-Francë, por kjo më shumë do të përvijohet pas ndeshjeve në 1/8 të finaleve.

Anglia luan me futbollistë “bio”, Suedia vetëm me “të huaj”

Jemi në 6 ditët e pritjes të startit të Kampionatit Botëror të Futbollit “Rusi 2018”, por në këtë periudhë përgatitore të skuadrave, të veçantat i kanë bërë përbërjet e tyre edhe më interesante. Sepse, në këtë Botëror, Anglia do të luajë me futbollistë të cilët janë pjesë e Premier Ligës, ku 23 emrat e trajnerit Gareth Southgate janë futbollistë që luajnë me skuadrat më të mira në Angli, megjithëse nuk kanë shumë eksperiencë në arenat ndërkombëtare. Ndërsa në kombëtaret e këtij Botërori, të cilat nuk kanë asnjë futbollist nga kampionati vendas, janë Suedia dhe Senegali, ndërsa Rusia ka vetëm dy futbollistë të cilët luajnë jashtë kampionatit rus.

“Hakmarrja” e De Geas, nuk e duartroket Kryeministrin Pedro Sançez

Ndërsa Kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez ka vizituar dje kombëtaren e vendit të tij para nisjes për Kupën e Botës “Rusi 2018”, diçka e veçantë ka ndodhur. Ajo që ka tërhequr vëmendjen e mediave spanjolle në këtë organizim, është fakti se portieri De Gea nuk e ka duartrokitur kryeministrin Sanchez, për shkak të një ndodhie më të hershme. Kryeministri i Spanjës ka dënuar De Gean disa vite më parë, atëherë kur ky i fundit është akuzuar për një skandal seksual, edhe pse e kishte mohuar përfshirjen në të. Hakmarrja erdhi në mënyrën më të lirshme, ndërsa të gjithë futbollistët e tjerë ishin duke e duartrokitur Kryeministrin e tyre.

Draksler i dashuruar me parfumin, ritual para hyrjes në fushën e lojës

Gjatë një interviste dje për “Bunte”, gjermani Draksler ka treguar ritualin e tij përpara se të hyjë në fushën e lojës. “Gjithmonë mbaj me vete në çantë një shishe të vogël parfumi, dhe e përdor atë dy deri në tre herë, më pas futem në fushë. Të gjithë futbollistët e kanë një ritual të veçantë,  dhe mua kjo më jep më tepër lumturi”, kështu ka thënë Draksler, i cili në Kombëtaren e Gjermanisë ishte një prej futbollistëve më të mirë edhe në Botërorin 2014. Prishtmëritë për këtë lojtar janë të larta nga trajneri Lëv, për të parë talentin që ai zotëron në takimet që do të zhvillohen në Rusi, nga 14 qershor e deri më 15 korrik 2018.